Një shekull pavarësi dhe një histori e ndërtuar përmes imazhesh. Arkitekti Piro Stefa ekspozon në Muzeun Historik Kombëtar një koleksion të mbledhur ndër vite. Do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor


Oliverta Lila


Vlora siç nuk e kemi parë më parë. Nga hartat mesjetare, te gravurat e romantikëve anglezë, fotografi të bëra veçanërisht nga italianët, kartëpostale, momentet e pavarësisë, imazhe të fiksuara nga fotografë të njohur të viteve të para të ‘900-s deri te Vlora në kohën e socializmit, deri në ditët e sotme. Janë rreth 400 dëshmi që arkitekti vlonjat Piro Stefa i ka ekspozuar në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. Jo më kot e ka titulluar “Vlora, 100 vjet pavarësi”. Është një rindërtim i historisë, trashëgimisë, traditës, momenteve historike, nostalgjisë. Është një koleksion i mbledhur ndër vite. Stefa ka menduar t’i ndajë në tematika, ku çdo stendë ndërton një rrëfim përmes imazhesh. Nis me “lundërtarë e udhëtarë”, ku dëshmia më e hershme mesjetare është një hartë e vitit 1521, ku paraqitet qyteti, Kanina si qendër e fortifikuar dhe kalaja e Vlorës ndërtuar më 1534 nga Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Sot nuk kemi gjurmë të saj. Pasohet nga të tjera harta të vjetra dhe nga vizatime të romantikëve anglezë që kanë lënë gjurmë të udhëtimit të tyre. Më i njohuri Edward Lear që paraqitet me tre peizazhe. “Jetë qytetare” ka bërë bashkë personazhe të së përditshmes së këtij qyteti gati një shekull më parë. Udhëtarë në Portin e Vlorës, çelja e shkollës së parë shqipe në qytet, gra të ngarkuara me shkarpa, llustraxhinjtë e pazarit, hyrja lindore e qytetit, para dyqanit të berberit, shitësit e duhanit, taksitë e fillimshekullit. Në këto fotografi bardhezi ata duken si personazhe të dalë nga rrëfimet, ndërsa një aparat i bënte që të mblidheshin grumbull apo të merrnin poza të çuditshme. Historia e qytetit të Vlorës vazhdon me “Pazarin”. Një element që nuk mund t’i mungonte qytetit, i ndarë sipas rrugicave të zanatçinjve. Stefa ndalet veçanërisht në disa prej tyre, duke iu “veshur” edhe nga pak histori. Objektet e kultit dhe religjionet i ka grupuar më vete. Një shenjë harmonie, por edhe e zhdukjes së trashëgimisë. Shumica prej tyre nuk ekzistojnë më sot. Stenda i radhës i takon arkitekturës. Janë pamje të objekteve më përfaqësuese të qytetit, vështirë t’i gjesh në Vlorën e sotme. Në këto stenda është ekspozuar një pamje e Vlorës e vitit 1916 marrë nga aeroplani, por edhe një plan rregullues italian i vitit 1942, që nuk arritën ta zbatonin dot kurrë. Ata parashikon një shtrirje të qytetit, i përshtatshëm për 40 mijë banorë, që atëkohë ishte diku te 10 mijë. Vetëm si shenja kanë mbetur edhe objekte që u menduan të ndërtoheshin si katedralja katolike apo banka kombëtare. E nëse sot thua bregdeti i Vlorës, të vijnë në mend mijëra çadra e lokale, dikur nuk ka qenë kështu. Ishte një pikë portuale e zhveshur, vetëm në shërbim të shkëmbimeve tregtare. Janë disa foto të tilla që e dëshmojnë, ashtu siç më tej dëshmojnë lëvizjen ekonomike: kriporet mes Vlorës dhe Nartës, prodhimi i ullirit, blegtoria, por edhe projekte të mbetura fantazmë si Rruga Transballkanike e ideuar nga italianët në vitin 1920. Do të niste nga Roma, Brindisi, Vlorë, Peqin, do të kthente në Rrugën Egnatia, Manastir dhe Stamboll. E në këtë 100-vjetor të pavarësisë nuk mund të mungonte 1912-a. “Një pjesë e mirë janë fotografi të njohura, por gjithsesi simbol të atij momenti historik. Dy më interesantet dhe të panjohura janë ato që tregojnë mbërritjen e Ismail Qemalit në Vlorë më 18 shtator 1908 dhe pritjen madhështore që i ka bërë populli”, tregon Stefa. Janë dy stenda kushtuar pavarësisë, përfshirë edhe vulat, ushtrinë e xhandarmërinë si një element se shteti ekzistonte. Në këtë kuadër nuk ka lënë jashtë as “Sheshin e Flamurit”. Janë pamje të hershme, nga disa kënde, ku sot qëndron monumenti i ngritur në 60-vjetorin e pavarësisë. “Nga Vlora kemi edhe gjurmët e mbetura nga lufta. Prandaj e kam titulluar këtë pjesë ‘të huajt dhe luftëtarë’. Duke qenë vend portal, Vlora ka pasur 7 konsullata mes dy luftërave botërore”, tregon arkitekti. Në këto stenda sheh edhe çuditë e fotomontazhit. Në një anë, pamje të qytetit e në anën tjetër, ushtarë që ‘kanë mbirë” para tyre. Fotografi të hershme, përfshirë edhe disa të Vlorës së vitit 1912, ku duken qartazi Sarajet e Vlorajve janë vetëm disa nga ato që tregojnë pjesën panoramike të qytetit. Nuk mungojnë as qytetarë në kostume popullore. Diku pinjollë të shterave të larta, diku të varfër, gra me rroba tradicionale. Teksa i afrohesh pjesës së fundit të ekspozitës, “Nostalgjia”, gjen aty pamje të transformuara ndër vite, Vlorën e pas viteve ‘50, për të arritur deri në vitet ‘80. “Përshëndetje nga Vlora” sjell edhe një herë kartolina italiane të Luftës së Parë Botërore për ta përmbyllur ekspozitën me disa skica të bërë nga Piro Stefa nga Vlora e ditëve të sotme. Për të, gjithë këto stenda që rindërtojnë historinë e këtij qyteti kanë një mesazh të qartë: Të ruhet sa është e mundur trashëgimia e Vlorës. Dokumentari 20 minutësh që e pasoi, “Vlora – ky Qytet..”, realizuar nga gazetarja Mona Stefa dhe operator Dashamir Balla, e ka përforcuar edhe më shumë këtë ide. Pas Tiranës ekspozita do të çelet në nëntor në Vlorë, ndërkohë që Stefa do të publikojë këto ditë edhe një album me këto materiale.