Një lexim përmes gjuhës së trupit i tregimit “Buka” të Margaret Atwood. 12 aktorë të rinj sjellin një interpretim ndryshe në skenën e “Black box”


Ema AndreaKur Margaret Atwood shkroi tregimin e shkurtër “Buka”, ajo imagjinonte brerjen e një shoqërie që çdo ditë e më tepër po i largohej vetes. Gruaja që njihet për librat e thellë dhe romancat që përshkojnë veprat e saj, e shihte tregimin si formën më të mirë përmes së cilës mund të përçonte mesazhe të forta. Aktiviste e shoqërisë civile dhe një mbrojtëse e feminizmit, “Buka” e Atwood është një tregim që përshkruan qelizat më të holla të indit njerëzor. Një tregim deri diku provokues jo vetëm për urinë, por për ushqimin njerëzor, përmes simbolikës së bukës. “Imagjinoni një copë bukë… A mundeni?” – thotë ajo. Ema Andrea është njohur herët me prozën e Atwood. Me të njëjtën ndjeshmëri si ajo ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut, apo brerjes së shoqërisë, Andrea e veçoi këtë tregim si formën më të mirë estetike përmes së cilës mund t’i fliste publikut të saj. Në një kohë kur duket sikur besimi në gjëra është zhdukur, dhe kur arti përballet çdo ditë me pamundësinë për t’u zhvilluar, Andrea ua lexoi fillimisht këtë tregim studentëve të saj në Akademinë e Arteve, për t’i ftuar më pas në një performancë që do ta ngjisnin në skenë vetë ata. Andrea i la ata të lirë të imagjinon atë çfarë Atwood kishte shkruar. Sesi rrëfimet për bukën mund të perceptoheshin nga të rinj që sapo kanë lënë të 20-at. Dje, më 8 Dhjetor, në Ditën e Rinisë, 12 aktorë të rinj nga Akademia e Arteve, nën drejtimin e Ema Andreas, sollën në skenën e “Black box” performancën “Bukore”. Një vepër monolog që provokon këndvështrimin e vetes në raport me limitet. “Duket si një qark i mbyllur midis mundësisë dhe pengesës, një vepër ku vetja dhe shoqëria janë e njëjta gjë. Këtu qenia njerëzore lëkundet midis ekzistencës dhe parimit njerëzor. Në këtë hapësirë, kjo qenie njerëzore sfidon verbërinë ndaj vetvetes që të imagjinojë realen. “Bukore” përplas veten e tij në një qark të mbyllur ku thelbi i ekzistencës tronditet… Ku pikëpyetjet mbeten pa përgjigje edhe në botën imagjinare”, thotë Andrea. Për më shumë se 30 minuta, në një skenë të improvizuar me bukë, artistët e rinj sollën një performancë e cila të përfshinte në një gjendje dhe ngrinte pikëpyetje. Sigurisht përgjigjet për Andrean i takojnë publikut, i cili në një formë a në një tjetër ia jep ashtu thjesht teksa shfaqja ka përfunduar. Nuk ka nevojë për një teatër të gjatë, për të përcjellë shqetësimin tënd artistik. Ky shqetësim mund të përcillet dhe fare thjesht plot emocion, ashtu si “Bukorja” bëri mbrëmë. Performanca e Andreas është pjesë e “Informal mind Manifest” e cila prej disa ditësh qëndron e hapur në Piramidë. Sot dhe nesër kjo performancë do të realizohet në ambientet e Piramidës, në orën 17.00.