Shfaqet në Londër premiera e filmit slloven “Shanghai Gypsy”, prodhim i vitit 2012, ku interpreton aktori shqiptar, Visar Vishka
Jeni Myftari
Aktori shqiptar nga Maqedonia, Visar Vishka, interpreton rolin kryesor në filmin slloven “Shanghai Gypsy”, i cili po pritet mirë në ekranet e kinemave botërore. Dy ditë më parë filmi u shfaq në Londër, në ambientet e Bankës Europiane për Rikonstruksion dhe Zhvillim (EBRD), me pjesëmarrjen e dhjetëra e dhjetëra shikuesve, figura të shquara të artit dhe kinematografisë botërore, aktorë, regjisorë, producentë, dashamirës të artit dhe ekranit, diplomatë dhe akademikë, u shfaq premiera e filmit slloven “Shanghai Gypsy”. Filmi bazohet në novelën “Untouchable”- “I Paprekshmi”, të autorit Sloven Franc Lainšček dhe është prodhim i vitit 2012. Filmi është nderuar me çmime të shumta. Ai ka marrë çmimin si filmi me skenarin më të mirë, në Festivalin e Filmit Botëror në Montreal, për muzikën më të mirë në Film Fest Paris, ka marrë çmim si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit MECEFF (European Central), Rumania. Veç këtyre, protagonisti kryesor i filmit, shqiptari nga Gostivari, Visar Vishka, është nderuar edhe me çmimin si aktori më i mirë në Fest Film Kosova. Në nderim të Visar Vishkës, në premierë, morën pjesë dhe kreu i diplomacisë shqiptare në Londër, Mal Berisha, si dhe zv. ambasadori i Kosovës, Bejtullah Destani. Filmi ka në qendër figurën e Lutvija Belmondo Mirga, një cigan shtegtar, që rrëfen një tregim për katër breza. Belmondo, që interpretohet nga Visar Vishka, është karakteri kryesor i filmit, një cigan i cili vendos të realizojë ëndrrën e tij dhe të krijojë fshatin e tij të populluar nga ciganët, që jetojnë në Jugosllavi. Fshatit ai i vë emrin “Shanghai”.

Belmondo është një kontrabandist i zhdërvjellët, fuqia dhe ndikimi i të cilit rritet shpejt. Ai madje krijon marrëdhënie të afërta me policinë lokale dhe me përfaqësues të politikës, të cilët vendosen në anën e tij. Këto lidhje e ndihmojnë atë të bëhet i paprekshëm nga ligji. Por me rënien e Jugosllavisë, kontrabanda e mallrave të konsumit të gjerë zëvendësohet me kontrabandën e armëve. Edhe pse fitimprurës, ky lloj biznesi kërcënon jetën personale të Belmondos aq sa, ai e gjen veten në udhëkryq. A duhet të mbrojë familjen apo të sakrifikojë lumturinë personale për ambiciet e biznesit? “Shanghai Gypsy” është një histori e bazuar në një novelë që flet për një ngjarje të trilluar, që lidhet me dëshirën për lumturi, por njëkohësisht është një histori rreth dashurisë dhe lidhjeve familjare, në të cilat lotët janë të ndërthurura me qeshjen. Historia është vendosur në kohën e rënies së Jugosllavisë. Filmi është xhiruar në gjuhën autentike rome, e cila është njëra nga gjashtë gjuhët e përdorura në film. Pesha kryesore e filmit bie mbi aktorin shqiptar nga Gostivari, Visar Vishka, i njohur nga publiku jo vetëm për interpretimin e tij në skenën e teatrit të Maqedonisë, por edhe si protagonist në dhjetëra filma. Ndër to veçojmë “Balkan Pazar” (2011), “Does it Hurt?” (2007), The Man who wouldn’t die (2011-12) etj. Vishka jep një performancë të paharrueshme në film. Karakteri i tij e lë pa frymë shikuesin. Personazhi që paraqet është i paparashikueshëm deri në fund të filmit. Aftësia dhe zhdërvjelltësia e aktorit, e bën shikuesin ta admirojë figurën e ciganit Belmondo. Vishka nuk përdor teknika të mbivendosjes së zërit në film, për të realizuar të gjashta gjuhët që fliten në të. Ai shkëlqen në përdorimin e secilës prej tyre aq sa shikuesi nuk e kupton se cila është gjuha e aktorit. I pyetur mbi këtë pikë, vetë Vishka pohon se prej të gjashtë gjuhëve, ai është familjar vetëm me njërën prej tyre, atë sllovene, ndërsa të gjithë tekstin në gjuhët e tjera i është dashur shumë punë t’i mësojë. Për këtë ai falënderon drejtorin e filmit, Marko Nabersnik, dhe shprehet se gjatë xhirimeve e ka lënë veten totalisht në dorën mjeshtërore të regjisorit. Visar Vishka është një tjetër emër shqiptar që ngjitet në piedestalet e artit botëror.