Botimi
Historia e familjes Terruzi vjen në shqip
Historia e Aldo Renato Terruzi dhe familjes së tij nuk njihej, deri sa ai vetë vendosi ta tregojë. Inxhinieri italian shkroi në një libër të gjitha brengat, për prindërit e tij, Xhuzepe Terruzi që punonte në bankën e Vlorës dhe Aurelias, një vajzë e bukur, për të cilën thuhet se Enver Hoxha u dashurua. Ajo nuk iu përgjigj kësaj ndjenje, gjë që çoi në një kalvar të gjatë vuajtjesh për familjen. Xhuzepe u burgos në burgun e Burrelit ku edhe vdiq, ndërsa Aurelia bashkë me djalin e saj, Aldon, ikën drejt Italisë. Pas shumë udhëtimesh në Shqipëri, në kërkim të eshtrave të të atit, Terruzi promovoi librin “Ritorno al Paese delle Aquile”, botuar nga “Besa”. Ky botim u bë shkas që ai të tregonte historinë e tij përmes intervistave të shumta, ndërsa tashmë libri vjen në shqip. Ashtu siç ishte premtuar, vjen si botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe pasojave të komunizmit, si i pari botim i kolanës “Ad memorandum” me dorëshkrimet e memuareve, përsiatjeve, refleksioneve, ditarëve dhe epistolarëve që ngërthejnë kujtesën e përjetimeve të trishta e tragjike që përjetuan qytetarët shqiptarë e të huaj në burgjet, kampet e internimit, gjatë diktaturës së regjimit totalitar komunist nga viti 1944 deri më 1991. “Pa një njohje historike të së shkuarës, nuk mund të ketë të ardhme. Më së shumti, kjo vlen për të rinjtë që të mund të kuptojnë përpjekjet e prindërve të tyre për të sjellë demokracinë. Liria nuk fitohet me armë. Liria është civilizim, bëhet e jotja kur e meriton atë. Prandaj transmetimi i historisë është i rëndësishëm që të mos bëhen më gabimet e së shkuarës”, ka thënë dje autori gjatë promovimit të librit në Akademinë e Shkencave. “Saga e familjes së Aldo Terruzi-t është një apel për të medituar mbi fatin e qytetarëve të huaj, shpesh tepër dashamirës ndaj popullit tonë, që e patën njehsuar fatin e tyre me fatin e shoqërisë shqiptare. Gjetja e eshtrave të tyre, ndriçimi i historisë së tyre personale, është një detyrë që na takon ta përmbushim sot”, tha Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.