Takimi
Prej së hënës, 53 përfaqësues nga vendet anëtare të EURIMAGE do të takohen për herë të parë në Tiranë për mbledhjen e tyre të radhës. Ka qenë një ftesë e bërë nga Qendra Kombëtare Kinematografike në këtë 100-vjetor të pavarësisë. “Për ne është një ngjarje shumë e rëndësishme, pasi EURIMAGE nuk akordon vetëm fonde për projekte filmike, por është një markë me prestigj falë së cilës hapen dyert e shumë institucioneve në vende të ndryshme të Europës”, ka thënë dje Minarolli. Ndonëse në Tiranë do të shqyrtohen 36 projekte, nga Shqipëria nuk konkurron asnjë. “Për fat të keq, nuk kemi asnjë projekt shqiptar. Aplikimet janë individuale dhe nuk bëhen përmes qendrës, por e dimë se EURIMAGE ka kritere shumë të forta, ku pikësëpari është e domosdoshme sigurimi i 50% të fondeve publike dhe një kooproduksion. Përgatitja e dosjes kërkon profesionalizëm të lartë. Ka pasur përpjekje, por me sa duket aplikimi nuk ka qenë sipas të gjitha kushteve”, ka theksuar Minarolli. Qendra Kombëtare Kinematografike është anëtare prej tre vitesh dhe gjatë kësaj kohe na janë financuar tri projekte, “Amnistia” i Bujar Alimanit, “Agon” i Robert Budinës dhe “Bota” i Iris Elezit.