Një sport i cili nuk ka më popullaritetin e viteve ’80 apo ’90 por që vazhdon të jetë i dashur nga brezat ka patur praninë e tij kinematografike me filma që kanë treguar historinë e heronjve të shpejtësisë skëterrë dhe asfaltit të pamëshirshëm. F1 është më i riu dhe në një kuptim më emblematiku për të përmbledhur të gjitha meseletë e një bote me shumë dritëhije, pak prej të cilave arrijnë të shihen, qoftë edhe nga fanatikët.

Me regji të Joseph Kosinski, është një spektakël i madh që vjen me vrullin e motorëve të ndezur, me zhurmën e gomave që shkrijnë asfaltin dhe me tërheqjen magnetike të Brad Pitt në timon. Nuk është një vepër e përsosur, por është ambicioze në mënyrën se si vetëm kinemaja e madhe mund të jetë: për të na treguar flakë, djersë, pendim, lavdi dhe tensionin e përhershëm mes asaj që kemi qenë dhe asaj që mund të bëhemi ende. Pikërisht në këtë tension qëndron zemra e filmit.

Sonny Hayes (Brad Pitt) është një ish-yll i Formula 1, që e la sportin dekada më parë pas një aksidenti tragjik në pistë. Tridhjetë vite më vonë, ai jeton një jetë gjysmake, i dehur nga kujtimet dhe pendesa. Rikthimi ndodh kur shoku i vjetër Rubén Cervantes (Javier Bardem), sot pronar i skuadrës [së dobët] APXGP, i ofron një mundësi: të ndihmojë ekipin, të përballet me rivalët e rinj dhe të kapërcejë frikën e plakjes e të dështimit.

Historia ka tiparet klasike të dramave sportive: rikthimi i heroit të rrënuar, përplasja me brezin e ri, ndeshja vendimtare, gjuha teknologjike e makinës që bëhet metaforë për trupin e njeriut. “F1” i shfrytëzon këto klishe për të ndërtuar diçka më të thellë: një reflektim mbi trashëgiminë, kufijtë e moshës dhe pyetjen e përhershme se kush jemi kur shpejtësia ndalon.

Nga pikëpamja vizuale, “F1” është një simfoni kinetike. Kamera e Claudio Miranda kap shkëlqimin e diellit mbi metal, turbullimin e turmës në tribunë dhe mikro-lëvizjet e gomave që ngjiten në kthesa. Shumë skena janë filmuar në pista reale, me pak efekte të shtuara në post-produksion, por me një mjeshtëri në përdorimin e kamerave dhe qasjes së re në vendosjen e tyre; ndasia mes dokumentarit dhe spektaklit është pothuaj i padallueshëm.

Tingulli është një personazh më vete. Zhurma e motorëve, fërkimi i gomave, fishkëllima e erës krijojnë një përvojë trupore. Në sallat IMAX, motori nuk thjesht dëgjohet, por ndjehet në kraharor. Muzika e Hans Zimmer nuk e mbulon këtë eksperiencë, por i jep dimension emocional: një ndjenjë ankthi, rreziku dhe, herë pas here, triumfi. Edhe pse është ndër të paktat raste kur Zimmer, i cili gjithmonë i ka shtuar emocion një skene në filmat ku ka punuar, në rastin e “F1” është disonant dhe disi zhgënjyes.

Brad Pitt si Sonny Hayes sjell një interpretim të shumëfishtë: është legjenda që mban mbi supe mitin e kampionit, por edhe njeriu i thyer nga mosha dhe frika. Pitt arrin ta bëjë këtë figurë të besueshme jo vetëm me karizmën e tij, por me gjestet e vogla: dridhja e syrit kur dëgjon motorët, shikimi i përzier me zili dhe mall ndaj pilotëve të rinj, lodhja e trupit që nuk fsheh plagët e viteve.

Damson Idris si rivali i ri Joshua Pearce është kundërpesha e domosdoshme: i guximshëm, arrogant, i pangopur për fitore. Marrëdhënia mes të dyve ndjek linjën klasike mentor-konkurrent, ndoshta e parashikueshme, por dinamika mes aktorëve e bën të gjallë. Kerry Condon si drejtoreshë teknike Kate McKenna është shtylla e arsyes: ajo përfaqëson dimensionin e padukshëm të garës, punën e inxhinierëve dhe strategëve. Javier Bardem si Rubén është hijeshëm i matur: një figurë që shërben më shumë si kujtesë e së kaluarës sesa si nxitës i të tashmes.

Sonny nuk kërkon thjesht të fitojë. Ai përpiqet të pajtohet me të shkuarën ose ta ri-shkruajë atë, me trupin e plakur, me reputacionin e njollosur. Është një histori mbi dinjitetin, jo vetëm mbi shpejtësinë. Dhe i vetëm nuk ja del dot, në jetë apo në punë. Filmi nënvizon se F1 nuk është sport i një njeriu të vetëm. Fitorja është produkt i një ekosistemi: inxhinierë, mekanikë, analistë. Kjo qasje i jep filmit një thellësi realiste.

Edhe pse filmi është në majën e listës së atyre që kanë shitur më tepër bileta në sallat e kinemave këtë vit, probleme dramaturgjike ka sa të duash. Njëra syresh është parashikueshmëria.

Shumë nga kthesat narrative janë të njohura: rivali i ri, defekti teknik në momentin kritik, triumfi i vonuar. Për adhuruesit e zhanrit, surprizat janë të pakta. Po ashtu, shumë figura mbështetëse janë thjesht dekor: funksionojnë për të ushqyer figurën e protagonistit, por nuk kanë [fare] peshë të vetën dramatike.

Me mbi 150 minuta, ritmi herë pas here zvarritet. Skenat reflektive janë të bukura, por nganjëherë e thyejnë energjinë e filmit.

Pavarësisht mangësive, F1 arrin të kapë shikuesin. Është një film i bërë për t’u parë në kinema, ose të paktën në ekran të madh, ku shpejtësia kthehet në përvojë fizike. Ai e ringjall narrativën klasike të sportit si metaforë për jetën: nuk ka rëndësi vetëm kush fiton, por çfarë humbet, çfarë gjen dhe çfarë lë pas.

Për Brad Pitt, është suksesi më i madh komercial në një rol kryesor. Për Apple Studios, është provë se spektaklet sportive mund të kenë të njëjtin ndikim kulturor si filmat e superheronjve. Filmi gjithashtu shërben si dritare për publikun që nuk ndjek Formula 1: është hyrje emocionale, estetike, e kuptueshme edhe për ata që nuk dinë rregullat e sportit.

E nëse do e krahasonim me filmat e ngjashëm të shpejtësisë; Me “Rush” (2013), Ron Howard, “F1” ndan dashurinë për rivalitetin dhe personalitetet, por mungon konflikti aq i thellë sa ai mes Lauda-s dhe Hunt-it. Me “Grand Prix” (1966), F1 ndan përmasën epike, i ndihmuar nga teknologjia e sotme, përshkallëzon atë. Me “Top Gun: Maverick” (2022), ndan motivin e heroit të vjetër që përballet me brezin e ri dhe spektaklin teknik.

“F1” nuk shpik dot rrotën nga e para, por e bën atë të rrotullohet me energji kinematografike. Është parashikueshëm epik, sentimental herë pas here, i gjatë për disa shije, por mbetet një udhëtim që të lë pa frymë.

Në finish, filmi të kujton pse kinemaja e madhe ka ende nevojë për yje të tillë, për shpejtësi dhe për histori që flasin njëkohësisht për pistën dhe jetën. Brad Pitt nuk luan vetëm një pilot njëvendësesh; ai mishëron pyetjen që na ndjek të gjithëve:

Cfarë bëjmë kur motori i brendshëm fillon të shuhet, por shpirti kërkon edhe një xhiro më shumë?