Ekspozita


Fotografi i njohur nga Kosova, Fahredin Spahija, kthehet pas 9 vitesh në Tiranë për të hapur ekspozitën e dytë personale. Titullohet “(Un) censored” dhe do të çelet të mërkurën. Ora 18.00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve Figurative (FAP). Spahija, deri një vit më parë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Kosovë, ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 2003. Atëkohë, ai pati deklaruar se sfida e tij e radhës do të ishte fotografia nudo. Këtë paraqitje të dytë e konsideron si një rinjohje me publikun e Tiranës, dhe përmbushjen e këtij premtimi që kishte dhënë më parë. “(un)censored” përveç një komunikimi vizual me publikun shqiptar e konsiderohet edhe si një thirrje për çlirim nga paragjykimet shqiptare karshi trajtimit artistik të trupit lakuriq apo nudos. Titulli i ekspozitës shpreh gjithë dilemën e trajtimit të kësaj teme shumë kompleksive qysh nga Marubi e deri te ditët tona. Dilema konsiston nga frika e modelit për të zbuluar fytyrën në fotografitë nudo, si dhe nga frika e autorit se mos, me fotografitë e bëra, shkakton paragjykimin e tij dhe modeles nga familja, farefisi dhe shoqëria. Për të pajtuar dilemat, autori gjen një “modus vivendi” dhe gjatë trajtimit të kësaj teme përdor një medium i cili hyn mes modelit dhe autorit. Ky medium që herë është xham i strukturuar e herë plastmas sikur del në mbrojtje të artistit dhe modelit për të mjegulluar procesin nga të gjithë ata që kanë mbetur, edhe sot, robër të një mentaliteti të cilin, bota e qytetëruar, ka kohë që e ka braktisur.