I vendosur në 7 dosje, në dorëshkrim dhe shtypshkrim, “Dimri i Vetmisë së Madhe” do të qëndrojë në dhomën e kodikëve, një dhomë e sigurisë së lartë deri në vendimin e Gjykatës së Tiranës për përplasjen mes Ismail Kadaresë dhe Nexhmije Hoxhës


Mbyllen në kuti të vulosur 1252 faqe. Nuk mund të hapet nga askush


 


Oliverta Lila


Dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë është dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e dorëshkrimit dhe ruajtjen e tij në arkiv, familja Hoxha e ka dorëzuar dje vullnetarisht. Në orën 15:00, avokati i familjes Hoxha, Aranit Roshi, së bashku me Teuta Hoxhën, kanë hyrë në derën e Arkivit të Shtetit për të dorëzuar dorëshkrimin. Ndonëse orari zyrtar i ditës së premte për AQSH-në mbyllej më 14:00, ky institucion është treguar i gatshëm të kryejë procedurat e pranimit. Sipas avokatit të familjes Hoxha, Aranit Roshi, përpara se të bëhej dorëzimi, është njoftuar edhe avokatja e shkrimtarit Ismail Kadare, Flonia Tashko, e cila ka qenë e pranishme së bashku me një përmbarues. Për dorëzimin e dorëshkrimit është mbajtur një procesverbal i nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve, përmbaruesi dhe përgjegjësja e sektorit të ruajtjes në Arkivin Qendror të Shtetit, në praninë edhe të Teuta Hoxhës. Sipas këtij procesverbali, është marrë në shqyrtim dorëshkrimi fletë për fletë dhe nga numërimi kanë dalë 1252 fletë, në dorëshkrim dhe shtypshkrim, të vendosura gjithsej në shtatë dosje. Pas shqyrtimit të detajuar, në procesverbal thuhet se gjendja e dorëshkrimit është e mirë dhe pa dëmtime fizike. Në një nga pikat e tij të padisë, shkrimtari Ismail Kadare ka ngritur edhe shqetësimin se dorëshkrimi nuk ruhej në gjendje të mirë dhe kishte dëmtime. Pas nënshkrimit të procesverbalit, dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” është vendosur në një kuti, e cila është mbyllur me skoç, mban sipër vulën e përmbaruesit, vulën e dyllit me shenjën e arkivit dhe të avokatit të familjes Hoxha. Ashtu siç ishte thënë edhe më parë, kutia me dorëshkrimin është vendosur në dhomën e kodikëve, një dhomë e sigurisë së lartë. Kjo kuti nuk mund të hapet pa praninë e të gjithë nënshkruesve, sepse në të kundërt do të mbahet përgjegjësi penale. Gjatë periudhës që do të zhvillohet procesi gjyqësor mes Nexhmije Hoxhës dhe shkrimtarit Ismail Kadare, autori nuk ka të drejtë ta shohë apo ta studiojë në hollësi dorëshkrimin e romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Vetëm nëse vendimi i Gjykatës së Tiranës do të jetë në favor të tij, atëherë Kadare mund të ketë të drejta mbi romanin e tij. Duke theksuar se Nexhmije Hoxha e ka dorëzuar me vullnetin e saj dorëshkrimin në arkiv, avokati Aranit Roshi ka përsëritur edhe një herë se zonja Hoxha do të ishte e gatshme t’ia dhuronte këtij institucioni. “Nexhmije Hoxha është e gatshme t’ia falë shtetit shqiptar këtë dorëshkrim duke ia dorëzuar Arkivit Qendror të Shtetit”, ka theksuar avokati i familjes Hoxha. Pavarësisht se procedura në këto raste parashikon që nga njoftimi për ekzekutimin e vendimit duhet të kalojnë dhjetë ditë për të bërë ekzekutimin vullnetar dhe vetëm në rast të mosrespektimit të këtij afati bëhet sekuestrimi, avokati Roshi shprehet se ata nuk kishin marrë ende asnjë njoftim, por kanë vendosur ta dorëzojnë dorëshkrimin, pasi, sipas tij, Nexhmije Hoxha e ka pasur këtë vullnet edhe më parë. Nga ana tjetër, duke theksuar edhe një herë se dorëshkrimi i romanit të Kadaresë është një vlerë kombëtare, avokatja e shkrimtarit, Flonia Tashko është shprehur se procedura gjyqësore ka për qëllim ta ruajë në një vend të sigurt dorëshkrimin dhe pas vendosjes në arkiv, do të respektohen të gjitha rregullat e këtij institucioni. Prej gati dy javësh, përplasja mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës ka përfunduar në dyert e gjykatës pas padisë së shkrimtarit. Kadare pretendon se dorëshkrimi mbahet në mënyrë të paligjshme nga Nexhmije Hoxha, ndërsa kjo e fundit ka theksuar disa herë se dorëshkrimi i është bërë dhuratë në vitin 1972, në shenjë mirënjohje nga shkrimtari. Ndërsa Kadare ka theksuar se nuk ka asnjë akt dhurimi dhe është shprehur se është detyruar t’ia japë dorëshkrimin zonjës Hoxha pasi në atë kohë ajo ishte me influencë e nuk mund ta kundërshtonte. Beteja gjyqësore mes palëve do të vazhdojë, ndërsa gjatë kësaj kohe dorëshkrimi do të qëndrojë i mbyllur në arkiv dhe i pahapur.


 


 


1252


Fletë ka dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë. Në prani të palëve, dorëshkrimi i cili ruhej në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës në shtatë dosje është dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit


 


Kutia e vulosur


Pas nënshkrimit të procesverbalit, dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” është vendosur në një kuti, e cila është mbyllur me skoç, mban sipër vulën e përmbaruesit, vulën e dyllit me shenjën e arkivit dhe të avokatit të familjes Hoxha. Nuk mund të hapet deri në mbarim të procesit


 


Ora 15:00


Në orën 15:00, avokati i familjes Hoxha, Aranit Roshi, së bashku me Teuta Hoxhën, kanë hyrë në derën e Arkivit të Shtetit për të dorëzuar dorëshkrimin. Ndonëse orari zyrtar i ditës së premte për AQSH-në mbyllej më 14:00, ky institucion është treguar i gatshëm të kryejë procedurat e pranimit



Padia


Prej gati dy javësh, përplasja mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës ka përfunduar në dyert e gjykatës pas padisë së shkrimtarit. Kadare pretendon se dorëshkrimi mbahet në mënyrë të paligjshme nga Nexhmije Hoxha, ndërsa kjo e fundit ka theksuar disa herë se dorëshkrimi i është bërë dhuratë në vitin 1972, në shenjë mirënjohje nga shkrimtari.