Edicioni i dytë i festivalit do të mbahet nga data 3-9 shtator. Një program i pasur me filma artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Turqia, Rumania, Maqedonia, Serbia dhe Greqia. Tryezës ballkanike do t’i shtohen edhe gatimet tradicionale, duke e bërë më të afërt këtë takim, i mbështetur edhe këtë vit nga bashkia e qytetit
Oliverta Lila
Pogradeci bëhet për të dytën herë mikpritës i një tryeze ballkanike. Një takim i thjeshtë e pa bujë mes krijuesve, regjisorëve, kritikëve dhe publikut, e më tej shijimi i pjatave tradicionale ballkanase. “Balkan Film Food Festival” (Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë) do të ngrejë siparin në datën 3 shtator në Pogradec. Për një javë me radhë, krijuesit nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Turqia, Rumania, Maqedonia, Serbia dhe Greqia do të jenë më afër se kurrë. Pas sprovës së një viti më parë, kur edhe vuri themelet ky festival, organizatorët Eno Milkani, Fatos Baxhaku dhe Gerta Qurku kanë bashkuar forcat për të bërë atë që ata e quajnë “oborri ballkanik”. Një program i pasur me filma, por edhe me gatime tradicionale. “Shqiptari”, filmi i regjisorit gjerman Johannes Naber do të çelë festivalin, i cili do të vazhdojë me një program të pasur filmash artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë, të cilët rrokin në çdo pikëpamje natyrën e popullit ballkanik dhe problematikat që nga njëri kufi në tjetrin janë të ngjashme. Janë më shumë se 32 filma të shkurtër, 10 artistikë e dokumentarë, krijime të regjisorëve të njohur e të rinj, të cilët bëjnë bashkë një tablo të botës ballkanike. “Kjo është një tryezë ballkanike që bën të mundur atë që rrallë ndodh, të takohemi me fqinjët tanë. Është një shkëmbim mes gjithë pjesëmarrësve dhe ata që përfitojnë më shumë janë anëtarët e jurisë, të cilët më pas transmetojnë atë që shohin”, shprehet Eno Milkani. Në idenë e tyre fillestare, kur vendosën të organizojnë një festival të tillë, organizatorët nuk mendonin diçka të bujshme, as të ftuar vip dhe as ceremoni madhështore. Gjithçka ndodh si në një atmosferë shtëpie. “Synimi ynë është që të krijojmë një oborr ballkanik. Ndryshe nga sa bën politika, që i ndan njerëzit në grekë, turq, serbë, kosovarë, myslimanë e të krishterë, ne kemi më shumë gjëra që na lidhin se sa na ndajnë. Kjo duket që në prodhimtarinë e filmave që janë tema të ngjashme. Individi ballkanik është ndryshe nga ai europian, është më tragjik, është më i varfër, më me pak shpresë dhe ka një lloj fataliteti që vjen që nga perandoritë. Një element tjetër i këtij festivali është ai i kulinarisë. Ne besojmë ende në atë legjendën që po i hëngre bukën tjetrit, bëhesh mik përjetë. Ky takim i dytë do të na shërbejë për të njohur më mirë njëri-tjetrin”, shprehet Fatos Baxhaku. Milkani thekson se këtë vit, prurje interesante vijnë nga Maqedonia, siç është filmi “Lufta ka mbaruar”, ku regjisori Mitko Panov bën për protagoniste një familje kosovare, me dy vëllezër, ku njëri jeton në Kosovë e tjetri në Zvicër, në një lumë dyshimesh për jetën dhe të ardhmen e tyre. Regjisorja Elizabeta Koneska, përmes një dokumentari të titulluar “Maqedonasit në Stamboll”, bën një panoramë të atyre që kanë zgjedhur të shkojnë emigrantë, jo në qendra të zhvilluara perëndimore, por në një vend si Turqia. Nga Serbia vjen prodhimi i regjisorit Lazar Ristovski, i cili në filmin “Luanët e Bardhë” ku ka edhe rolin e protagonistit, trajton në mënyrë alegorike problemet që kanë serbët me tolerancën dhe bashkekzistencën mes etnive të ndryshme. Të tjerë filma interesantë vijnë nga Rumania e Turqia, përfshirë një sërë filmash të shkurtër, të cilët vijnë me tema dhe gjetje të ndryshme. Një natë para mbylljes së festivalit, gjatë së shtunës, organizatorët kanë menduar një program të veçantë të quajtur “mish-mash” europian, me komedi e drama të lehta nga Polonia, Italia, Franca, Spanja, etj., për të krijuar atmosferë te publiku. Bujar Kapexhiu është zgjedhur si president nderi i këtij edicioni të dytë, ndërkohë që festivali këtë vit ka dy juri: atë ndërkombëtare (drejtori i fotografisë Daniele Baldacci; gazetarja Anne Poulsen; drejtori artistik i Cinequest FilmFestival Charlie Cockey; drejtuesi i GIZ Artin Marschke dhe gazetari i “La Gazzetta del Mezzogiorno”, Mimmo Sammartino) dhe një juri vendase (regjisori Tomi Mato, skulptori Sofokli Koçi, piktori Anastas Kostandini, gazetari Ilir Shyta dhe poeti Dhimitër Pojanaku). Pavarësisht vështirësive ekonomike, festivali vjen në këtë takim të dytë falë një pune të madhe të bërë edhe nga të rinjtë. “Përveç sponsorëve që kemi arritur të sigurojmë, janë një grup i madh individësh të cilët na kanë mbështetur fort e kanë bërë një punë të madhe vullnetare për ta çuar para këtë nismë”, thekson Gerta Quku. Simboli i këtij viti për festivalin ka ndryshuar. Në vend të pjatës artizanale, këtë vit vjen një arkë kursimi e punuar po me dorë, e cila do t’u jepet në ceremoninë e çmimeve fituesve të këtij edicioni të dytë. Filmi më i mirë, filmi dokumentar më i mirë, filmi i shkurtër më i mirë, çmimi special, çmimi i jurisë ndërkombëtare, çmimi i jurisë vendase dhe çmimi “Raiffeisen”, do të ndahen mbrëmjen e së dielës. Pogradeci, si simbol i mungesës së kufijve fizikë, por veçse atyre ujorë, mbetet streha e këtyre krijuesve.