Ky është kapitulli i gjashtë i një filmi i cili bëri për vete jo vetëm fansat e horrorit në kohën kur doli, sepse nisej nga një koncept i njohur për njerëzit anë e mbanë globit dhe deri diku i pranuar – ‘çdo gjë është e shkruar’. E nëse çdo gjë është e shkruar, vdekja, vendndodhja përfundimtare me doemos është e tillë. Nëse ajo vjen të të marrë nuk mund ti shmangesh dot. Apo mundesh?

25 vite nga filmi i parë “Final Destination” i cili u ndihmua edhe nga protagonisti Alex Browning i cili në atë kohë ishte idhulli i adoleshentëve për shkak të pjesmarrjes tek videoklipi i Eminem ‘Stan’; ‘Bloodlines’ përkundër peshës së kohës, lodhjes së temës me kalimin e dekadave, gabimet në filmat që i paraprinë, është një rikthim në nivelin e dy filmave të parë.

Horrori është një zhanër jo fort gjithëpërfshirës, por i bërë mirë, mund të jetë argëtues, dhe ky film hyn tek ata.

Në vitet e fundit ka patur një tendencë të horrorit për t’u përqëndruar tek trauma, drama njerëzore me filma të influencuar nga regjisorë të mëdhenj si Kubrick, Polanskit dhe Nicolas Roeg, në një lëvizje thuajse të pashpallur nga regjisorët për t’iu qasur audiencës me diçka ‘më serioze’.  Ndryshe nga kolegët e tyre – regjisorët Zach Lipovsky dhe Adam B. Stein, nuk e lënë filmin e tyre të pretendojë të jetë diçka që nuk është. Ata kthehen në origjinën e historisë, dhe e bëjnë vdekjen të tmerrshme po aq sa argëtuese – është një film [horror] dreqi e mori. Jam i bindur që do t’ju bëjnë të qeshni disa prej mënyrave se si vdekja merr të sajët tek “Bloodlines”.

Historia nis vite më parë, kur një çift shkon tek hapja e një kulle të lartë, në një takim romantik që do të ishte nisja e jetës dhe familjes së tyre. Aty Iris shikon një vegim që të gjithë të pranishmit në hapjen e atij vendi të jashtëzakonshëm për kohën, do të vdesin. Vite më vonë është familja e saj që do të bëjë hesapet me vdekjen, në një garë të pamundur për të qënë një hap para saj.

Fillimi i filmit është një arritje që e dallon atë dhe e ngre kinematografisht. Skenat e viteve ’60 janë të xhiruara e montuara me zgjuarsi për të të lënë në ankth për atë që do të ndodhë. Gërshetimi i efekteve praktike me ato kompjuterike është gjithashtu i arrirë (diçka që nuk mund të thuhet për të gjithë Final Destination-s). Jo më kot filmi në trailer është shitur kryesisht nga ato skena.

Fakti që vdekja tashmë lidhet me një familje të vetme, potencialisht e bën filmin disi më dramatik, por si në çdo film horror – komercial – e ke të vështirë të kesh ndjeshmëri për personazhet, sepse i njeh pak. Dialogjet e tyre, interpretimi janë gjithashtu dy-dimensional. Me rëndësi është mënyra kur [dhe si] vdesin apo sa do të të përzihet nga vdekja e rradhës.

Përdorimi i komikes tek mënyra se si disa vdekje ndodhin, është absolutisht një nga elementët më të mirë të “Bloodlines”. Sigurisht filmi ka aq shumë vrima në skenar; gjëra pa kuptim, apo lidhje palidhje – por nuk është vendi për t’u marrë me to. Horrori është një lloj fast-food-i kinematografik, nuk besoj hamburgeri do ishte më i mirë nga sallata e vendit.

I kthyer në kohë të shkurtër si filmi me më shumë arkëtime nga 5 paraardhësit e tij, por edhe me një buxhet më të madh se të tjerët, “Final Destination: Bloodlines” është argëtues, për moshatarët e mi, disi edhe për nostalgji – sepse ka një moshë për të gjitha – dhe jo nuk kemi më moshë për horror, edhe pse kam qeshur e jam kënaqur me mënyrën se si ai djali i monedhës vdiq.