Intervistë me ambasadorin e Finlandës në Tiranë, Pauli Antero Mäkelä


foto1Rudina HOXHA

Ambasadori i Finlandës në Shqipëri, Pauli Antero Mäkelä, nën shoqërinë e autorit të librit “100 Risi Sociale nga Finlanda”, Z. Ilkka Taipale dhe bashkëshortes së tij, krijuan një mbrëmje të këndshme finlandeze ditën e mërkurë në mjediset e hotel “Rogner” ku libri në fjalë u promovua në praninë e një audience të përzgjedhur. Sipas tij, ky bashkëpunim, i cili ekziston në formën e ndihmës për Shqipërinë për të nisur bisedimet për të hyrë në BE, do të fuqizohet edhe më tej në fusha si turizmi. “Mund të them se në muajin maj, presim disa vizita të nivelit ministerial dhe të lartë të përfaqësuesve shqiptarë në Finlandë,” tha ambasadori finlandez në një intervistë për gazeta “Shqip”.


Z. ambasador, a do të kemi një ‘ngrohje’ të kontakteve midis Shqipërisë dhe Finlandës?


Nuk ka shumë shkëmbime midis dy vendeve tona, nëse mund t’i quaj, ‘dy vende pak të largëta’. Ne gjendemi fare lart në veri ndërsa ju gjendeni diku në jug. Por në ditët e sotme, komunikimi funksionon. Njerëzit komunikojnë dhe kombet afrohen. Fatkeqësisht, ne nuk kemi një ambasadë në Shqipëri. Por kemi një Konsull Nderi shumë aktiv, z. Bardhyl Minxhozi. Ai bën një punë shumë të vlefshme. Është e vërtetë që unë nuk vij shumë shpesh në Shqipëri. Por përpiqem të jem i pranishëm nëpërmjet mënyrave të tjera të ndryshme të komunikimit. Jam i kënaqur t’ju them se në muajin maj, presim disa vizita të nivelit ministerial dhe të lartë të përfaqësuesve shqiptarë në Finlandë. Në axhendë do të jenë edhe çështjet sociale siç mund ta merrni me mend.


A ka një projekt konkret midis dy vendeve tona?


Po, ka një projekt konkret që konsiston në bashkëpunimin dypalësh në fushën e pylltarisë. Me sa di unë, ju keni një shkollë pylltarie në qytetin e Shkodrës që merret me trajnimin e të rinjve në çështjet e pyjeve. Finlanda ka shumë pyje. Kështu ne do të fillojmë një bashkëpunim në këtë drejtim. Studentë shqiptarë që studiojnë në këtë shkollë do të trajnohen në Finlandë. Kjo është e sigurt. Ky projekt do të nisë së shpejti.


Libri që u prezantua këtë të mërkurë “100 risi sociale nga Finlanda” pati si kryefjalë inovacionin social. Në këtë aspekt, si mund të kontribuojë Finlanda në Shqipëri?


Nëse e lexoni librin, do të kuptoni se ai jep shembuj, nuk është një manual se si të ndryshosh mënyrën e mendimit rreth çështjeve sociale. Ky është një libër që shkon më tej se kaq. Ai ofron shembuj dhe vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me legjislacionin dhe politikën e jashtme gjithashtu. Por edhe me masën e njerëzve, kulturën, administratën, rajonin, shoqërinë civilë, teknologjinë (ne, finlandezët, jemi shumë të dhënë pas saj) argëtimin (ne kemi sauna, peshkim në ‘akull’, not në ‘akull’ dhe gjëra të tjera që ju këtu mund të keni vështirësi t’i kuptoni.)


Në çfarë fushash mund të bashkëpunojnë të dyja vendet tona?


Është një fakt tashmë se Shqipëria është një vend kandidat. Negociatat nuk kanë nisur ende. Dy vendet tona bashkëpunojmë në shumë fusha, jo vetëm në sektorin e çështjeve sociale. Një nga fushat është trajnimi i Shqipërisë për të nisur procesin e bisedimeve për të hyrë në BE. Konkretisht, ne kemi një gjykatëse shumë të njohur finlandeze në Shqipëri që po merret me një projekt binjakëzimi me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë. Është një eksperiencë edhe për të gjithashtu. Turizmi është një fushë tjetër ku të dyja palët do të fillojnë të bashkëpunojnë shumë shpejt. Në Finlandë ka qindra shqiptarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Ne po bashkëpunojmë ngushtas me ta. Ne nuk kemi një ambasadë shqiptare në Finlandë, por ajo gjendet në Stokholm. Shqiptarët në Finlandë përbëjnë një pikë të rëndësishme kontakti midis dy vendeve tona.


Finlanda në rrëfimin e Ilkka Taipale


finland-helsinkiIlkka Taipale sjell në një libër 100 risi sociale nga Finlanda, duke e bërë lexuesin të bëjë një udhëtim në këtë vend thjesht nga një libër.


Si mund të përshkruani eksperiencën e shkrimit të këtij libri?


Në fillim fare, ne u çuditëm kur libri nuk u prit ashtu siç ne e menduam në Finlandë. Por kur libri u përkthye në anglisht dhe gjuhë të tjera, finlandezët filluan të mendonin se ndoshta shoqëria e tyre ka diçka për të ofruar për komunitetin nëpër botë. Pra, u arrit një lloj suksesi sidomos në Tajvan, Japoni, Kore, Amerikë Latine. Arsimi është një nga temat që u intereson më shumë njerëzve, sepse Finlanda është një nga vendet në krye të listës për arsim sipas rezultateve të Pisa Research (Programme for International Student Assessment) i cili është një konkurs që zhvillohet me fëmijët nëpër të gjithë botën. Në krahasim me vendet e tjera që po ecin në arsim si Koreja e Jugut, Shangai dhe Tajvan, ne nuk përqendrohemi vetëm në lexim, lexim, lexim për 12 orë, por në lojëra dhe zgjidhje problemesh për jo më shumë se 6-7 orë në ditë.


Sipas jush kush do të jetë ndikimi i këtij libri në Shqipëri?


Mendoj se inovacioni social është i rëndësishëm kudo nëpër botë. Jo vetëm inovacioni teknologjik. Ky libër nuk është vetëm për politikanët, por për të gjithë. Dhe dua të them se kjo është ideja e inovacionit social. Kjo është pika e parë. Së dyti, nëse fillon të mbledhësh inovacionet e tua, mund të dalin edhe 100. Nëse jemi të varfër, mund të japim edhe atë pak për gjithsecilin. Vërtet mund të jetë e vogël asistenca për fëmijët, për pensionistët e të tjerë, por ajo duhet të ndahet për të gjithë. Në 1998 vizitova Shqipërinë dhe u habita se kishte 300 OJQ dhe OJQ-të e grave ishin të fuqishme që në atë kohë. Shpresoj që ato të kenë bërë progres që nga ajo kohë. Por mendoj se ky libër mund t’i inkurajojë edhe lexuesit e thjeshtë se ata mund të bëjmë diçka për të përmirësuar shoqërinë dhe pse jo të mendojnë se NGO-të e tyre janë të fuqishme dhe ato mund të bëjnë diçka për shoqërinë. Gjithashtu, pajtimi midis grupeve për të krijuar një shoqëri të bazuar në konsensus është një mesazh tjetër i këtij libri. Sepse shoqëritë tona nuk mund të zhvillohen pa pajtim. Njerëzit në shoqëri pa pajtim nuk bisedojnë dot, nuk mund të ulen në një tavolinë, nuk mund të krijojmë qeveri me bazë koalicioni e kështu me radhë. Në 1930, Finlanda ishte në krizë të vërtetë, sepse nuk kishte pajtim sa u takon gjuhëve. Universitetet hynë në grevë për shkak të mungesës së paqes midis gjuhëve. Por kur u arrit pajtimi lidhur me këtë aspekt, erdhi paqja dhe pasuria për vendin. Gjithashtu, ne kemi marrë edhe një ish-komunist në qeveri, pra qeveria jonë është më bazë të vërtetë koalicioni. Pra, nëse më pyesni kush janë risitë bazë sociale të Finlandës, do të përmblidhja sa më poshtë: Arsimi, barazia midis sekseve, shoqëria civile, OJQ-të, shoqëria konsensuale, fuqizimi i bashkive sa i takon autonomisë së tyre dhe të drejtave që kanë ndaj taksave.