Në 5 vitet e fundit – Guy Ritchie ka patur gati po aq projekte sa Quentin Tarantino ka në gjithë karrierën e tij. Film mbas filmi, serial mbas seriali, i fundit “Fountain of Youth” – një film për të gjithë familjen, i cili është aq mesatar sa të bën përshtypje që regjisori është pikërisht ai, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë moderne britanike dhe botërore në vitet 2000. Filmat e tij të fundit janë kthyer në ato që thua për muzikën pop së fundmi –

“mos na lodh, shko te refreni”.

Personazhin kryesor të filmit – Luke Purdue (John Krasinski) e takojmë në një ndjekje me papaq në Bangkok. Mësojmë se ai është një hajdut veprash arti. Vepra të rëndësishme arti të cilat nëse bëhen bashkë do të mund të zbulojnë vendodhjen e ‘Burimit të Jetës’ ku sipas gojëdhënave, nëse pi prej tij kthehesh në të pavdekshëm. Diçka që Purdue nuk kuptohet a dhe pse e do këtë thesar. (një prej pjestarëve të skuadrës së tij, ai që investon për të gjitha – duket se është kërkuesi i vërtetë – për arsye krejt njerëzore e të kota – Owen Carver interpretuar nga Domhnall Gleeson).

Pak “Indiana Jones“, pak “National Treasure” – “Fountain of Youth” edhe me përfshirjen e Natalie Portman si Charlotte – motra e Luke – është si një montazh skenash fantastike aksioni – ato që Ritchie i ka specialitet, me shaka klishe dhe pak substancë, fare pak, që të bën të mendosh se regjisori mbase ka humbur prekjen e tij që e futi në hartën e regjisorëve të jashtëzakonshëm.

Njësoj si NT – edhe Charlotte dhe Luke janë fëmijët e një arkeologu të famshëm i cili gjithashtu kërkonte thesare dhe nuk do donte kurrësesi që e bija të mbyllej në një galeri arti. Asnjëherë nuk kuptohet nga ndërveprimi i motrës me vëllain nëse kjo është e vërtetë apo është arsyeja që Luke përdor për ta bërë atë pjesë të kërkimeve për shkak të njohurive të saj. Charlotte nga ana tjetër është duke kaluar një divorc të vështirë ndaj e pranon këtë aventurë jo aq sa për të gjetur ‘rrugën’ që kishte humbur sesa për të larguar mendjen prej aty, duke marrë edhe të birin para-adoleshent me vete, ky një talent në piano që do të bëhet i rëndësishëm për zgjidhjen e historisë. Është e vështirë të gjesh më shumë prej personazheve, për të krijuar një marrëdhënie me ta si shikues, thuajse nuk ka fare zhvillim karakteri as tek ata që do duhet të kishte.

Nëse Natalie Portman [duket se] ka pranuar filmim për ca para më tepër pa u lodhur fort, Krasinski ka kohë që përpiqet të heqë prej vetes imazhin e “The Office” duke kërkuar role machoje si për shembull mashkullin alfa si agjenti sekret i C.I.A-s në “Jack Ryan” (Amazon). Sidoqoftë buzëqeshja e tij komike e tradhëton dhe e bën atë më pak të përshtatshëm për një hero të filmave të Ritchie-t – Henry Cavill apo Jason Statham. Çështje besueshmërie.

Stanley Tucci gjithashtu ka një rrol të vogël në film, në Vatikan, si përfaqësues i organizatës që ruan sekretin e “Burimit të Jetës” që të bën të mendosh se ka patur një pushim mes xhirimeve të “Conclave”  dhe Ritchie ka përfituar për t’i marrë këtë rol me gjysmën e çmimit.

Edhe pse “Fountain of Youth” është vite dritë larg “Snatch”, “RocknRolla”, “Revolver” “Mean Machine” etj, filma që ri-dimensionuan zhanrin dhe njohën publikun me një stil të pakrahasueshëm – Guy Richie as nuk i afrohet filmave të tij më të fundit si “The Man From U.N.C.L.E.” apo “The Gentleman” me të. Mbase kaq shumë projekte njëherazi – gati një film në vit, të bëjnë që burimi yt i krijimtarisë të thahet dhe të kesh nevojë serioze për ca të shkreta pushime për të rigjetur edhe një herë ‘atë’ gjënë që ke humbur rrugës dhe që i bënte filmat e tu, të veçantë.

(Kohën mbase)