Në historinë e teatrit shqiptar, Gëzim Kame do të jetë gjithnjë regjisori par exelence, që solli një shije të patjetërsueshëm të teatrit të mirë. Me karakterin e tij modest, ai ndërtoi teatrin që të gjithë do të donim në teatrin e një qyteti me një histori aspak të qetë. Por, me intuitën e një regjisori, Kame diti gjithnjë të gjente gjuhën e komunikimit me publikun, përmes dramaturgjive të kuruara me kujdes.


Sot Gëzim Kame mbush 70-të vjeç. Ky është një përvjetor i rëndësishëm jo vetëm për familjen Kame, por dhe për teatrin shqiptar, i cili me Kamen ka shënuar momentet më të rëndësishme të rritjes së tij. Me një karrierë të nisur fillimisht si aktor në filmin “Ndërgjegjja” ku interpretoi rolin e kolegut të Kujtimit, personazhit kryesor që interpretohej nga Rikard Larja, nën regjinë e Hysen Hakanit, Larja do të spikaste jo veç për karakterin që interpretoi por dhe për mënyrën sesi e shihte kinemanë. Në vitin 1978 ai do të kishte një tjetër rol tek filmi “Koncert në vitin 1978”, nën regjinë e Saimir Kumbaros. Më 1984 ai interpreton Bujarin tek filmi “Nxënësit e klasës sime”, sërish nën regjinë e Kumbaros.


I tërhequr nga teatri, Kame do të rrëmbejë zemrat e shqiptarëve si regjisori i komedisë “Shi në plazh” më 1984-trën. Një komedi e cila bënte bashkë emra të njohur të teatrit si Robert Ndrenika, Vera Zheji, Mimika Luca, Viktor Zhusti, Elvira Diamanti, për të treguar plot humor një histori dashurie në plazh. “Loja në oborrin e pasëm” është një tjetër vepër që ngjitet në skenë nga Kame më vitin 1996. Në vitin 2003 ai vë në skenë “Një varr për majorin e mbretit” ndërsa më 2009-tën “Kohë për tu çmendur”. “Pjata e drunjtë” një vepër me mesazhe të forta sociale do të kishte sukses më 2005-sën po kështu dhe vepra “Gomone”. Në vitin 2009 Kame nuk ka frikë ti afrohet teatrit bashkëkohor duke vendosur në skenë veprën e dramaturgut francez Laurent Baffi “Të gjithë kanë huqe”, një pjesë e fortë psikologjike ku spikat interpretimi i Roland Trebiskës.


“Stinë e mërzitshme në Olimp” , apo “Sokrati” i famshëm i Mirush Kabashit, kanë pas një emër si Gëzim Kame. Pedagog në Akademinë e Arteve, ai ka një rol në edukimin e një plejade të rëndësishëm artistesh që sot mbushin skenat tona.  Kame ka një meritë dhe në ngritjen e të parit teatër privat në vend, siç është Teatër Park Kame, pranë fshatit Ibë që është kthyer në një hapësirë të rëndësishëm për teatrin shqiptar. Në këto hapësira një vit më parë u mbaj Balkan Teatër Tirana Fest, një festival i cili bëri bashkë emra të njohur të teatrit ballkanik, nën iniciativën e Kames si president i festivalit. Një festival për të bërë bashkë teatrin e Ballkanit, por dhe për ti dhënë hapësirë regjisorëve dhe aktorëve nga kjo trevë të njohin më mirë njëri tjetrin, por dhe për ta kthyer Tiranën një destinacion të rëndësishëm të mendimit teatror. Sot është një ditë e bukur në karrierën e tij, por dhe një ditë e veçantë për teatrin, i cili duhet të ndalet për të nderuar një prej mendjeve më të bukura të këtij gjysmë shekulli.


7 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)