Reagime të shumta kanë ardhur në lidhje me ftesën e këngëtarit serb, Goran Bregoviç, për në Festën e Birrës në Korçë. Qytetarë të thjeshtë, artistë dhe gazetarë janë shprehur të revoltuar për këtë ftesë.

Edhe pse Bashkia e Korçës ka reaguar duke thënë se ftesa është ende në shqyrtim, njerëzit thonë se ajo ftesë nuk duhej të bëhej kurrë.

Gazetarja e Kosovës, Albana Xharra, ka reaguar përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, ku shprehet se nuk po e “çudit ftesa që Shqipëria i ka bërë Goran Bregoviçit”.

Kjo për shkak se në Kosovë gjatë okupimit serb ka pasur shqiptarë që me shumë kënaqësi e kanë dëgjuar Cecen e këngëtarë të tjerë serb. Gazetarja e njohur shton se i dhemb fakti se “ende ka udhëheqës që ndihen inferior ndaj sllavëve”.

“Argumenti se muzika nuk është politikë, është gënjeshtër, sepse pikërisht fytyrat publike madje këngëtarë serb gjatë regjimit të Millosheviçit kanë bërë propagandat më të mëdha politike. Bregoviçit i janë refuzuar koncertet në Ukrainë dhe Poloni për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Putinit për të pushtuar Krimean”, shkruan Albana Xharra.

Postimi i plotë i gazetares:

Goran Bregovic është nacionalist serb pro Putin!

Duke qene se edhe ne Kosove gjate okupimit serb ka pase shqiptare qe me shume knaqesi e kane ndegju Cecen e kengetar te tjere serb, nuk po me cudite ftesa qe Shqiperia i ka bere Goran Bregovicit. Po me dhemb fakti qe ende kemi udheheqes qe ndihen inferior ndaj sllaveve. Argumenti se muzika nuk eshte politike, eshte genjeshter, sepse pikerisht fytyrat publike madje kengetare serb gjate regjimit te Millosheviqit kane bere propagandat me te medha politike. Bregovicit i jane rrefuzuar koncerte ne Ukraine edhe Poloni pershkak te mbeshtetjes qe ai i kane dhene Putinit per te pushtuar Krimean. Pra ai s’qenka thjeshte kengetar por propagandues pro terrorit Rus?!. Sa e gërditshme kur shohim udheheqes shqiptare qe dalin e bejne skena te rrejshme patriotike me shqiponjen dy krenare e nderojne nacionalist serb ne midis Shqiperise. Turp!