Piktori ka shprehur shumë nga ato që përjetohen sot në Shqipëri: paragjykimet, survejimin, frikën, sarkazmën, ironinë, tregun artistik të mbyllur, por edhe motive që i kanë rrënjët në fëmijërinë e hershme. Në ekspozitë gjen një tablo të madhe 8 x 2 metra, por edhe një pikturë kushtuar tronditjes së 21 janarit .
Oliverta Lila
“Kur u ktheva nga Greqia, erdha me një depozitë të madhe parash që tashmë është bërë një kokërr rëre. Kjo është kontrata me artin”. Kështu thotë piktori Helidon Haliti në përfundim të ekspozitës së tij “Personale”, çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve prej datës 16 gusht. Duhej të ishte mbyllur dje, por do të qëndrojë e hapur edhe një javë. E komentuar për disa elemente: tematika ironike, trajtimi gati përrallor i personazheve, ngjyrat e forta dhe përmasat (tabloja më e madhe ishte 8 x 2 metra), Haliti thekson se ndihet i fituar pavarësisht se ka shpenzuar shumë për ta realizuar. Ka një sërë titujsh e disa cikle, mes të cilave “Delja e zezë” kushtuar paragjykimeve. Shtëpia është elementi më i dukshëm, një nxitje që ka rrjedhur nga poezia e të atit, Faslli Haliti, “Diell dhe rrëke”, e kritikuar në kohën e diktaturës. E ndonëse i kënaqur nga sfida që i bëri muajit gusht, gjithnjë e heshtur në institucionet e artit, Haliti nuk është i kënaqur me situatën artistike shqiptare. Sipas tij, artistët janë vazhdimisht të paragjykuar, të survejuar brenda një tregu të mbyllur dhe herë të frikësuar. I kthyer nga Greqia prej më shumë se shtatë vitesh, në intervistën e mëposhtme Haliti tregon të gjitha këto ndjesi.
Do ta ripërsërisnit një ekspozitë në muajin gusht?
Nuk do ta përsërisja, sepse nuk ka më vlerë. Unë e shijova pjesën e thyerjes së rekordit aty ku nuk ka njerëz e ku nuk bëhen ekspozita e nuk ka vizitorë. Kjo nuk përbën një sfidë dhe nuk dua të përjetoj më këtë lodhje fizike. Në një kërkesë të dytë që mund t’i bëj bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve, do të synoj kalendarin artistik, mundësisht atë të 6-mujorit të parë.
Tematika që sollët dhe trajtimi i personazheve dukej se mbartnin diçka sa përrallore aq edhe fëminore. Ishte zgjedhja më e mirë për t’u shprehur?
Në një treg të vogël, siç është Shqipëria, rrezikon të biesh në grackën që të vish gjithnjë novator. Unë u përpoqa t’i shmangesha kësaj dhe rimora motivin “brenda shtëpisë” që e kisha cekur në ekspozitën e fundit në “Mezuraj”. Janë ngjarje që i kam marrë nga poezia e babait tim “Dielli dhe rrëketë”, nga vizatimi im i parë, nga kujtimet kur shkoja në fshat pas dënimit të babait tim e ku insektet i lyeja me bojë e i lëshoja në qiell. Lart më dukeshin si gjigantë e kur i zbrisja në tokë, shumë të vegjël. Arti duhet të ketë ngjarje, sidomos personale. Të gjitha këto ndjesi, të gërshetuara me një kritikë që e kam lexuar kur isha në Liceun Artistik, ku thuhej se arti nuk mund ta paraqesë një mi si një elefant dhe anasjelltas, më nxitën të pikturoj një pjesë të këtyre tablove e të them që arti është i lirë të paraqesë çdo gjë si duhet. Në këtë moment jam më fëmijë se kurrë shpirtërisht, në një pafajësi dhe naivitet, të cilat bëjnë që në këtë moment të besoj çdo gjë, pavarësisht se mënyra se si trajtohen gjërat në Shqipëri është tejet paragjykuese, tejet djallëzore. Kjo më bëri të ndërtoja miniciklin “Delja e zezë” ose paragjykimi. Ajo që më habit në marrëdhëniet njerëzore është që çdo gjë paragjykohet. Ndoshta kjo vjen si pasojë e një tregu të vogël që e gjen paragjykimin si një mënyrë mbrojtjeje. Asgjë nuk është e “betonuar” në Shqipëri. Sot mund të jesh në majë dhe nesër mund të jesh në fundin e saj. Në kundërshtim me tregun perëndimor ku ti mund të bësh një sukses dhe mbas tij të hash gjithë jetën, në Shqipëri duhet të bësh sukses përditë, duhet të sjellësh gjëra të reja përditë dhe kjo na çon jo rrallë herë në grackën e plagjiaturës dhe të një frike nga tjetri e nga vetja. I kam shprehur të gjitha këto pasiguri në këtë ekspozitë, duke nxjerrë kështu si artist frikën e tregut, paragjykimit, frikën e një ambienti të vogël ku ti je i survejuar detyrimisht nga çdo gjë.
Sa e keni ndier personalisht këtë atmosferë paragjykimesh për të cilën flisni?
Shembulli është i thjeshtë. Kur bën një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve e kur periudha e qeverisjes është e djathtë, ti do të paragjykohesh nga të majtët, sepse suksesin tënd artistik e politizojnë. E njëjta gjë ndodh që nëse ekspozitën e vizitojnë të majtët, në sytë e të tjerëve ti je i tyre. Është një absurditet që e kam të vështirë ta kuptoj. Unë jam student i ‘91-shit, që kam përkrahur demokracinë, por e them me seriozitet që nuk është kjo demokracia që do të doja të përkrahja. Unë u rrita më tej në një vend që është djepi i demokracisë si Greqia dhe as atje unë nuk gjeta demokracinë e vërtetë. Ndjeva gjithnjë paragjykimin se isha një shqiptar dhe ndonëse në jetën e vërtetë nuk kishin takuar një shqiptar të keq, i shihnin të tillë përmes televizorit.
Cila është demokracia të cilën përkrahët në vitin ’91?
Nuk është kjo demokracia që kam dashur në pikëpamjen e ngushtësimit të të menduarit. Në momentin që ekziston pyetja: Çfarë është ai? Nga është? Ku ka punuar jashtë? Pse është kaq i veshur? Nga i gjen lekët?, në këtë moment je i survejuar. Nuk ishte kjo që unë kisha kërkuar. Unë kërkoja një komunikim me të gjithë, një barazi ku kishe të drejtë të konkurroje e të fitoje për hir të aftësisë dhe jo të një koniunkture. Dinastitë padyshim që janë të pashmangshme në kapitalizëm, por te ne po ndodh që zanatçiu ia lë fëmijës zanatin e vet. Kjo nuk më pëlqen. Më pëlqen liria absolute ku secili duhet ta zgjedhë vetë rrugën e tij. Në vendet ku ne kemi emigruar, ai që kishte mbaruar për biologji punonte si hidraulik dhe këtë duhet ta bënte për të mbijetuar. Në vendin tim unë dua të punoj për atë që kam studiuar. Këtu nuk ka treg për këtë gjë dhe kjo në vetvete të bën shumë të survejuar, të pakënaqur. Ekspozita ka disa komplekse e mllefe që unë i mendoj, ka frikën, por edhe thirrjen, ka pakënaqësinë, sarkazmën, ironinë, autosarkazmën.
Sa e kushtueshme është për një piktor të bëjë një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe sa e merr mbrapsht mundin?
Ekonomikisht është tejet e kushtueshme dhe mundin pothuajse nuk e merr asnjëherë mbrapsht. Në këtë vend ku investohet për gjërat më imediate, për ushqimin, për shtëpitë, për betonimin, shkatërrimin, për art nuk është investuar akoma. Ka 20 vjet që për art nuk investohet fare. Përkrahja e vetme janë disa koleksionistë nostalgjikë dhe mediat. Për sa u përket kritikëve, të cilët kanë një formim të fushës më shumë se gazetarët, pyesin gjithnjë se pse shkruajnë ata e jo ne. Përgjigjen duhet ta japin ata. Në momentin kur nuk ka një shkollë arti private do të thotë që nuk ka treg, dhe dikush e ka diktuar këtë. Kjo nuk do zgjasë shumë, do të fillojë të hapet ngadalë dhe për momentin “i fituar” është ai që nuk shet e jo ai që shet. Sot po shiten veprat me çmime shumë më të ulëta se vlera reale, ndërkohë që kapitalizmi nënkupton që ti investon një lek dhe duhet të marrësh tre mbrapsht. Ndaj nuk kemi një artist të pasur (flas për artet pamore), një artist të veshur mirë, një artist me vila në bregdet, nuk kemi një artist me makina të mira, përveç atyre që kanë jetuar në emigrim e kanë punuar për tregun. Unë prej shtatë vitesh i jam futur artit për art. Kam ardhur si një shkëmb i madh ekonomik nga Greqia, kisha një depozitë të madhe që tani ka përfunduar një kokërr rëre. Kjo është sakrifica ndaj artit që askush nuk e dëgjon.
I penduar që zgjodhët të ktheheshit nga Greqia?
Kur babai im ka qenë në Athinë në vitin 1994 dhe kur unë punoja artizanat për të jetuar, ai më lutej që të paktën të bëja ndonjë pikturë. Kur në vitet 2000 fillova të bëj ekspozitat e mëdha më tha: kujtova se të kisha humbur. Ekspozita të tilla me sakrifica kaq të mëdha mund t’i bëja vetëm në vendin tim. Ti mund të ndodhesh në një vend ku nuk paguhesh, por ke kohë të mendosh për art dhe në momentin kur ke krijuar bagazhin tënd artistik, kjo do të thotë se ka arritje shumë të mëdha. Kandari do të anojë ose nga leku, ose nga arti. Padyshim që arti ka fituar tek unë, pavarësisht se kam peshën edhe të kryefamiljarit. Unë nuk kam ardhur në këtë vend të më hapin dyert, por kam ardhur të imponohem. Mendoj se ia kam arritur. Asnjëherë nuk e ndjeva që do të isha shumë i paguar, i punësuar menjëherë. Për momentin vuaj shpirtërisht, por vuajtjet krijojnë ngjarje dhe ngjarjet krijojnë pikturë. Kontrata që kam bërë këto vite është me artin dhe jo me paranë.
Tabloja
Një pikturë për 21 janarin
Shumëkush mund të ketë ndaluar para tablosë së frymëzuar prej ngjarjeve të 21 janarit dhe mund të mos e ketë kuptuar si të tillë. Është një pikturë ku ngjyrat e kuqe “përleshen” në atë pak sfond të mbetur blu dhe përfund koka e një gjeli, motiv i gjetur edhe më parë në pikturat e Helidon Halitit. Ka zgjedhur këtë mënyrë për të reflektuar e njëkohësisht për të protestuar artistikisht. “Si artist nuk mund të qëndrosh indiferent”, thotë Haliti, i cili këtë tablo e shesh si një “shfryrje” artistike pa vënë pas ngjyrat politike, gjë që ndodh shpesh në Shqipëri.