Anjes Çobo është një vajzë e lindur nga një nënë italiane dhe një baba shqiptar. Fëmija i dytë i çiftit, pas vajzës Françeska. Por historia e saj i ngjan një mrekullie. Lind shumë para kohe, në javën e 24 të shtatzënisë, ishte vetëm 32 centimetra e peshonte 660 gramë. Mjekët italianë të cilët e asistuan në lindje e quajtën të pabesueshme mbijetesën e saj
Prindërit: mrekulli e Nënë Terezës
Oliverta Lila
Anjes është sot 4 vjeçe dhe një fëmijë normal. Është fëmija i dytë i një nëne italiane (Concetta Marotta) dhe një babai shqiptar (Muharrem Çobo). Historia e saj është një histori çastesh shumë të vështira dhe mbijetese, por me fund të lumtur. Anjes lind në javën e 24 të shtatzënisë, 3 muaj e gjysmë para kohe më 10 shtator 2008. Ishte vetëm 32 centimetra e gjatë dhe peshonte vetëm 660 gramë. Mjekët i dhanë shumë pak shpresë për të jetuar. E ëma vendosi t’i japë emrin e Nënë Terezës (Agnes Gonxhe Bojaxhi), kur ende nuk kishte lindur e nuk dihej nëse do të jetonte një orë, një ditë, apo pak kohë. Është pagëzuar në 2009-n me këtë emër në Katedralen e Shën Palit, ku murgeshat i kanë dhuruar një copëz të sarit të Nënë Terezës. Concetta beson se ajo që ndodhi nuk është vetëm një rastësi, për më tepër që Anjes ka lindur më 10 shtator, në datën kur Nënë Tereza pati thirrjen për të shkuar si misionare në ndihmë të të varfërve. Një “mrekulli” që Concetta Marotta e ka hedhur në librin “Anjes, Segni particolari: 32 cm, bellissima”, i botuar e i promovuar në Itali. Në kuadrin e “Javës XII të gjuhës italiane në botë”, në datën 23 tetor do ta prezantojë edhe në Tiranë në ambientet e universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” me praninë e ambasadorit italian Massimo Gaiani, neatologes Ernesta Adele Marando dhe doktoreshës Majlinda Gjoni.
Një prezantim të shkurtër për publikun, cila është historia juaj?
Unë jam Concetta Marotta, jam italiane, por që prej vitit 2001 jam martuar me një shqiptar. Me Muharremin u njohëm në Itali kur ai po mbaronte universitetin në Trento, atje ku unë jetoja e ku lindi historia jonë. Muharremi si njeri me shumë ideale donte të kthehej në Shqipëri për të kontribuar në vendin e tij, ndërsa unë që e vogël kamë pasur gjithnjë dëshirën t’i përkushtohesha vullnetarizmit në vende të varfra. Këtu ka shumë për të ndihmuar. Prej vitit 2001 që jetoj në Shqipëri, kam ushtruar profesionin tim, atë të mësueses së italishtes.
Anjes, vajza juaj e dytë, ka lindur vetëm 660 gramë. Si arriti të mbijetojë?
Unë isha shtatzënë, kisha fëmijën e dytë pas Françeskës, atëkohë 5 vjeçe dhe kisha bërë një eko morfologjike në Shqipëri ku gjithçka dukej shumë mirë. Shkova tek prindërit në Itali për pushime dhe vetëm pak ditë më pas humba lëngun amiotik. U shtrova në spital, ku ndjenja për dy javë dhe gjatë gjithë kohës mjekët flisnin për një abort, i cili lejohet deri në javën e 25. Flisnin për fëmijën tim, duke përdorur fjalën fetus sepse ishte shumë i vogël, peshonte ende 500 gramë. Pas dy javësh në spital, mjekët më këshilluan që të bëja një operacion, ndonëse nuk kishin dhënë asnjë shpresë jete për fëmijën. M’u desh të merrja një tjetër vendim personal, të bëja një lindje natyrale. Mendoja se nëse do të ishte e fortë, do t’ia dilte, në të kundërt ishte e kotë ta nxirrja nga barku me një operacion e pas një ore të vdiste. Kështu pas dy javësh, në javën e 24 të shtatzënisë, bëra lindje natyrale dhe Anjes lindi 32 centimetra dhe 660 gramë. Ishte fare e vogël. Kërkova ta shihja. M’u duk se ngjante shumë me motrën e madhe dhe me ne. Mjekët më kishin thënë se, nëse nuk qante pas lindjes, atëherë ishte fëmijë i vdekur. Sapo lindi, filluan duke e stimuluar për të kuptuar nëse po merr frymë. Unë isha në gjendje të tronditur dhe nuk e di sa mund të jem e saktë, por kaluan tri-katër minuta, kur e dëgjova duke qarë, por nuk ishte e qara e një fëmije normal që lind tre kilogramë, ishte si një mjaullimë e largët. Unë shpërtheva në lot dhe nga ai moment filloi lufta e Anjes për jetën. Inkubator, terapi intensive, infeksione të rënda në gjak, probleme me zemrën. Na u desh të qëndronim katër muaj në spital para se të dilnim. Na ndryshoi jeta papritur dhe ka qenë familja ime ajo që na ka dhënë një ndihmë të madhe ato kohë.
Kur e kuptuat se kishte shpresa për të mbijetuar?
Mjekët nuk kanë folur kurrë për shpëtimin e vajzës sime. Kishin kaluar vetëm tri ditë, kur mjeku më tha që kishte një infeksion të rëndë në gjak e ne duhet të përgatiteshim për një vdekje të mundshme të saj. Ndonëse ishte gjithë kohën në trajtim në spitalin “Santa Chiara” të Trentos, na është dashur të kalojmë çaste shumë të vështira. Gjithnjë me vaksina, me antitrupa sepse ishte një fëmijë shumë i vogël. Fillova të kuptoj se mund të kishte mundësi jete, kur arriti peshën 1 kilogramë e 300 gramë dhe e kaluan nga pavijoni i terapisë intensive te patologjia neonatale. Dolëm nga spitali në fund të dhjetorit, kohë kur duhej të ishte bërë lindja e natyrshme dhe Anjes peshonte 1 kilogramë e 900 gramë. Mjekët ishin shumë të habitur, thoshin që ishte një mrekulli dhe nuk e kuptonin se ku e kishte gjetur forcën për të jetuar. Na u desh të qëndronim një vit në Itali, sepse çdo dy javë i bëheshin kontrolle delikate. Më pas u kthyem sërish në Shqipëri, ku kontaktuam me mjekët më të mirë shqiptarë, sepse ende kishte nevojë për përkujdes të madh, ndonëse unë nuk e kam parë asnjëherë si një fëmijë të lindur kaq shumë para kohe.
Ju i keni vënë vajzës suaj emrin e Nënë Terezës (Agnes). Pse një zgjedhje e tillë?
Që kur isha e vogël, kam qenë e dashuruar me Nënë Terezën. Mësuesja e fesë na fliste për të si Nënë Tereza e Kalkutës dhe unë e imagjinoja indiane, por mendoja gjithmonë se kur të bëhesha 18 vjeçe, do të ndiqja rrugën e saj e do të bëhesha misionare. Jeta ime nuk shkoi ashtu siç e kisha menduar, por gjithnjë kam bërë punë vullnetare me të burgosurit apo me fëmijët në vështirësi ekonomike. Në ato ditë të vështira, në dhomën që e quaj speciale, sepse nuk kishte nëna të tjera, kisha në mur një kryq, pasi jam besimtare. Teksa lutesha, i kërkoja Zotit që këtë vajzë doja t’ia besoja Nënë Terezës. Isha duke menduar se si mund t’i jepja një shenjë konkrete, kështu që më vajti mendja për emrin. Duke qenë se kisha lexuar shumë për biografinë e Nënë Terezës që vite më parë, e dija që quhej Anjes. Im shoq ndodhej në Shqipëri, sepse në përpjekje për të mos humbur vendin e punës, ai duhej të bënte vajtje-ardhje në Shqipëri. I dërgoj vetëm një mesazh: A të vjen mirë ta quajmë Anjes, si Nënë Tereza? Unë nuk e dija se si do të shkonte, a do të ishte gjallë, a do të jetonte një apo dy ditë, siç shpreheshin mjekët se mund të ndodhte. Di vetëm që nuk desha kurrë ta braktisja, për aq sa ajo do të jetonte. Por lidhja me Nënë Terezën është edhe më e fortë. Anjes ka lindur më 10 shtator 2008, datë kjo që festohet në të gjithë botën nga Kongregacioni i Misionareve të Nënë Terezës sepse ka qenë 10 shtator 1946 kur ka ndodhur “thirrja brenda thirrjes”. Nënë Tereza ishte murgeshë, punonte si drejtoreshë në një shkollë, por në atë datë pati një thirrje tjetër që i thoshte që t’i do jesh misionare për më të varfrit e të varfërve. Në spital, në atë gjendje që isha, nuk e vura re një përkim të tillë, por një vit më vonë, kur kthehem në Shqipëri, duke hapur një biografi të saj që e kisha lexuar në vitin 1997, pashë se kisha shënuar me ngjyrë fosforeshente datën 10 shtator 1946. Të gjitha këto që kanë ndodhur nuk më duken rastësi. Unë isha me fat, sepse gjatë kohës që qëndrova atje, pashë katër fëmijë të lindur para kohe të vdisnin dhe ishte një periudhë tepër e vështirë.
Pse vendosët të shkruanit një libër për këtë histori?
Kur u ktheva nga Italia, ishte viti 2009 dhe e ndjeja që vazhdoja të vuaja sepse kisha mbajtur përbrenda shumë dhimbje. Nisa të shkruaja si një terapi për t’u zbrazur e kështu fillova të hidhja emocionet e mia, momentet e vështira, makthet që ndieja akoma. Kur e mbarova librin tim, ia dërgova një pediatri në Itali që quhet Dino Pedrotti, një pediatër 80-vjeçar i njohur në Trento, i cili më këshilloi ta botoja si një dëshmi që mund të ishte ndihmë për shumë nëna të tjera. Ishte ai që e redaktori dhe e dërgoi në disa shtëpi botuese që e pranuan, por vendosëm ta botojmë te “Il Margine” në Trento, sepse i dedikohen vetëm historive personale që sipas tyre mund të kontribuojnë për një zhvillim moral të njeriut. Jam shumë e lumtur që sot, libri im në spitalin e “Santa Chiara”-s përdoret si një mjet për psikologët që trajtojnë rastet e lindjeve të parakohshme. Libri është përkthyer tashmë në shqip nga Virgjil Muçi dhe jemi në kërkim të një botuesi për ta sjellë edhe për lexuesin shqiptar.
Çfarë fëmije është Anjes sot?
Sot Anjes është 4 vjeç, shkon në vitin e dytë të kopshtit. Është shumë e shkathët dhe e zgjuar, por mbi të gjitha një fëmijë që i gëzohet shumë jetës, ajo të falënderon për gjithçka. Nga ana tjetër, ka karakter të fortë dhe tekat si çdo fëmijë për të arritur atë që do, por mendoj se ky karakter e ndihmoi të mbijetonte. Mjekët thoshin se do ta arrinte peshën e bashkëmoshatarëve të saj kur të shkonte 6-7 vjeçe, por Anjes tashmë nuk bën asnjë dallim nga bashkëmoshatarët e saj. Flet italisht dhe shqip në mënyrë perfekte, madje më korrigjon edhe mua.