Konferenca 


Me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit të parë shqiptar, Instituti i Studimeve për Çamërinë organizoi dje konferencën shkencore me titull “Çamëria gjatë rrugës së pavarësisë”. Kontributi i figurave historike çame, kalvari i vuajtjeve, gjenocidi grek, por edhe kultura e trashëgimia çame, kanë ardhur


përmes kumtesave të disa prej historianëve dhe akademikëve më të njohur shqiptarë si Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Bashkim Kuçuku, Vasil Tole, Luan Rama, Anila Omari, Ledia Dushku etj. Historiani Xhufi në kumtesën e tij publikoi për herë të parë të dhëna të mbledhura nga 4 mijë dokumente të ndryshme që faktojnë konfliktet dhe përplasjet fetare që kanë ndodhur mes popullit çam dhe atij grek. “Po flitet shumë e shumë për rolin që Çamëria dhe patriotët e saj kanë pasur në ngjizjen e Pavarësisë. Janë dokumente që ilustrojnë historinë e një treve për të cilën njohim akoma pak sot. Në fakt, dokumentet që unë ekspozova tregojnë pikërisht që çamët pavarësisht ndarjes fetare në të krishterë apo ortodoksë në shekullin e 15-të, të 16-të, të 17-të, të 18-të kanë bashkëjetuar në mënyrë shembullore kanë shkëmbyer, janë martuar, kanë dhënë dhe kanë marrë me njëri-tjetrin, të bindur, sepse i përkasin të njëjtit komb dhe kjo del në mënyrë të qartë”, tha Xhufi. Historiani Beqir Meta u ndal në përpjekjet e shtetit grek për të penguar arsimimin e popullit çam. “Në fakt, gjatë gjithë periudhës shteti grek është përpjekur ta dekurajojë popullsinë çame, që të zhvillojë identitetin e vet, ndërgjegjen e vet kombëtare, arsimin e vet. Ka pasur një ballafaqim të vazhdueshëm me popullsinë çame dhe me shtetin shqiptar, pasi ai u themelua, për të drejtat e çamëve dhe shteti grek është përpjekur t’i mohojë duke përmendur dy argumente: se kjo popullsi gjoja nuk ka një identitet të qartë dhe argumentin e dytë ishte se kjo popullsi në periudhë osmane nuk kishte pasur shkolla. Qeveria greke u përpoq ta frenonte qeverinë shqiptare që të mos e çonte çështjen në kanale ligjore dhe ia arriti qëllimit, duke premtuar një marrëveshje bilaterale me palën shqiptare, të cilën në fund, pasi qeveria shqiptare i zbatoi detyrimet e veta, qeveria greke përsëri nuk e zbatoi”, tha Meta.