Në gardërobën e Teatrit Kombëtar. Aty ku një aromë rrobash të çon larg në vite dhe ku çdo veshje mbart një histori…Koralba, punonjësja prej 20 vitesh e teatrit, na zbulon disa nga sekretet nga historia 60-vjeçare e këtij institucioni
Nga fustani elegant që të tregon histori femrash të dashuruara apo grash të lira të Drita Pelingut, tek fustani i bardhë me fruta i Drita Haxhirajt, rrobdeshambri i Violeta Manushit, kostumi i Ndriçim Xhepajt…dhe veshjet e Kadri Roshit, Roland Trebickës, Agim Qirjaqit…
Koralba të fton të ngjisësh shkallët e veshura me tapet të kuq për të ndaluar në katin e tretë të Teatrit Kombëtar. Përmes një korridori të errët, të cilin ajo e shkel çdo ditë, ndalon bri një dere të drunjtë, të cilën e hap me një çelës që e ka vetëm ajo. Aroma e rrobave ndihet sapo ke hyrë në hapësirën e madhe ku ruhet gardëroba e Teatrit Kombëtar. Në këtë hapësirë, Koralba është në botën e saj, në një botë që të josh me sekretet dhe historitë që mbart çdo fustan, këpucë, këmishë apo rrobdeshamber që varen në dollapët që Koralba i ruan me aq kujdes. Që prej 20 vitesh ajo vjen çdo ditë këtu. Hap dritaren, pastron lehtë pëlhurat dhe prek me ngadalë “krijesat” e saj të çmuara. Historia e një shfaqjeje të teatrit, nuk mbaron me daljen e saj nga skena, ajo vazhdon në një formë tjetër në këtë gardërobë të madhe, ku kjo grua përpiqet të ruajë historinë. Ishte vetëm 24 vjeçe kur iu besua kjo punë. Përveç dëshirës që do të punonte në teatër, Koralba nuk e dinte se kjo punë do t’i kthehej në një pasion që nuk mbaron asnjëherë. Teatri dhe këto rroba janë gjithë jeta e saj. “Isha beqare kur erdha këtu. Atë vit, në teatër u vu në skenë shfaqja ‘Dua burrë’. Si me humor, producenti i shfaqjes më prezantoi me një të afërmin e tij, që u bë dhe bashkëshorti im”, tregon ajo, duke më shpjeguar se gjërat më të rëndësishme në jetë i kanë nisur pikërisht që këtu. Sot ajo ka flokë të shkurtra dhe jeta në këtë institucion nuk ia tregon vitet. Pas kaq vitesh, ajo ka krijuar marrëdhënien e saj me çdo veshje të varur në varëse. “Këtu janë veshjet e dramës ‘Henri VI’”, – thotë ajo, teksa heq një pëlhurë të bardhë të vendosur sipër kostumeve që aktorët i veshën në trilogjinë e njohur të Shekspirit, që erdhi në skenën e teatrit nga Andonis Filipi. Këto veshje kanë qenë dhe në Londër në “Globus Theater” ku aktorët shqiptarë interpretuan gati një vit më parë. Kostumi i Xhek Kejdit, udhëheqësit rebel që tentoi t’i rrëmbente mbretit Henri VI kurorën, që u vesh nga aktori Bujar Asqeriu, ruan të njëjtin shkëlqim si në skenë.. Po kështu dhe manteli i Henri VI, që u interpretua nga Indrit Çobani… Pak më tej, në dollapët prej druri që e tregojnë kohën ndodhet një tjetër histori… Palltot e mëdha të zeza, pantallonat me pensa, apo këmishat e bardha të çojnë gati 30 vjet më parë, në atë kohë kur Koralba nuk ishte këtu. Robert Ndrenika, Agim Qirjako i ndjerë, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, Prokop Mima, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi kanë lënë gjurmë në këto veshje burrash… Pavarësisht viteve, këto pëlhura kanë arritur t’i rezistojnë kohës, falë kujdesit që i është bërë… “Kjo është palltoja e Robert Ndrenikës”, – thotë Koralba, duke tërhequr nga varësja një pallto të zezë, të cilën aktori i njohur i skenës e veshi në shfaqjen e Çehovit, nën regjinë e Hervin Çulit gati shtatë vjet më parë. Një kostum me vija të lehta gri, Koralbës i kujton një tjetër aktor të dashur për teatrin, Ndriçim Xhepën. Këtë kostum pak modern për kohën, aktori e ka veshur në shfaqjen “Pak më afër”, me regji të Kiço Londos më 2006-n. Fustanellat shqiptare të cilat regjisori francez Erik Vinje, i kërkoi kostumografes Anila Zajmi t’i krijonte, pasi u frymëzua nga fotot e Marubit më 1900-n, për t’i vendosur në “Berberi i Seviljes” i Bomarshes e trishtojnë Koralbën. Një nga këto kostume që ajo e nxjerr nga moria e veshjeve të kësaj komedie i takojnë aktorit të njohur që u nda nga jeta vetëm disa muaj më parë, Roland Trebickës. Pas ikjes së tij, ajo e ka pasur të vështirë t’i shohë këto veshje, ashtu siç ndodh me të gjitha veshjet e aktorëve që nuk jetojnë më. Këto gjurmë të mbetura këtu, në “botën e Koralbës” shpesh i sjellin ndjesi të trishta. Nën këtë kostum ku dominon e bardha dhe e zeza, Trebicka solli një interpretim që u vlerësua nga kritika e shtatë vite më parë. Të mësuar ta shihnim në role komike, i veshur nën petkun e një personazhi të shekullit XVIII, Trebicka shfaqi një tjetër dimension të tij prej aktori. Të tilla ndjesi sjellin dhe veshjet e Agim Qirjaqit tek “Nata e dymbëdhjetë”… Një rrobdeshamber me fruta të çon në vitet 1990 kur aktorja e ndjerë Violeta Manushi, një nga ikonat e teatrit (100 role në teatër) e ka veshur në komedinë “Valsi i Titanikut”, e autorit rumun Tudor Musatescu. Veshjet e kësaj komedie, që solli një frymë të re në teatër në fillimet e demokracisë, mbajnë gjurmë dhe të aktorëve të tjerë që kanë interpretuar aty si Roland Trebicka, Roza Anagnosti, Eva Alikaj, Luiza Xhuvani, Ilir Bezhani. Në këtë garderobë ka shumë robdeshamber, ashtu si fustanet.
Dramat klasike kanë gjithnjë personazhe femra që enden në shtëpi të veshur me një robdeshamber të gjatë tepër sensual. Koralba tregon një tjetër robdeshamber të veshur nga aktorja Luiza Xhuvani tek “Cilindri” i De Filipos me regjisor Kastriot Çipin. Historinë e karrierës së Drita Pelingut mund ta shohësh nga veshjet që ajo ka veshur në vite të ndryshme. Nga fustanet elegante të viteve 1946, kur shkeli për herë të parë në teatër vetëm 20 vjeç. Rolet e saj nga veshjet ngjyrë rozë, plot sharm, duket se kanë qenë role vajzash të dashuruara ose grash me një botë të madhe shpirtërore, me shpërthime të fuqishme… Trupi i aktores duket se ka qenë në formë, pavarësisht viteve… Fustanet e saj të zhysin në një teatër që nuk do të mbarojë. Koralba të tregon një fustan të hirtë shtëpie, të cilin ajo e ka veshur tek “Xhaxha Vanja”.
Një mori veshjesh mbajnë role që janë interpretuar nga Luiza Xhuvani. Një fustan i bardhë tepër elegant është veshur nga aktorja te “Pulëbardhat” e Çehovit. Një fustan i gjatë i kuq, me grykë të mbyllur e mëngë të gjata dallon nga larg mes morisë së veshjeve në gardërobën ku është varur. Ky fustan i denjë për çdo mbrëmje mondane të kohës, është veshur nga aktorja Yllka Mujo te “Xhaxha Vanja”. Veshjet e roleve në teatër të aktores së njohur janë të gjitha këtu, që nga “Orët e Kremlinit” te “Luiza Miller” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e Kol Jakovës, “Vizita e inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” apo “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit. Veshjet të çojnë që në ditët e saj të para në teatër, ku fustani i kaltër me pala e mëngë të shkurtra tregon karakterin e një vajze të dashuruar me skenën. Një fustan i zi, që Koralba mban në duar, është i Pavlina Manit që duhet ta ketë veshur në shfaqjen “Kush e solli Doruntinën” më 1989-n.
Thellë në histori
Koralba ka një kënd të dashur në këtë hapësirë të madhe, ku aroma e rrobave të grish më shumë. Mjafton të ndjekësh atë, teksa zbret disa shkallë druri për të ndier se ke zbritur pikërisht në vitet ‘50-‘60. Pas viteve 1956-1965, ku teatri deri në atë kohë që prej krijimit të tij më 1945-n kishte qenë tërësisht nën një repertor me drama të “realizmit socialist” me autorë të vendeve të Lindjes, teatri po ndiente një erë të re. Në radhët e tij u shtuan emra profesionistë, si skenografë, regjisorë, apo aktorë të kualifikuar dhe në skenë po vendoseshin vepra nga dramaturgjia botërore, si “Intrigë e dashuri” e Shilerit me regji të Mihal Luharasit më 1957, “Hamleti” 1960, “Mbi gërmadha” e Fadil Paçramit më 1962, “Mbreti Lir”, Shekspir nën regjinë e Pandi Stillut më 1965, apo “Borgjezi fisnik” i Molierit nën regjinë e Pandi Stillut më 1964. Fustani që Koralba tërheq nga një gardërobë, ku dominon e bardha dhe e kaltra, i përket pikërisht kësaj periudhe. Ajo do të donte të dinte më shumë mbi historitë që mbartin këto veshje kaq interesante, që e kanë bërë për vete që kur i pa për herë të parë… Por pak gjëra ka mësuar gjatë viteve për to. Ato duket sikur do të mbartin gjithmonë me vete të fshehtat e kohës kur janë krijuar, si një rebelim ndaj mungesës së lirisë së atyre viteve. Kjo gardërobë ka fustane të mrekullueshme, që edhe pse mund të jenë dëmtuar lehtë nga koha, të joshin sërish. Fustani i bardhë me fruta me një bel tepër elegant, është i një prej aktoreve më të vjetra të këtij institucioni, Drita Haxhiraj. Ky fustan i dashur për Koralbën është veshur nga Haxhiraj në dramën “Besa”. Një tjetër fustan, po me të njëjtat përmasa, të kujton sërish aktoren me flokët e hedhur mbi supe, teksa luante në “Orët e Kremlinit” në vitin 1961… Fustanet e Drita Agollit, regjisores së parë femër në teatër, Edi Luarasit duhet të jenë diku në këtë gardërobë, të cilën Koralba e di që mbart histori, më të bukura se dantellat që një pjesë e tyre kanë në krahë. Pasi, përveç historisë së personazhit që ato kanë krijuar, është dhe historia e një brezi aktorësh, që dhanë më shumë se shpirtin e tyre për ato role, në një kohë jo të lehtë…
Jeta, 35 vjet rrobaqepëse e teatrit
Jeta Maçi, gruaja me flokët e shkurtër të zinj, është ajo që i jep jetë çdo personazhi që shohim në skenë përmes veshjeve që realizon. Dhe pse shpesh idetë e veshjeve që do të vendosen në skenë janë të kostumografit apo regjisorit, puna e saj është po aq e rëndësishme në realizimin e një shfaqjeje. Dhoma e saj e punës është në katin e parë të teatrit. Teksa hekuros, Jeta të thotë se historia e modelimit në teatër nuk nis me të, por me ato gra të përkushtuara që ajo gjeti këtu 35 vjet më parë. Tepër modeste, plot pasion, ato mundoheshin të realizonin çdo ide artistike, apo çdo tekë të aktorëve. Por Jeta thotë se e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë këtë punë me shumë dashuri, pasi kjo është ajo që ka dashur gjithnjë të bëjë. Në këtë dhomë të vogël, kanë hyrë gjithë aktorët e këtij institucioni ndër vite. Ajo kujton Marie Logorecin, Drita Pelingun, Violeta Manushin… “Zakonisht vjen kostumografi që porosit veshjet, por aktorët janë të dhënë pas veshjeve ashtu si pas roleve, ndaj vijnë për të pyetur gjatë realizimit të tyre”, thotë ajo. Shpesh femrat janë gjithnjë të pakënaqura me punën e rrobaqepëses, por me Jetën ka ndodhur ndryshe. Veshjet e saj gjithnjë janë pëlqyer nga aktorët. “Roza Anagnosti ishte pak më tekanjoze në veshje, kjo ngaqë ishte shumë kërkuese”, thotë ajo. Ndër veshjet e krijuara që ka pëlqyer më shumë ajo kujton një fustan që i ka bërë aktores Yllka Mujo. “Dhe Yllkës i pëlqeu shumë ai fustan”, thotë Jeta. Po kështu një kostum i bardhë që ka qepur për Rajmonda Bulkun i ka mbetur në mendje. Për të, të gjitha veshjet që ka realizuar kanë qenë një punë e bërë me dashuri. Kur i shihte në skenë të veshura me ato, çfarë ajo kishte krijuar, atëherë e ndiente se gjithë ai përkushtim ia kishte vlejtur…