Christian Zindel
Deri para njëzet vitesh, për njerëzit që kishin mërguar në Itali, në Jug të Shqipërisë thuhej se “kishin shkuar në Europë”. Europa përfaqësonte një botë të largët ëndrrash, që për një kohë të gjatë ishte e paarritshme e që njerëzit kujtonin se e njihnin nëpërmjet televizionit italian dhe ndryshe nga Amerika, e cila kishte rrezatim të ngjashëm, por për shkak të largësisë ishte vërtet e paarritshme, kjo botë e re ishte vetëm disa dhjetëra km larg përtej Adriatikut në pritje të guximtarëve. Ardian Klosi ishte një ndër të privilegjuarit, sepse e kishte njohur Europën qysh gjatë studimeve, para vitit 1991. E megjithëse në Europë e prisnin shkallët e karrierës akademike, ai u kthye në Shqipëri. Zgjodhi Shqipërinë, sepse ishte i bindur se duhej të përballej me historinë, si person privat dhe si qenie politike, si pjesëtar i shoqërisë civile dhe si shqiptar. E kjo do të thotë: nga njëra anë të përballej me biografinë e tij si bir i një familjeje të njohur, e nga ana tjetër, edhe si intelektual me përgjegjësinë, të cilën, ishte i gatshëm ta merrte përsipër, falë përvojës së jetuar me Europën. Atmosfera optimiste e vitit 1991 kishte ngjallur shumë shpresa, të cilat u zhgënjyen më pas në vitet e errëta dhe plot sakrifica të mundimshme. Sigurisht, një popull, të cilit i duhet të përjetojë brenda disa muajve një përmbysje totale të të gjitha vlerave, nuk e ka të lehtë. Nisma vetjake, vetëpërgjegjësia, mendësia (ekonomike) “kapitaliste”, gatishmëria për risk, vlera të dënueshme nga regjimi komunist, në sistemin e ri erdhën papritmas me direktivë nga lart. Çfarë më parë kishte qenë e ndaluar tashmë u bë një ndër parakushtet kryesore për mbijetesë. Ardiani u kthye në Shqipëri me vështrimin kritik të “një europiani” dhe u përpoq të shfrytëzonte të drejtat e tij si qytetar i përgjegjshëm i një vendi “demokratik”. Amullia politike pas vitit 1991 duhet të ketë qenë zhgënjim shumë i madh për të. Disa vite më vonë, kur e takova për herë të parë, ai po merrej me ngritjen e shtëpisë botuese, “K&B” dhe përkohësisht e kishte lënë mënjanë politikën. E njoha Ardianin si përkthyes, si ndërlidhës midis letërsisë gjermane, përkatësisht zvicerane dhe letërsisë shqipe. Në shtëpinë botuese të tij u botua në shqip romani i Durrenmatt-it, “Gjykatësi dhe xhelati i tij”, kurse më pas ai u përkujdes si korrektor për përkthimin e librit të Urs Altermatt-it mbi etnonacionalizmin (Etnocionalizmi në Europë, 2000). Përkthente dhe botonte vetëm libra që vërtet i interesonin dhe që ai i konsideronte të rëndësishëm për Shqipërinë. Skrupuloziteti i tij si përkthyes letrar më zinte nganjëherë ngushtë, kur kërkonte t’i shpjegoja dhe t’i përktheja ndonjë shprehje specifike zvicerane të Durrenmatt-it. Librat e botuar prej tij kishin përherë një elegancë të veçantë dhe nga ana estetike. Edicioni i Durrenmatt-it u shoqërua me vizatime të Gëzim Qëndros dhe kishte cilësi thuajse bibliofike. Pas themelimit të shtëpisë botuese ne diskutuam se cilat vepra të letërsisë botërore ishin të rëndësishme për Shqipërinë dhe duheshin përkthyer e botuar në shqip, nëse do të kishte kuptim të përktheheshin në shqip utopitë kryesore dhe sesa e realizueshme ishte. Bëhej fjalë jo vetëm për letërsi artistike, por edhe historike. Disa vjet më vonë, kur botoi librin “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt-t, ai qëlloi në shenjë. Figura e mitizuar tej mase e Heroit Kombëtar vihej në këtë analizë në kontekstin rajonal, çfarë ishte e pazakontë për shqiptarët dhe thuajse sistematikisht ishte lënë mënjanë nga historiografia shqiptare. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se historianët shqiptarë, për një kohë të gjatë nuk kishin pasur mundësi të hynin në arkivat e huaja, e megjithatë ne u çuditëm shumë me reagimet e ashpra dhe irracionale, sidomos të këtyre qarqeve, kundër këtij vështrimi të ri. Por pati edhe specialist të vetëshpallur që, nëpër debate televizive, tryeza diskutimesh dhe artikuj gazetash e demonizonin aq sa e krahasonin me tradhti ndaj atdheut. Madje, edhe në diasporën e Zvicrës u debatua ashpër për këtë libër. E kjo ishte e pazakontë. Çdo fëmijë e njihte figurën heroike të Skënderbeut nga librat shkollorë të kohës së komunizmit (të cilët ishin në përdorim deri afro në kapërcyell të mijëvjeçarit). Në to ishte e instrumentalizuar dhe ishte përshtatur paturpësisht me direktivat ideologjike. Autorë dhe botues luftonin kundër imazheve të dashura, por të pareflektuara, që kishin mbetur te shqiptarët që nga vitet e shkollës. Ndoshta kjo shpjegon dhe ashpërsinë emocionale të debatit. Por Ardiani nuk e kishte pasur kurrë synim që të dekonstruktonte një mit, siç pati bërë Max Frisch-i me librin e tij “Wilhem Tell për shkollë” 1971. Ai kërkonte një përballje të hapur dhe të gjallë me historinë e Shqipërisë, me të kaluarën e vet. Projekti ynë i fundit i përbashkët prekte një temë tjetër, që Ardiani e kishte për zemër: rajonin malor të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1993, ai bashkë me Jutta Beenzenberg-un, pati botuar albumin e famshëm “Mbijetesë shqiptare”, që nëpërmjet fotografish shumë personale bardhezi të Jutta-s, trajtonte jetën tejet të varfër të malësorëve që kishin njohur ata në fillim të viteve ’90. Në vitin 2010, në një album të dytë, ata dokumentuan “tranzicionin” në mbarë Shqipërinë, ku i vunë përballë njëra-tjetrës fotografitë e dy periudhave. Unë me Barbara Hausammann-in kishim shkruar një guidë për ecje malore në Shqipërinë e Veriut, e cila ishte botuar në vitin 2008 në gjermanisht dhe në anglisht. Ishim të një mendjeje se ky libër i duhej adresuar dhe lexuesit shqiptar dhe kur u gjet financimi, ai e përktheu librin brenda disa javësh. (Guidë për ecje malore. Shqipëria e veriut, Thethi dhe Kelmendi, 2010.) Nuk arritëm të realizonim shëtitjen e përbashkët në alpe. Njerëz si Ardian Klosi nuk ndihen mirë në epokën e tyre. Ata nuk janë as për luftë shpatash, as për luftë intrigash. Ata vuajnë nga epokat e tyre, janë bashkëkohës të pakuptuar dhe nganjëherë të vështirë dhe për rrethin e miqve të vet. Vuajnë nga detyrat që i kanë vënë vetes, nga kokëfortësia dhe egoizmi shkurtpamës i një shoqërie të polarizuar dhe letargjike. Nuk turren vrap pas çdo lloj rrymëze që sjell fryma e kohës, por luftojnë hapur për idealet e tyre dhe në mbrojtje të të shpërfillurve. Librin dokumentar për katastrofën e Gërdecit 2008 ose angazhimin e paepur në mbrojtje të mjedisit, Ardiani i shihte si detyrime morale. Ai bëhej zë për viktimat dhe ia doli që ta sillte Shqipërinë pak më pranë Europës. Një gjë është e sigurt: ai ishte shumë më përpara epokës së tij.