Aksidenti


Sot homazhet në Teatrin Kombëtar 


Është ndarë nga jeta në mënyrë aksidentale përkthyesi, poeti dhe gazetari Perikli Jorgoni. Ai u përplas nga një automjet tip “Toyota” natën e së mërkurës pranë mbikalimit të Fllakës në superstradën Tiranë-Durrës. Njeriu i njohur i letrave u identifikua mëngjesin e së enjtes nga familjarët e tij, ndërsa policia arrestoi drejtuesin e mjetit që përplasi Jorgonin këmbësor. Viktima, pasi është kthyer nga Tirana, ka tentuar të kalojë në krahun tjetër të rrugës për të shkuar në këmbë në shtëpinë pranë plazhit, ku qëndronte të shumtën e kohës gjatë viteve të fundit. Aksidenti automobilistik ndodhi rreth orës 21:20 të së mërkurës. 30-vjeçari Ermal Parruca me banim në Tiranë nuk ka mundur të shmangë përplasjen. I njohur si një nga përkthyesit më punëtorë, Jorgoni ka qenë mjaft aktiv në fushën e letrave dhe publikimit edhe gjatë viteve të fundit. Falë kulturës dhe aftësive të tij si shqipërues, ai mundi të sjellë në gjuhën shqipe emra të tillë nga poezia botërore si: Safo, Kavafis,


Gijom Apoliner, Friedrich Horderlin etj. Jorgoni lindi më 15 gusht të vitit 1936. Në Tiranë kreu të gjitha ciklet e edukimit të tij dhe për shumë vite punoi si mësues dhe gazetar. Miqtë dhe të njohurit në Durrës, ku kaloi vitet e fundit të jetës, e vlerësojnë për përkushtimin e theksuar ndaj punës dhe përkthimit cilësor, ndërsa shprehin keqardhje për ikjen e papritur të njeriut të nderuar, që kishte ende shumë për t’u dhënë letrave shqipe. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe familja Jorgoni, organizojnë sot, nga ora 9:30-11:00, homazhet në nderim të tij në hollin e Teatrit Kombëtar, Tiranë. V. Qyrfyçi