Aktori amerikan Ben Jones, i njohur për rolin e mekanikut të dashur Cutter Davenport në serialin e famshëm televiziv “The Dukes of Hazzard”, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Ka qenë bashkëshortja e tij, Alma Viator, ajo që ka bërë të ditur lajmin e trishtë. Ajo tregoi se aktori i njohur pësoi një atak të rëndë në zemër të dielën.
“Humba dashurinë e jetës sime sot. Ben ndërroi jetë nga një atak në zemër”, shkroi Alma Viator në rrjetet sociale, duke shoqëruar postimin me një fotografi të aktorit me qenin e tij.
Sipas bashkëshortes së Ben Jones, ai ndodhej në shtëpi dhe po pushonte në kolltukun e tij të preferuar, ndërsa priste të ndiqte ndeshjen mes Atlanta Braves dhe New York Yankees.
“Ben pati një jetë të mrekullueshme, të pasur dhe të plotë. Do të na mungojë. E doja aq shumë”, vijoi ajo.
Ben Jones u bë i njohur për publikun amerikan falë rolit të Cutter Davenport në “The Dukes of Hazzard”. Ai u shfaq në të shtatë sezonet e serialit, nga viti 1979 deri në vitin 1985.
Seriali, i transmetuar nga CBS, u kthye në një prej prodhimeve televizive më të njohura amerikane të asaj periudhe dhe la një gjurmë të fortë në kulturën popullore.
Përveç “The Dukes of Hazzard”, Jones u shfaq edhe në produksione të tjera filmike dhe televizive, mes tyre “Smokey and the Bandit”, “Moonrunners” dhe “As the World Turns”.
Pas karrierës së tij në aktrim, Ben Jones iu drejtua politikës.
Në vitin 1988, ai kandidoi për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në Distriktin e 4-t të Xhorxhias dhe fitoi zgjedhjet. Ai u rizgjodh në vitin 1990 dhe shërbeu gjithsej për dy mandate në Kongres.
Më vonë, Jones kandidoi pa sukses kundër republikanit Newt Gingrich.
Një prej aktorëve të “The Dukes of Hazzard”, Tom Wopat, i cili interpretoi Luke Duke, ishte ndër të parët që reagoi publikisht pas lajmit për vdekjen e Jones.
“‘The Dukes of Hazzard’ humbën sot një tjetër anëtar të rëndësishëm të kastit. Ben Jones ishte një mik i mrekullueshëm dhe një mbështetës i vendosur i të gjitha më të mirave që ne ofrojmë në argëtim”, shkroi Wopat në “Facebook”.
“Do të na mungojë shumë”, shtoi ai, duke kujtuar edhe aktorin Denver Pyle, i cili luante rolin e xhaxhait Jesse në serial.
“The Dukes of Hazzard” përfundoi në vitin 1985, pas shtatë sezonesh, por seriali vazhdoi të mbetet një pjesë e rëndësishme e kulturës pop amerikane.
Në vitin 2005, historia u rikthye në kinema përmes një versioni të ri si komedi aksioni, ku luajtën Jessica Simpson, Johnny Knoxville dhe Seann William Scott.
Vdekja e Ben Jones shënon një tjetër humbje për kastin e serialit që për dekada mbeti një prej produksioneve më të dashura televizive në Shtetet e Bashkuara.
