Bota e televizionit italian është në zi. Prezantuesja dhe autorja e njohur Enrica Bonaccorti është ndarë nga jeta sot në Romë, në moshën 76-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe një vend të veçantë në zemrat e publikut.

Vetëm pak kohë më parë, ajo kishte zgjedhur të fliste hapur në rrjetet sociale për betejën e saj me tumorin. Bonaccorti vendosi të shpjegonte vetë arsyen e mungesës së saj nga ekrani, ndërsa më pas u rikthye në komunikim me mijëra ndjekës që i dërgonin mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi.

“Kam besim te shkenca,” ishte një nga mesazhet e saj më të forta, duke theksuar se kërkimi shkencor ka bërë përparime të jashtëzakonshme dhe se duhet mbështetur gjithnjë e më shumë.

E lindur në Savona më 19 nëntor 1949, Bonaccorti u shndërrua në një nga figurat më të dashura të ekranit italian. Me elegancë dhe energji të pashtershme, ajo ndërtoi një karrierë të suksesshme në televizion, radio dhe në botën e spektaklit.

Përveç ekranit, ajo ishte edhe shkrimtare. Autore e pesë librave, Bonaccorti shquhej për vëzhgimin e saj të hollë të jetës së përditshme, të cilën shpesh e rrëfente me humor dhe ironi. Në shtëpinë e saj në Romë, pranë Ponte Milvio, ajo vazhdonte të shkruante dhe të ndante histori nga përditshmëria.

Largimi i saj mbyll një kapitull të rëndësishëm për televizionin italian dhe për publikun që e ndoqi dhe e deshi për dekada.