Aktori dhe regjisori i njohur, Enver Petrovci, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që shtrihet përtej kufijve të Kosovës e Shqipërisë, deri në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe më gjerë.

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Që në rini iu përkushtua artit skenik, duke ndjekur fillimisht Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë për aktrim dhe më pas duke përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Karriera e tij teatrale u zhvillua me intensitet dhe sukses të madh, sidomos në teatrin “Atelje 212” në Beograd, ku interpretimet e tij u bënë të njohura në mbarë ish-Jugosllavinë, duke e kthyer në një nga aktorët më të kërkuar të kohës.

Pas vitit 1999, Petrovci u rikthye fuqishëm në skenën artistike të Kosovës dhe Shqipërisë, ku vijoi me sukses aktivitetin e tij si aktor, regjisor dhe pedagog. Ai është një nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në këtë rol, ai ndihmoi në formimin e brezave të rinj të aktorëve që sot përbëjnë shtyllat e teatrit dhe kinemasë në Kosovë.

Përveçse aktor, Petrovci ishte edhe regjisor i suksesshëm. Ka realizuar vepra të rëndësishme teatrore si:

“Idioti” – ku mbajti si regjinë ashtu edhe rolin kryesor;

“Dëshmitari kryesor”, “Kush më ka faj që jam shqiptar”, dhe “Guxim për vrasje” – ku spikati me regjinë dhe interpretimin e tij.

Kontributi i tij në kinematografi është po aq mbresëlënës. Petrovci ka interpretuar në mbi 50 filma, që nga vitet ‘70 deri në dekadën e fundit. Disa prej roleve të tij më të njohura përfshijnë:

“O sa mirë” (2013) si Gazmend Berisha,

“Top je bio vreo” (2011),

“The War Is Over” (2010),

“Gomaret e kufirit” (2009),

“Anatema” (2006),

“Black Flowers” (2003),

“Gorski vijenac” (2000),

“Bolji zivot 2” (1991),

dhe shumë të tjera, ku ai përfaqësoi karaktere të forta, të përkushtuara dhe shpesh dramatike.

Vdekja e Enver Petrovcit shënon një humbje të madhe për artin shqiptar dhe për gjithë hapësirën kulturore ballkanike. Në kujtesën e publikut, Petrovci do të jetojë përmes roleve të tij të paharrueshme, zërit të tij të veçantë, dhe pasionit të pashtershëm për skenën dhe ekran.