Për herë të parë ekspozohen në sallën e Muzeut Historik Kombëtar punët dhe projektet e realizuara në arkitekturë të një prej figurave më të njohura në pikturën shqiptare, Kol Idromeno



Në atelienë e tij në një lagje të Shkodrës, bri bojërave me të cilat u jepte jetë pikturave, ndodheshin dhe lapsat e mprehur me kujdes ku me orë të tëra Kol Idromeno skiconte në letër, pamjet që sot shohim në një pjesë të mirë të këtij qyteti. Gati 100 objekte të Shkodrës sot, janë skicuar nga Kol Idromeno. Arkitektura që gjithnjë ka lënë gjurmë në kujtesën e të huajve që e kanë vizituar qytetin, ka qenë ideuar nga Idromeno. Idromeno05Të mësuar ta lidhim emrin e Kol Idromenos, me pikturën, si krijuesi i një prej tablove më të bukura në historinë e pikturës shqiptare “Motrat tona”, e krahasuar me Monalizën shqiptare, pakkush ka folur për kontributin e jashtëzakonshëm që ky artist ka dhënë në arkitekturë. Vite më parë (në vitet 1965-1970) nipi i tij, do t’i mblidhte me kujdes të gjitha skicat që mjeshtri i kishte lënë në studion e tij pas vdekjes, dhe ashtu të bashkuara do t’ia dhuronte arkivit të shtetit, ku për vite me radhë do të ruheshin nën emrin “Idromeno”. Skënder Luzati, inxhinier dhe arkitekt do të njihej me ekzistencën e këtij fondi, gjatë një takimi që pati me të nipin, i cili i tregoi për këtë pasuri të gjallë të lënë nga axha. Pasi i vizitoi në arkiv, Luzati pa se struktura e tyre ishte tabloja e gjallë e qytetit sot. Sot këto skica dhe projekte mund t’i shohim të ekspozuara në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, në një ekspozitë e cila u hap dje nën kujdesin e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e planifikimit të Territorit e Turizmit dhe Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë është një mënyrë për të na treguar Kolën e panjohur, apo inxhinier Kolën siç njihej mjeshtri në qytet. Skicat që mbajnë firmën e Idromenos kanë nisur të realizohen që prej vitit 1903. Kafja e Madhe është vepër e tij! Xhamia e re e Paruces gjithashtu. Sipas Luzatit, Idromeno ka projektuar mbi 100 objekte në Shkodër deri në fund të jetës së tij, në vitin 1939. 25 fotografive mbi punët e Idromenos, Luzati i ka bashkuar në ekspozitë edhe 50 skica të tijat, të realizuara që nga vitet ’70, frymëzuar pikërisht nga arkitektura e mjeshtrit shkodran. Luzati na tregon zbukurimet në tavanin e Kishës së Madhe, të realizuar me aq kujdes nga mjeshtri. Ai i punonte deri në hollësi zbukurimet. Mes skicave të ekspozuara është dhe ajo e shtëpisë ku Idromeno jetoi, apo e banesave të emrave të njohur të atyre viteve. Xhamia e Parrucës është realizuar prej tij, zona e Pedonales që sot mban emrin e tij. Mjeshtri është treguar i kujdesshëm që ndërtesat e realizuara të ishin në sinkron me njëra-tjetrën duke e bërë tërheqëse rrugën ku ato përkonin. Idromeno ka filluar të punojë më 1880 dhe deri më 1940, kur ai ka ndërruar jetë. Është një punë kolosale e shtrirë në 6 dekada. Kol Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër. Ai ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri, 1919. Sot Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rroten. Studiuesit ia dedikojnë karrierën e tij mjeshtrit të fotografisë shqiptare, Pietro Marubit, i cili zbuloi qysh herët talentin te djaloshi që rrinte me orë të tëra në studion e tij, dhe e shihte si ngjizte fotografinë. Ishte Marubi ai që i kërkoi të atit ta çonte me studime jashtë. Në moshën 15-vjeçare ai niset me studime në Venecia për pikturë, duke u njohur me veprat e rilindësve si Civeli, Montegnas, Gentili etj., ku vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Në 2 shkurt 1883 ai realizon portretin e motrës së tij “Motra Tone”, e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë, është vlerësuar si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare i Rilindjes tonë. Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dëlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare. Por arkitektura mbeti një tjetër pasion i tij i madh, i cili është reflektuar në formën që ka sot qyteti i tij i lindjes. Gjatë sulmit të Shkodrës nga malazezët ka bërë disa ndërtime në qendër që i dhanë një fizionomi të ré qytetit.