Artisti Leonardo Voci kundërshton në mënyrë kategorike nxjerrjen e veprës së Paskalit nga Muzeu Historik Kombëtar, për ta vendosur në lulishten pranë Kuvendit. Sipas tij, zgjidhja do të ishte riprodhimi, ndërkohë që Floriana Paskali, trashëgimtarja e skulptorit, kërkon që në këtë rast të veprojnë specialistët


E bija e skulptorit: Konkursi nuk duhet të ishte bërë 


Oliverta Lila


Floriana Paskali, e bija dhe trashëgimtarja e skulptorit Odhise Paskali, mendon se konkursi i çelur për realizimin e monumentit të Ismail Qemalit në këtë 100-vjetor të Pavarësisë ishte i panevojshëm. Sipas saj, specialistët e fushës duhet të kishin menduar që në fillim një riprodhim mbi statujën që Odise Paskali kishte realizuar për Ismail Qemalin, duke ia përshtatur ambientit ku do të vendosej. “Ishte gabim që nga Galeria Kombëtare e Arteve u bë ky konkurs kombëtar, duke ditur që kjo vepër është realizuar më parë nga Paskali dhe steka e tij qëndron shumë lart. Specialistët duhet ta kishin gjykuar që më parë nëse me forcat që kemi, do të dilte nga ky konkurs një punë më e arrirë se e Paskalit, e cila prej 30 vjetësh i qëndron kohës. Kjo gjë çoi në dështimin e këtij konkursi, i cili ka një kosto të lartë e që do të thotë një dëm, që i është bërë buxhetit të shtetit”, shprehet e bija e skulptorit. Ajo e sheh si pozitiv faktin që Komiteti Shtetëror për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë zgjodhi veprën e Paskalit, por ka rezerva për sa i përket faktit të zhvendosjes së veprës së tij nga Muzeu Historik Kombëtar dhe vendosjen në lulishten pranë Kuvendit. “Komiteti Shtetëror, duke e parë situatën në mënyrë të ftohtë dha vendim të drejtë që të vendoset vepra e Paskalit shtatore për sheshin në 100-vjetorin e Pavarësisë. Për sa i përket faktit nëse në lulishte duhet të vendoset statuja që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, a përshtatet dhe a do ta kishte ndërmarrë Paskali një veprim të tillë, kjo nuk është detyra ime si trashëgimtare, por detyra e specialistëve të merren me detajet profesionale”, thekson Floriana. Duke iu referuar edhe më parë eksperiencës së veprave të Paskalit me Galerinë Kombëtare të Arteve, në këtë rast ajo kujton se ishte ky institucion që në vitin 1998, hoqi bustin e Skënderbeut të skulptorit, të cilin e bija e konsideron si një nga dy shtyllat e këtij institucioni, së bashku me tablonë “Motra Tone”. “Tashmë bëhet edhe ky konkurs që shkoi në dështim. E gjithë kjo situatë tregon jo profesionalizëm”, shprehet Paskali. Trashëgimtarja e skulptorit të njohur thotë se do të vëzhgojë me vëmendje vendimet dhe hapat që do të merren, e më pas do të dalë me një reagim të sajin.



Debati


Pas vendimit të Komitetit Shtetëror për Festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, që statuja e Paskalit, që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, të vendoset në lulishten pranë Kuvendit dhe në vend të saj të vendoset varianti i shpallur fitues i Veli Blakçorit, ka ngjallur një sërë reagimesh mes artistëve. Disa e kundërshtojnë në mënyrë kategorike e të tjerë mendojnë se mund të ketë përshtatje. Artisti Leonardo Voci, i cili pak kohë më parë ka botuar edhe librin me studime “Odhise Paskali; themeluesi i skulpturës shqiptare“, është kategorikisht kundër zhvendosjes së statujës së Ismail Qemalit të Paskalit nga Muzeu Historik Kombëtar, për t’u vendosur në lulishten pranë Kuvendit, aty ku ishte parashikuar vepra që do të dilte fituese nga konkursi i hapur me këtë rast. “Ne jemi para një kaosi total dhe kjo është një zgjidhje ‘alla shqiptare’. Kjo vepër, kur është bërë dhe konceptuar, është menduar ekzaktësisht për një ambient të mbyllur dhe specifikisht për Muzeun Historik Kombëtar. E gjithë salla, që quhet e Pavarësisë, është konceptuar që në fillim që do të kishte Ismail Qemalin në krye. Nëse do të zbatohet ideja që është hedhur, i bie që, me largimin e veprës, salla të rikonceptohet sërish, por kjo ka një kosto të lartë. Ideja e zëvendësimit të veprës së Paskalit me monumentin që do të realizohet sipas bocetit të Veli Blakçorit më duket diletante”, shprehet Voci. Sipas tij, në çeljen e konkursit nga Galeria Kombëtare e Arteve thuhet qartë që do të jetë një vepër për ambient të hapur. “Nëse do të ndodhë ajo që flitet, sepse ende jemi në një konfuzion të plotë, i bie që kjo vepër, që është konceptuar për jashtë, të zvogëlohet për t’u futur në Muzeun Kombëtar dhe vepra e Paskalit që do të nxirret jashtë të rritet në përmasa. Këto realitete e bëjnë çështjen kaotike”, thekson Voci. Sipas tij, është rasti i parë që një vepër që ndodhet brenda të nxirret në ambient të jashtëm. “Në asnjë vend të botës nuk ndodh një gjë e tillë. Njohim rastin e Mikelanxhelos, ku shtatorja e Davidit, për arsye të ruajtjes u fut në ambient të mbyllur, por jo e kundërta”. Sipas tij, do të ishte shumë më normale që të riprodhohej një tjetër Ismail Qemali sipas statujës së realizuar nga Odhise Paskali. Për këtë ai i referohet monumentit të Skënderbeut, të realizuar po nga Paskali, i cili është riprodhuar disa herë për t’u vendosur në sheshe të ndryshme. Sipas Vocit, as konkursi nuk duhet të ishte realizuar, duke qenë se tashmë ishte kjo figurë e Ismail Qemalit dhe mund të ishte riprodhuar me kosto shumë më të ulëta se konkursi. “Ismail Qemali ishte një person, ka të njëjtat tipare dhe nëse një konkurs ka marrë përsipër të nxjerrë një skulpturë realiste, atëherë prurjet duhet ta tejkalonin këtë vepër të Paskalit. Për sa i përket variantit fitues të Veli Blakçorit, ai në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në Muzeun Historik Kombëtar, sepse është konceptuar për një ambient të hapur. Qeveria shqiptare mund t’ia bëjë dhuratë Kosovës, ta lerë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ose ta vendosë në ndonjë qytet tjetër. Ka disa zgjidhje. Specialistët e fushës duhet ta korrigjojnë këtë gabim që është bërë, i cili nuk është qeveritar, por i artistëve shqiptarë, të cilët nuk shprehen qartazi dhe prerazi”, thekson Voci. Sipas tij, të gjitha bocetet, që janë propozuar këto kohë, kanë qenë kopje të këqija të portretit që ka realizuar Odhise Paskali e që të nesërmen mund të përballen edhe me ligjin për plagjiaturë. Në rast se do të bëhet zgjidhja e riprodhimit të veprës së Paskalit, atëherë shteti duhet të paguajë një shumë edhe për të drejtën e autorit. Voci mendon që kjo do të kishte qenë zgjidhja më e mirë dhe më pak e kushtueshmja. Nga ana tjetër, ai flet për një goditje të qëllimshme të veprave të Odhise Paskalit. “Kështu lëvizi ‘Skënderbeu’, nga qendra e Burrelit që ishte e Paskalit, kështu lëvizi disa herë ‘Luftëtari Kombëtar’ në Korçë, “Skënderbeu” u hoq nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe nuk dihet ku është, u largua “De Rada”, që pas 13 vjetësh ndodhet në bodrumet e Bashkisë e nuk dihet se ku do vihet. Këto veprime i përmbyll edhe lëvizja e statujës së Ismail Qemalit nga Muzeu Kombëtar për në lulishte. Këto mendime të këqija nuk duhet të ekzistojnë më”, thotë Voci. Sipas tij, e vetmja zgjidhje duhet të mbetet riprodhimi.


 


Statuja – Statuja që Odhise Paskali realizoi në vitin 1981 për Ismail Qemalin është e lartë 2.5 metra dhe është vendosur në pavijonin e Pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar


Vendimi – Komiteti Shtetëror për Festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë vendosi që statuja e Paskalit, që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, të vendoset në lulishten pranë Kuvendit dhe në vend të saj të vendoset varianti i shpallur fitues i Veli Blakçorit


Trashëgimtarja – Floriana Paskali e sheh si pozitiv faktin që Komiteti Shtetëror për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë zgjodhi veprën e Paskalit, por ka rezerva për sa i përket faktit të zhvendosjes së veprës së tij nga Muzeu Historik Kombëtar dhe vendosjen në lulishten pranë Kuvendit