Libri i romancës së dy heronjve të “It Ends With Us” nga amerikania Hoover është një vazhdim i historisë pikërisht aty ku ngjarjet ndaluan tek libri paraardhës. Si një kërkesë nga lexuesit e saj besnikë, “It Starts With Us” tregon çfarë ndodh me Lily dhe Atlas, a ka një fund të lumtur apo jo?
“It Starts With Us” tregon historinë nga këndvështrimi i dy protagonistëve Lily Bloom dhe Atlas Corrigan. Pas divorcit nga Ryle, babai i vajzës së saj (Emerson), Lily përpiqet të gjejë një ekuilibër mes të qenit nënë, ish-bashkëshorte dhe një gruaje që ka ende ëndrra dhe ndjenja. Takimi rastësor me dashurinë e saj të parë, Atlas-in, hap derën e një shprese të re.
Atlas, tashmë një shef kuzhine i suksesshëm, pronar i dy restoranteve në Boston, nga ana tjetër nuk e ka harruar kurrë lidhjen e pastër dhe të sinqertë me Lily. Ai ende e do, por është i kujdesshëm që të mos e shtyjë, duke respektuar hapësirën e saj dhe prioritetin që Lily i jep vajzës. Ndërkohë, tensioni me Ryle mbetet i fortë, pasi ai përpiqet të ruajë kontrollin mbi Lilyn dhe vajzën dhe nuk pranon lehtësisht praninë e Atlas-it në jetën e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tyre. Kjo për dy arsye të forta, që kush ka lexuar “It Ends With Us” ose parë filmin, i kupton.
Libri eksploron jo vetëm romancën e dytë mes Lily dhe Atlasit, por edhe plagët e së kaluarës, veçanërisht marrëdhënien abuzive me Ryle dhe si kjo ka lënë gjurmë. Përmes dialogjeve të ngrohtë, kujtimeve të dhimbshme dhe momenteve të thjeshta familjare, Colleen Hoover tregon fuqinë e një dashurie të shëndetshme dhe transformuese.
A do të vendosin Lily dhe Atlas ta ndërtojnë jetën bashkë, duke ecur përpara me kujdes, respekt dhe dashuri të ndërsjellë? Mesazhi i librit është i qartë: pavarësisht plagëve të së kaluarës, është gjithmonë e mundur të nisësh sërish nga e para — me dikë që të do pa kushte dhe që të respekton.
“It Starts With Us” – për romantikët e pandreqshëm që mbi të gjitha besojnë tek dashuria dhe fundet e lumtura!
Ka libra që të duken si plagë. Të hapin kujtime, të japin dhimbje, të shkundin. Dhe ka libra që të shfaqen si shërim, si një dorë e butë mbi plagë. “It Ends With Us” ishte dhimbja, rrëqethja, lotët e mbytura. “It Starts With Us” është frymëmarrja pas stuhisë, është buzëqeshja që vjen e ngadaltë pas një nate të gjatë. Colleen Hoover nuk shkroi vetëm një vazhdim, por një premtim: se edhe pas errësirës, ekziston një dritë që të pret.
Në qendër është sërish Lily. E lodhur, e thyer, por jo e mposhtur. Ajo tashmë nuk është vajza që shpresonte se dashuria do ta shpëtonte, as gruaja që mendonte se mund të mbyllte sytë para dhunës. Ajo është nënë, një nënë që ka kuptuar se dashuria e shëndetshme nuk është luks, por oksigjen. Tek Emerson, e bija, ajo sheh një arsye për të jetuar ndryshe. Dhe vendos: cikli i dhunës mbaron me mua. Nuk do të kalojë tek fëmija. Këtu është revolucioni i vërtetë i Hoover-it: jo tek puthjet me Atlasin, por tek zgjedhja e heshtur për të mos përsëritur gabimin e prindërve.
Atlas shfaqet si kujtesë e një dashurie të hershme, një djalë i humbur dikur në rrugë, që tani është kthyer burrë me përgjegjësi. Nuk është princ, nuk është shpëtimtar. Ai nuk vjen me shpatë e me flamur, por me durim. Me pyetje të buta. Me praninë e dikujt që nuk kërkon të kontrollojë, por të ecë krah për krah. Në kontrast me Ryle, i cili shpërthen, Atlas është heshtje. Në kontrast me dhunën, ai është qetësi. Dhe lexuesi kupton: dashuria e shëndetshme nuk është dramatike, nuk ka nevojë për shpërthime, apo veprime madhështore – ajo është e thjeshtë, e qetë, e vazhdueshme, ekziston tek gjërat e vogla të pabërtitura.
Sidoqoftë, Ryle nuk zhduket. Për dy protagonistët është hija që s’të lë të ecësh lirshëm. Hoover nuk e shënon me të zezë si “të keqin” klasik, por si kujtesë të realitetit: abuzuesi shpesh mbetet aty, sepse është baba, sepse është pjesë e pandashme e historisë. Dhe kjo është sfida e madhe e Lily-t – të jetojë me praninë e dikujt që e ka lënduar, pa e lejuar të marrë kontrollin përsëri. Të vërtetat e vështira nuk fshihen, por menaxhohen me kufij të fortë. Sidoqoftë autorja i ka dhënë dinjitet edhe personazhit ‘të keq’ duke u munduar të japë një version më njerëzor dhe të besueshëm, të një njeriu që traumat nuk e lënë të shërohet po aq sa mohimi që ai dhe njerëzit përreth bëjnë – deri në momentin që janë pikërisht këta të fundit që vendosin të ‘ndërhyjnë’.
“It Starts With Us” nuk është thjesht histori dashurie. Është një himn për fillimet e reja. Është mënyra e Hoover-it për të thënë: “Nuk mbaron këtu, jeta vazhdon, dhe ti ke të drejtë të jesh e lumtur.” Pesha e titullit është e dukshme – çdo fillim i madh fillon nga ne vetë. Nuk është Atlas ai që e shpëton Lily-n, as Emerson. Është zgjedhja e saj për t’i thënë vetes: “Mjaft.”
Stili i Hoover-it është i thjeshtë, pa zbukurime, gati gati banal. Por gjuha e kuptueshme dhe e përditshme e bën këtë lexim të shijueshëm në shezllonin e pushimeve… Dashuria e shëndetshme nuk ka nevojë të bërtasë; ajo flet me gjuhën e qetësisë. Lexuesi gjen veten tek bisedat e përditshme, tek momentet e vogla – një darkë e thjeshtë, një shëtitje, një buzëqeshje e Emersonit. Sepse aty ndërtohet shërimi: në rutinën e përditshme që kthehet normalitet.
Në fund, libri është më i butë se i pari, më pak i tensionuar, më shumë i ngrohtë. Nëse i pari ishte ‘i dobët’ sipas kritikëve (të shumtë të Hoover) ky është edhe më – por lexuesit nuk janë dakord. Ata mendojnë se qasja pozitive, disi limonatë e autores, ishte e qëllimshme. Pas një stuhie, nuk ka nevojë për një tjetër furtunë. Ka nevojë për qetësi. Dhe Hoover këtë ofroi: jo një dramë të re, por një shpresë të re.
“It Starts With Us” është një kujtesë universale: dhuna nuk është fundi, dhe dashuria nuk duhet të lëndojë. Për shumë lexues, është një dorë e zgjatur që thotë: “Nuk je vetëm. Mund të fillosh përsëri.”
Sepse çdo fund është fillimi i diçkaje tjetër, diçkaje që me mësimet e duhura nga e shkuara, do të jetë patjetër më e mirë se ajo që le pas.