Emilio Fede, gazetari dhe drejtori i njohur televiziv italian, ka ndërruar jetë ditën e martë në moshën 94-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar vajza e tij, Sveva, për gazetën Corriere della Sera.
Prej kohësh, Fede ishte i shtruar në qendrën e kujdesit San Felice në Segrate, pranë Milanos, ku gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Fede filloi karrierën në vitet ’60 në RAI si gazetar lufte, më pas u bë drejtori i edicionit informativ TG1. Në vitet ’90 iu bashkua grupit mediatik Fininvest, ku Silvio Berlusconi e vendosi në krye të TG4. Nga viti 1992 deri në 2012, edicioni informativ që drejtonte u bë zëri më i hapur pro-Berlusconit në televizionin italian. Me stilin e tij të komentimit emocional dhe editorialet dramatike, Fede u bë një figurë e pazëvendësueshme e ekranit italian.
“Jam drejtori më i kritikuar, por edhe më i ndjekuri,” shprehej ai shpesh. Karriera e tij pësoi një ndërprerje të menjëhershme në vitin 2012, pas përfshirjes në çështjen e njohur si “Ruby”, duke e larguar nga Mediaset.
Jeta e tij personale ishte gjithashtu pjesë e historisë së tij. Ai u martua me gazetaren dhe më pas deputeten e Forza Italia, Diana De Feo, në vitin 1963. Ata qëndruan bashkë për gati gjashtë dekada deri në ndarjen e saj nga jeta në qershor të vitit 2021, një humbje që Fede e përshkroi si “dhimbjen më të madhe” të jetës së tij.
Dy javë më parë, Italia humbi edhe një tjetër ikonë të ekranit, prezantuesin e njohur Pippo Baudo, duke shënuar një periudhë të trishtë për televizionin italian.