Ka një moment në historinë e kinemasë kur çdo mit i madh lodhet nga vetja. Dinosaurët, ata kolosë që në vitin 1993 nën duart e Steven Spielberg na bënë të dridheshim nëpër kinema sikur ishim vetë në xhunglën e Isla Nublar, sot nuk ngjallin më frikë, por diçka midis përgjumjes dhe përçmimit. “Jurassic World Rebirth” pritej këtë vit me një farë kureshtjeje më shumë se kërshërie, me premtimin e rikthimit triumfal të sagës, mbasi e sheh kupton se është më shumë një ekspozitë lodrash CGI ku as vetë Scarlett Johansson dhe Mahershala Ali nuk arrijnë ta shpëtojnë nga monotonia e një formule që ka humbur çdo shkëlqim.
Në vend që të ringjallë emocionin, filmi është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar boshllëkun me yje hollywoodianë dhe me efekte speciale që kanë të njëjtën forcë dramatike sa një screensaver i Windows-it. Nuk është çudi që askujt nuk i intereson më: dinosaurët janë bërë si kushërinjtë e mërzitshëm që çdo vit ftohen në darkën e Krishtlindjes – i di historitë e tyre përmendësh, por gjithsesi duhet të rrish në tavolinë t’i dëgjosh përsëri dhe të qeshësh me pahir.

Kur Spielberg solli Jurassic Park në fillim të viteve ’90, ideja e një T-Rex-i që shfaqej mes shiut, i shoqëruar nga bubullima dhe nga himni i kompozitorit John Williams, ishte një ëmbëlsirë për sytë e veshët. Sot, në “Rebirth”, T-Rex-i del në skenë si një figurant i lodhur që mezi pret të kthehet në kafazin e vet digjital. Në vend të frikës, ti mendon: “Prapë ky?”.
Çfarë ndodhi ndërkohë? Skenari ka kthyer dinosaurët në personazhe rutinorë, që nuk kanë më as tmerrin zoologjik, as mistikën e së shkuarës. Në “Jurassic World” (2015) u provua të ringjallej ndjenja e mrekullisë, por gjithçka u zëvendësua me një ekzagjerim spektakolar: parqe gjigante, qindra turistë, dhe një monster hibride që dukej sikur kishte dalë nga një laborator marketingu, jo si ‘kujtesë e natyrës’. Tek “Rebirth”, përpjekja është edhe më e guximshme: ndërkaq edhe pse titullohet “rilindja përfundon si funeral i shurdhët.

Scarlett Johansson dhe Mahershala Ali i bashkohen yjeve të dashur të kinemasë që kanë qënë protagonistë të sagës ndër vite, si dy gladiatorë të thirrur për të shpëtuar arenën nga boshllëku. Johansson, me të njëjtën seriozitet të një reklamë parfumi, mundohet të japë intensitet, por si mund të garojë aktorja me një skenar ku e vetmja frazë dramatike është: “Duhet t’i ndalim para se të jetë tepër vonë”? Mahershala Ali, me gjithë gravitetin e tij si aktor fitues i Oscar-it, është reduktuar në një version hi-tech të Jeff Goldblum-it – një profet i paguar me honorar të lartë që i flet kamerës për moralin e shkencës.
E megjithatë, talenti i tyre është si të hedhësh mjaltë mbi kos të thartuar: nuk e ndryshon shijen. Nëse tek “Jurassic Park” debutues aktorët ndihmonin në përshkallëzimin e frikës apo mrekullimit (kujtoni dridhjen e dorës së Sam Neill kur shihte brontosaurin), këtu edhe vetë aktorët duken si spektatorë të lodhur që kanë paguar biletë për një shfaqje ku skena kryesore është e aq e lodhur sa as nuk përpiqen më.

Nëse “rebirth” do të kishte kuptim, filmi duhej të rigjente arsyen pse dinosaurët ishin kaq mahnitës në fillim: misteri i së panjohurës, çudia e shkencës që kapërcen kufijtë, frika se natyra nuk mund të kontrollohet. Në fakt kemi një franchise që ngjan si një smartphone i vjetër që vazhdon të dalë në modele të reja: më i madh, më i shndritshëm, por me të njëjtën bateri që s’mbahet më gjatë se disa orë.
Dinosaurët e Rebirth nuk janë më bishat që thyenin rregullat e natyrës, por qenie që duken sikur dalin nga një pikturë dixhitale me filtra Instagram-i. Kjo nuk është rilindje, është makijazh mbi kufomë.
Në këto 3o vite, 5 filmat e Jurassic u shndërruan nga një mit që dikur i mësoi fëmijët e viteve ’90 çfarë do të thoshte të frikësoheshe me madhështi, dhe dinosarët e zhdukur prej miliona viteve në subjekt interesi për vite më rradhë, në një spektakël të flashkët, ku fëmijët e sotëm mërziten dhe kthejnë kokën nga TikTok-u.