Ekspedita
Itinerari historik nëpër Shqipëri që poeti anglez Lord Bajroni përshkoi në vitin 1809, së bashku me mikun e tij J.C.Hobhouse prej tre vjetësh është kthyer në një paketë turistike të pagëzuar “Karvani në gjurmët e Bajronit”. Turistë nga Britania, Kanadaja dhe Australia janë më të interesuarit për të. Për këtë sezon, kjo ekspeditë ka nisur disa ditë më parë në zonën Glinë – Peshkëpi në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Ndalesa e parë e karvanit ka qenë teqeja e vjetër bektashiane që ngrihet në rrënojat e qytetit antik të Melanit. Udhëtari Domeniko Mochi thotë se reshjet e shiut të datave 4 dhe 5 qershor nuk e ndërprenë udhëtimin e tyre. “Pasditen e datës 5 qershor kur shiu rreshti, grupi ynë mbërriti në tokën e lashtë të Antigonesë, ku pasi ngritëm çadrat dhe ushqyem kuajt, vizituam rrënojat e këtij qyteti antik që ndonëse ka lindur si produkt i dashurisë dhe është shkatërruar si produkt i urrejtjes, monumentet e tij dëshmojnë më së miri për fisnikërinë, trimërinë dhe kulturën e lashtë të shqiptarëve, virtyte për të cilat shkroi me aq dashuri Lord Bajroni”, thotë Domeniko Mochi. Ndërsa gazetarja britanike Minty Clinch, pjesëtare e karvanit, ka marrë përsipër misionin për të mbajtur ditarin e këtij udhëtimi dhe për të shkruar sipas saj një reportazh për gazetën e njohur britanike “The Daily Telegraph”. “Gjatë këtij udhëtimi të mrekullueshëm më ngjan vetja si zoti Hobhouse, shoqëruesi dhe miku i ngushtë i Lord Bajronit, i cili mbante ditarin e udhëtimeve që ata, të ndihmuar edhe nga Ali Pashë Tepelena, ndërmorën nëpër zonat malore të Shqipërisë Jugore në vitin 1809 nga Janina në Tepelenë”, thekson Clinch. Grupi i turistëve ka kaluar një natë të paharruar pranë burimeve dhe nën lisat shekullorë të Antigonesë. Koordinatorja shqiptare e këtij udhëtimi, Kela Qendro, thotë se ky është viti i tretë që organizohet ky tur turistik. Kësaj iniciative i ka paraprirë fillimisht xhirimi i dokumentarit të suksesshëm mbi udhëtimin e poetit anglez, Lordit Bajron në viset shqiptare të prodhuar nga televizioni britanik “Channel Four”, me protagonist aktorin e njohur të Holliwood-it, Rupert Everet. “Ideja e një itinerari historiko-turistik në gjurmët e Lordit Bajron dhe të atyre figurave historike që e ndoqën atë në këtë udhëtim i përket zotit Auron Tare, i cili edhe gjatë këtij turi është pjesë e kësaj ekspedite kalorësiake nëpër Luginën e Drinosit dhe Vjosës”, thotë koordinatorja. Grupi turistik i përbërë nga kalorës profesionistë dhe amatorë do të udhëtojë në të gjithë gjatësinë e vargmalit dhe gjerdanin e fshatrave të Lunxhërisë dhe do të kalojë më pas në zonën e Zagorisë, për ta mbyllur udhëtimin në kështjellën e Tepelenës, ku ndali udhëtimin e tij Bajroni në vitin 1809. Në vitet e ardhshme, paketa do të ketë edhe elementë të tjerë të traditës si gara me kuaj, isopolifoni, konkurse me interpretime të Lord Bajronit dhe të udhëtarëve të tjerë. Engjëll Serjani