Kinematografia shqiptare është në zi pasi ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Faruk Berisha, një prej profesionistëve të përkushtuar të kinematografisë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Faruk Basha dha një kontribut të çmuar në realizimin e filmave shqiptarë, duke u shquar për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin ndaj artit të imazhit.

“Në kujtim të mjeshtrit të kamerës Faruk Basha 🎥 Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të operatorit të filmit Faruk Basha, një prej profesionistëve të përkushtuar të kinematografisë shqiptare”, njofton Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit.

Ai ishte ndër pionierët që zhvilluan dhe përsosën teknikat e efekteve speciale në kinemanë shqiptare, duke sjellë zgjidhje krijuese e teknike që pasuruan gjuhën filmike të kohës dhe mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së kinematografisë shqiptare.

Përtej kontributit të tij si operator dhe krijues, Faruk Basha iu përkushtua për shumë vite edhe edukimit të brezave të rinj të kineastëve, duke ndarë dijen, përvojën dhe pasionin e tij me studentët e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Me përkushtimin e tij si pedagog, ai ndikoi në formimin profesional dhe artistik të shumë të rinjve që sot vijojnë rrugëtimin e tyre në kinematografi.

“Vepra dhe përkushtimi i tij do të kujtohen me respekt nga kolegët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Faruk Bashës. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kinematografike. U prehtë në paqe!“, vijon më tej Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit.

Top Channel