Ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare aktori i njohur shqiptar, Xhevat Qorraj.

Lajmi është bërë i ditur përmes rrjeteve sociale nga Betim Qorraj me anë të një postimi të shpërndarë në Facebook.

“I përjetshën qoftë kujtimi për ju! Lamtumirë Xhevat Qorrja”, thuhet në postim.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e njeriut tonë të çmuar, aktorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës e artistit të njohur, Xhevat Qorraj. Rolet e tij në teatër dhe film do mbahen mend gjatë dhe do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e artit për shumë gjenerata” – thuhet në njoftim.

Xhevati ka lindur në vitin 1947 në fshatin Carrabreg të Deçanit. Ai është i njohur më shumë për filmat: “3 dritare dhe një varje”, “Eternally Child” dhe “Memory”.

I njëjti së fundmi ka marrë pjesë edhe në serialin “Rrushe”, në rolin e Farukut.

Qorraj vlen të ceket se i takon gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë. Ai gjithashtu nga viti 1972 është punësuar si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dikur Teatri Popullor Krahinor, gjersa ka të realizuara 60 role në kinematografi dhe teatër.