Gjirokastër


Engjëll Serjani


1. Dy pemë monument, dy histori të ndryshme.


Kokoarra dhe Rrapi i Pleqve janë të vetmet pemë me emër në Gjirokastër. Të dyja pemët janë vërsnike, në të njëjtën moshë, janë plot 100-vjeçare, mandej të dyja janë shpallur “monument natyre”. Por historitë e tyre janë krejt të ndryshme. Rrapi i Pleqve lëshon hijen e tij të rëndë në qendër të qytetit të vjetër, shumë pranë Qafës së Pazarit. Nën hijen e tij qëndrojnë ditë për ditë prej 100 vjetësh mençuria e qytetit, të moshuarit e tij. Ata nuk e shijojnë kafen në asnjë vend tjetër të qytetit dhe të botës. Pavarësisht nga mosha e kësaj peme simbol dhe mosha e frekuentuesve të hijes së Rrapit të Pleqve, kjo pemë duket si pema më me fat e qytetit, sepse të gjithë turistët dhe vizitorët e huaj nuk harrojnë kurrë pa marrë një foto nga rrapi i moçëm, degët e të cilit hapen lirshëm në një territor të gjerë midis çative të gurta të Pazarit të Vjetër.


Por fati i Kokoarrës është i ndryshëm dhe disi i trishtuar. Dikur ajo ishte një pemë e vetmuar, mbirë a mbjellë (nuk e di), në një zallishte në mes të një hani kafshësh, pranë dyqaneve të vogla të nallbanit dhe samarxhiut, vendosur në periferi të Gjirokastrës, ku fshatarët e Labërisë, Lunxhërisë, Zagorisë dhe të Dropullit lidhin kuajt, mushkat a gomarët sa herë që nevoja i sillte në Gjirokastër. Shtrirja e qytetit në këto 40-50 vitet e fundit e ka “zhvendosur” Kokoarrën më në qendër të qytetit, mandej në kufirin që ndan si me thikë zonën e mbrojtur historike, ose “qytetin e gurtë” me pjesën “moderne” të tij, ose “qytet betonin”. Të gjitha ndërtimet e reja të 50 vjetëve të fundit, kryesisht pallate, janë shtrirë nga Kokoarra e në vazhdim në veri të qytetit. Të lindur, të rritur, pse jo dhe të plakur në këtë qytet, e njohin mirë këtë pemë, sepse poshtë hijes së Kokoarrës kanë hedhur shtat dhe sipër degëve kanë luajtur dhe mbledhur kokrrat aguridhe me ngjyrë të gjelbër që u nxinin duart dhe i “tradhtonin” përpara qortimeve të prindërve. Prej vitesh Kokoarra ishte bërë pikë referimi në qytetin pa adresa. “Takohemi te Kokoarra!”, “Shkoi nga Kokoarra!”, “Kafe Kokoarra”, “E kam shtëpinë te Kokoarra!”, janë shprehje që kanë hyrë në leksikun e përditshëm gjirokastrit. Mandej, jam habitur kur mbi një zarf të nisur nga një emigrant që jeton në Kanada, ishte shkruar adresa, “Redaksisë së Radio-Televizionit TVGJ, lagjja “18 Shtatori”, Pranë Kokoarrës, Gjirokastër, Albania”.



2. Betoni sfidon Kokoarrën, ajo sfidon betonuesit me kujtime


Dy a tri javë më parë, një miku im më la takim “te Kokoarra”. Në orën e caktuar u nisa për te vendi i caktuar. Për çudinë time, Kokoarra nuk dukej gjëkundi. E paskan prerë, mendova me keqardhje për pemën e fëmijërisë time. Kapërceva me vështirësi një ndërtesë që kishte nisur të ngrihej në vendin ku dikur bënte hije pema në fjalë, me tej, përmes tymit të një vatre zjarri me qymyr ku skuqeshin qofte, matanë dy ndërtimeve të tjera të tipit të çuditshëm “shtesëpallati”, pikërisht në mes të një sheshi të shtruar me beton, pashë trungun e arrës së vjetër. Trungu, se degët që pengonin ndërtimet e çuditshme ishin prerë. Normalisht që më kapi trishtimi. Të paktën, trungu ka mbetur, mendova. Vendi përreth pemës monument nga pesë anët ishte i betonuar, vetëm një katror i vogël sipër kurorës shikonte pak qiell. Ai pak qiell mbi kokë ishte ndoshta sfida e fundit e pemës monument, pasi betoni përreth e ka sfiduar përfundimisht Kokoarrën. Tani e tutje, kur të mbyllet ai katrori i vogël blu sipër pemës simbol, atëherë Kokoarra do të sfidojë betonin dhe betonuesit me kujtime dhe nostalgji. Në kulm të dëshpërimit për atë pemë, mendova të bëj disa fotografi, sigurisht që për pak kohë Kokoarra jonë nuk do të jetë më dhe ca foto në këtë peizazh betoni pas vitesh do të na shërbenin për të na kapur nostalgjia e kujtimeve. Duke pritur mikun tim, me vështrimin në pjesën e mbetur të Kokoarrës, bëra disa fotografi shpejt e shpejt dhe kalova nëpër mend jetën e kësaj peme të vjetër si të ishte jeta e një njeriu.


 


3. Tabiate të vjetra sfidojnë barbarinë e sotme urbanistike dhe mjedisore


Fati i trishtë i Kokoarrës më solli në kujtesë disa “tabiate” të vjetra, nga ato që sot quhen zakone, standarde apo rregulla, të cilat sfidojnë hapur dhe dukshëm barbarinë e sotme urbanistike dhe mjedisore në qytetin që prej 6 vjetësh nuk është vetëm toni, por edhe qytet i UNESCO-s.


Ç’kishte parë e përjetuar Kokoarra në 100 a më shume vite që kishte lëshuar hije mbi këtë vend? Nga mosha ime fëminore, që i përkiste “epokës” kur pema e vjetër shërbente si hani i kafshëve, ose më saktë Hani i Zallit, kur kjo pemë monument lëshonte hije aty ku zalli i Përroit të Ficos zbardhëllonte vendin përreth Kokoarrës dhe kur poshtë hijes së tij dhjetëra kafshë përtypin kashtë e bar të thatë “gjithë ditën e Perëndisë” kujtoj disa rregulla të thjeshta që mbanin pastër rrugët e qytetit. Nuk e di nëse kishte ekzistuar ndonjëherë, një ligj, dekret, a vendim bashkiak për mënyrën se si duhet të qarkullonin, apo ku duhet të qëndronin kafshët e dorës dhe të ngarkesës në qytet, por di që para 50 vjetësh, e ndoshta në kohë që s’mbahet mend më parë, në Gjirokastër zbatoheshin disa rregulla strikte për këtë gjë. Mbaj mend që fshatarët që vinin nga zonat përreth luginës së Drinos për të shitur prodhimet e tyre në tregun e Bashtësë së Teqesë në zemër të qytetit, pasi i shkarkonin, kofinat, kasonat dhe thasët e mallit të tyre, kafshët i dorëzonin te fëmijët që prisnin me padurim shkarkimin, të cilët kundrejt shpërblimit në vlerë një “pesëlekoshe”, apo shpërblimeve në natyrë, një kaushi me thanë, një grusht me kumbulla, a një bostan, ua hipnin kuajve dhe mushkave dhe çonin për t’i lidhur te Hani i Kokoarrës, jashtë qytetit. Një tjetër tabiat, ligj, dekret, a vendim bashkiak, nuk e di saktë se ç’ishte, por di që ai nuk lejonte që kafshët e ngarkesës, të qerreve dhe të karrove, të hynin në qytet nëse në pjesën e pasme të vitheve nuk kishin të vendosur një torbë të thurur me lesh dhie me qëllim që jashtëqitjet e tyre të zbrazeshin në torbë dhe të mos ndotnin kalldrëmet e qytetit.


 


4. “Të kam thënë njëmilë herë, pse si dhes ata fenerë!?”


Kur Gjirokastra nuk ishte në UNESCO, por të kapej mushka e lidhur diku në rrugë, apo të hynte në qytet pa trastën me lesh dhie, kjo gjë konsiderohej kundërvajtje dhe për shkelësit gjoba ishte gjobë. Sot që qyteti ruhet dhe mbrohet si trashëgimi kulturore kombëtare, mandej për këto vlera është përfshirë në listën e pasurive kulturore botërore dhe bashkia “kapardiset” nën hijen e “ombrellës” së UNESCO-s, ka me dhjetëra nene, ligje, vendime, rregulla e rregullore, por përrenjtë që ndajnë lagjet e qytetit janë “dëngza” me skupira e mbetje urbane, rrugëve gjen bajga dhe kakërdhi të bagëtive. Nëse kafshët dikur “parkonin” në Hanin e Zallit, veturat dhe lloj-lloj automjetesh sot pakohen në rrugët e sokakët e ngushtë të zonës së mbrojtur të qytetit. Dikur në Qaf’ të Pazarit nuk qarkullonin sikurse sot turistë të huaj, por ishte kategorikisht e ndaluar që kafshët dhe kuajt të qarkullonin në këtë zonë të pazarit. Ndërsa sot, turistët “tromaksen” e tmerrohen kur lëvizin në sokakët e Pazarit nga qarkullimi pa asnjë kriter i veturave, kamionëve dhe autobusëve. Dikur, qysh 100 vjet më parë sokakët e qytetit ishin të ndriçuara edhe natën me llamba vajguri të vendosura në shtylla, në mure apo në pezule. Mandej në një nga gazetat e shumta që botoheshin në këtë qytet rreth viteve 1930, gjen një replikë me vargje për ndriçimin e diferencuar të qytetit: “Atje poshtë e ati lart / Tek Urat në Dunavat / Të kam thënë njëmilë herë / Pse s’i dhes ata fenerë? / -Më kë thënë, si s’më ke thënë! / -Pse ti dhes kur ka hënë!? / -Po kur hënë ka kudo / Pse i dhes në Palorto!?”. Ky debat i hapur dhe publik për ndriçimin e diferencuar të lagjeve të qytetit zhvilluar 70-80 vjet më parë në një media lokale, nuk do t’ia vlente fare që të bëhej sot në studiot moderne të tre kanaleve televizive lokale, pasi situata sot është krejt tjetër, qytetarët paguajnë taksë goxha të madhe ndriçimi, ndërsa qyteti pas orëve të mbrëmjes është i tëri i zhytur në errësirë. Dhe merret me mend sa i preferuar është një qytet i mbuluar nga terri për një turist perëndimor që vjen të kalojë dy ditë në Gjirokastrën me pretendime turistike!? Sa përpara ishim në respektimin e mjedisit, në atë kohë që kemi lënë pas. M’u kujtua ajo shprehja ironike, “Sa keq ishim në ato vite, s’kishim, bukë hanim simite!”.


 


5. Asnjëherë më parë qyteti nuk ka qenë më i shpërfytyruar se sot


Asnjëherë më parë Gjirokastra nuk ka qenë me mjedis më të shpërfytyruar se sot, dhe tepër e vështirë për të kuptuar psenë e këtij absurdi. Ekzistojnë nën administrimin dhe menaxhimin e bashkisë së qytetit të gjitha mjetet financiare, strukturat administrative, struktura policore, inspektoratet, ligjet, rregulloret, taksat, tatimet, strategjitë, projektet, planet urbanistike, por qyteti vazhdon procesin e shëmtuar të vetëbetonimit, të mospastrimit, të kaosit urban, të rrënimit të vlerave, zakoneve dhe tabiateve të dikurshme. Qyteti lëviz në kahjen e moskthimit në normalitet zhvillimi. Nga ky këshill bashkiak apo të tjerë para tij, janë shpallur “qytetar nderi” apo “nderi i qytetit” nja 500 a më shumë persona, por nuk di që prej tyre të jetë propozuar për nderim, për monument kulture a natyre, për mbrojtje të posaçme si vlerë e trashëgimisë së tij, një libër, një dokument i vjetër, një fotografi, një gazetë, një kostum, një këngë, një mur, një portë, një oxhak, një sokak, një pemë, një shpellë apo një përrua në këtë qytet.


Ky qytet ka 20 vjet që ka shpenzuar miliarda për të ndërtuar tregje, por treg nuk ka, tregtarët shesin në bulevard dhe në trotuar. Ky qytet ka disa plane urbanistike, por ndërtimet e reja asnjëherë nuk u referohen ligjeve dhe planeve urbanistike. Ky qytet kurrë nuk e ka njohur dhe pranuar betonin, por sot bashkia dhuron thasë me çimento për të për të stimuluar zëvendësimin e kalldrëmit të sokakëve me brezare betoni.


Historia e Planit Rregullues të qytetit është një dava a histori më se qesharake, që më mirë të mos merremi me të këtu, sepse ç’thamë më lart për asgjësimin me mure betoni të Kokoarrës “monument natyre” është ilustrimi më i mirë për talljen e pamëshirshme të bashkisë me këtë “kushtetutë” të zhvillimit urban të qytetit.


Kokoarra apo Koqearra, siç kanë dëshirë ta quajnë disa në qytet mbetet dëshmitarja e vetme e harrimit të tabiateve të mira gjirokastrite ashtu siç është dëshmitare e barbarisë së betonit që po i merr ngadalë jetën këtij monumenti të rrallë të natyrës dhe shpirtit njerëzor njëkohësisht.