Kosova dhe Shqipëria do të kenë qendra të përbashkëta kulturore në diasporë. Ky ka qenë edhe qëllimi i takimit mes Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, dhe ministrit të Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli. “Shqipëria dhe Kosova do të dalin me një nismë të përbashkët, do të krijojnë mekanizmat e duhura për promovimin e kulturës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Kemi komunitet të madh jashtë vendit, janë rreth 3 milionë shqiptarë, komunitet që duhet të ruajë lidhjet me njëri-tjetrin”, ka thënë Bumçi. Ministri Makolli foli për një pasuri kombëtare të përbashkët, e cila duhet të ruhet. “Edhe pse jemi dy shtete të ndara me kufij, diaspora jonë ka qenë gjithmonë e bashkuar. Tashmë Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë me Republikën e Turqisë, dhe kjo për një arsye të veçantë, pasi në Turqi kemi më shumë shqiptarë të emigruar se në çdo shtet tjetër. Besojmë se kjo qendër do të jetë funksionale para 28 Nëntorit”, tha në fund të fjalës së tij z. Makolli. Të dy ministrat, gjatë konferencës për shtyp, u shprehën të gatshëm për bashkërendimin e përpjekjeve për ngritjen e qendrave kulturore të përbashkëta edhe në Zvicër dhe SHBA.