Nëse bëhet një krahasim i 3-mujorit të parë të vitit 2012 me një vit më parë, kemi një rënie të shitjeve në 10% dhe krahasuar me vitin 2010, rënia shkon deri në 40%. Ky indeks, ndonëse përfshin edhe gazetat e revistat e jo në mënyrë specifike librin, të lë të kuptosh se shitja po shkon drejt një përgjysmimi
INSTAT: Shitet 10-40% më pak
Oliverta Lila
Libri është në krizë. Shitjet në libraritë e kryeqytetit janë në nivele të ulëta. Botuesit po ashtu ankohen për një situatë që vjen gjithnjë duke u përshkallëzuar. Rënia e shitjeve konfirmohet edhe nga një anketë e realizuar nga Instituti i Statistikave për indeksin e shitjeve në tremujorin e parë të këtij viti. Këto janë të dhënat e vetme zyrtare, ndonëse jo të specifikuara për botimin e librit. Sipas anketës, indeksi i shitjeve në volum, tregon një rënie të shitjes së librave, gazetave dhe revistave, veçanërisht këto dy vitet e fundit. Nëse bëhet një krahasim i 3-mujorit të parë të vitit 2012 me një vit më parë, kemi një rënie të shitjeve në 10% dhe krahasuar me vitin 2010, rënia shkon deri në 40%. Ky indeks, ndonëse përfshin edhe gazetat e revistat e jo në mënyrë specifike librin, të lë të kuptosh se shitja po shkon drejt një përgjysmimi. Krizën e tregut të botimeve e konfirmojnë edhe botuesit, të cilët janë të prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë e krijuar. Libri është i pari produkt që shqiptarët kanë lënë mënjanë në kushtet e një krize ekonomike, duke menduar më shumë për produktet e mbijetesës. Një vizitë nëpër libraritë kryesore të kryeqytetit, të bën të kuptosh qartë që në dyert e tyre hyjnë gjithnjë e më pak njerëz. Sezoni veror ka shënuar gjithnjë një kulm të blerjeve, për shkak të librave që pushuesit zgjedhin të marrin në plazh, por edhe për shkak të emigrantëve, nga të cilët pritet të jenë të interesuar për librin shqip. “Ka një rënie në shitjen e librave, por kjo reflektohet më shumë te letërsia për të rriturit. Kemi parë se prindërit nuk kursejnë për të blerë librat për fëmijë”, thekson një nga libraret e një librarie të madhe në Tiranë. Në dy-tre të tjera më të vogla, të vendosur në qendër të kryeqytetit, njerëzit janë veçanërisht të interesuar për bileta lotarie sesa për librat. E njëjta situatë është edhe në qytete që më përpara kanë përbërë një treg të fuqishëm të librit, siç është Vlora. Ndërkaq, duket se kriza e librit do të prekë edhe panairet. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, konfirmon se panairi i përvitshëm i Tiranës do të organizohet dhe botuesit kanë prenotuar rreth 90% të sipërfaqes, panairet që tradicionalisht janë organizuar në qytetet bregdetare, duket se këtë vit nuk do të realizohen. Mungesa e fondeve, por edhe kërkesa e paktë për libra të rinj, duket se do t’i orientojë botuesit gjithnjë e më shumë drejt asaj letërsie të lehtë, që ka paksa më shumë treg. Botuesit nuk janë optimistë për ndryshimin e situatës, ndërsa kërkojnë që të ndërmerren edhe fushata që do të nxisin leximin te të rinjtë, që do të jenë lexuesit e së nesërmes.
“Rënie drastike në tregun e Kosovës”
Piro Misha: Po goditet letërsia serioze
Piro Misha e sheh të zymtë situatën e tregut të librit. Si drejtues i botimeve “IDK”, ai thekson se dy-tre vitet e fundit, shitja e librave ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Sipas Mishës, ajo që rrezikon nuk është letërsia e lehtë, por botimet serioze, të cilat bartin edhe vlerat kulturore. Në optikën e tij, nëse nuk merren masa ndaj kësaj situate, do të kemi një goditje për vlerat kulturore.
Zoti Misha, a shihni ju si botues një situatë krize në shitjen e librave?
Kjo është e dukshme dhe ç’është më e keqja ka ardhur duke u theksuar në mënyrë shumë të ndjeshme. Ndonëse nuk mund të flasim me përqindje, secili botues nga të dhënat e tij shikon se situata është përkeqësuar këto dy-tri vitet e fundit. Më e keqja është se shohim një rënie drastike në tregun e librit në Kosovë. Me një rënie të tillë të shitjeve, shoqëruar edhe me kaosin që ekziston në sistemin e bibliotekave të librit shkollor nga Ministria e Arsimit, po shkojmë drejt një krize që rrezikon së pari tregun e librave seriozë. Librat e lehtë do të botohen gjithnjë sepse do të gjejnë treg shitjeje, ndërkohë që librat që kanë edhe peshën kulturore do të goditen të parët. Në këto kushte, nëse nuk merren masa të shpejta do kemi probleme që do të kenë të bëjnë me kulturën shqiptare. Në mungesë të shitjeve, botuesit do të shkojnë drejt librave të lehtë, që e kanë të siguruar tregun.
A ka kjo situatë lidhje të drejtpërdrejtë me krizën ekonomike? Mendoj se është një situatë më komplekse. Padyshim që kriza ekonomike e godet menjëherë librin, sepse në mentalitetin e shqiptarëve është produkti i parë që lihet mënjanë. Tani për tani kriza ekonomike është faktori kryesor, në të nesërmen, do të jetë edhe rënia e leximit nga të rinjtë. Të rinjtë lexojnë më pak dhe kjo ka të bëjë me mungesën e një edukimi me librin dhe leximin që në bankat e shkollës. Për më tepër, ne kemi mungesë të theksuar të politikave që nxisnin leximin. Në vende si Finlanda e të tjera europiane, shteti ndërmerr çdo vit fushata shumë serioze për promovimin e leximit. Në këtë mënyrë, leximi bëhet interesant, aq më tepër në kohë konkurrence të fortë nga mjetet e tjera të informacionit.
Në këtë pikëpamje, shumë shtëpi botuese do të luftojnë për mbijetesë?
Ka një deformim të madh në mënyrën se si funksionon veprimtaria botuese. Një sërë shtëpish botuese jetojnë në kurriz të shtetit me librin shkollor dhe kjo është goditje e madhe për të tjerat. E theksoj edhe njëherë se problematike nuk do jetë të botohet letërsi e lehtë, por letërsia klasike botërore dhe letërsia shqipe, e cila do ta pësojë e para dhe rrjedhimisht do ta pësojë edhe kultura e një vendi.
Prirja
Letërsi rozë në plazh
Mjafton të shkosh në libraritë kryesore të kryeqytetit për të parë prirjen e lexuesit edhe për këtë verë. Si çdo vit, kërkesat janë për librat rozë, libra që flasin për konspiracione apo edhe libra fiction të ngritur mbi hipoteza apokaliptike të botës. Për librarët kjo është një zgjedhje e natyrshme duke qenë se lexuesit kërkojnë botime që duan më pak përqendrim. Sigurisht që mes pushuesve gjen edhe nga ata që preferojnë tituj të fortë deri dhe autorë të letërsisë abstrakte.