In Memoriam 


“In Memoriam” titullohet mbrëmja që i kushtohet sot mjeshtrit Agron Aliaj në Teatrin e Operës dhe Baletit. Solistët kanë zgjedhur pjesë që i kanë punuar më parë me të, për t’i risjellë në skenë si një shenjë kujtimi. Isida Mollaymeri, një ndër balerinat që ka punuar gjatë me profesorin, shprehet se kjo mbrëmje ka një ngarkesë të madhe emocionale duke iu referuar faktit se këto janë pjesë të zgjedhura të punuara me koreografi të Aliajt, në të cilat ai këtë herë nuk mund t’i shohë nga salla, për të korrigjuar qoftë edhe detaje. “Kam dy pjesë, një ndër to është ‘Ave Maria’ që profesori e ka krijuar për mua, për recitalin tim kur përfundova shkollën e mesme koreografike dhe për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Të jemi pa të sot është jo pak e dhembshme për të gjithë ne dhe kjo është mënyra jonë për t’i thënë faleminderit për çdo gjë që ka bërë për secilin prej nesh veç e veç dhe për të gjithë ne bashkë”, shprehet balerina. Ledia Sulaj do të sjellë në skenë një balet që Aliaj e kishte për zemër, “Shote dhe Azem Galica”. Sipas saj, kjo është e vetmja pjesë kombëtare në mbrëmje. Kjo mbrëmje realizohet pikërisht më 30 tetor, ditën e lindjes së mjeshtrit Agron Aliaj, i ndarë nga jeta në majin të këtij viti, pas përplasjes që i shkaktoi një makinë ndërsa dilte nga Teatri i Operës.