Ndahen çmimet vjetore Penda e Argjendtë në letërsi për vitin 2012
Çmimet letrare Penda e Argjendtë, të cilat çdo fundvit ndahen nga Ministria e Kulturës janë bërë publike dje në një ceremoni ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në gjininë e romanit fitues i këtij çmimi është shkrimtari Ylljet Aliçka me romanin Valsi i lumturisë, me motivacionin “Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave”. Në gjininë e tregimit këtë vit çmimi i ka shkuar një personazhi të njohur të letrave shqipe në Rumani, Ardian Christian Kyçukut, me vëllimin me tregime Perla me motivacionin “Për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit”. Në poezi çmimi Penda e argjendtë i ka shkuar autorit Rudolf Marku për vëllimin poetik Një ballkanas në Londër, me motivacionin “Për imazhet e gjalla dhe të veçanta, për ironinë dhe humanizmin e thellë”. Autori debutues i vitit 2012 është shpallur Darien Levani me romanin Poetët bëjnë dashuri ndryshe me motivacionin “Për rrëfimin elegant dhe atmosferën e këndshme të rrëfyerit”. Në gjininë e përkthimit, çmimi i ka shkruar Parid Teferiçit me vëllimin Delfin i poetit të njohur, Robert Lowell, me motivacionin “Për mjeshtërinë e sjelljes në shqip të poetikës së një prej autorëve më të rëndësishëm amerikan të shek të XX”.
Penda e Argjendtë në fushën e kritikës i ka shkuar një personazhi të rëndësishëm në këtë gjini, siç është kritiku shqiptar i Maqedonisë, Ali Aliu, me veprën Don Kishoti shqiptar me motivacionin “Për aventurën e një leximi të ri të letërsisë shqipe”. Në gjininë e esesë ky çmim i ka shkuar Uran Butkës me veprën eseistike Kristo Kirka me motivacionin “Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare”. Në letërsinë për fëmijë me këtë çmim është vlerësuar autori Thanas Jorgji, me 12 romanet Unë jam Kronosi, mbreti i kohës me motivacionin “për korpusin prej 12 romanesh ku gërthehen aventurat, gëzimi dhe mençuria fëminore”. Çmimi i gazetarisë Teodor Keko këtë vit u ka shkuar dy gazetareve të kulturës Aida Tuci dhe Alma Mile, me motivacionin “për ndihmesën cilësore në vënin në pah të vlerave dhe risi në raportimin publicistik për vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë”. Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, këto çmime duhet të ishin dhënë në përfundim të vitit 2012, por nuk ndodhi. Pas marrjes së detyrës si ministre ajo la juritë e ngritura për këto çmime nga ish-ministri Bumçi për ta çuar deri në fund punën e tyre. Duke vlerësuar çmimet letrare si tepër të rëndësishme në motivimin dhe vlerësimin e prurjeve letrare të një viti, ministrja u ndal te çmimi letrar Goncourt, një model sipas saj për cilësinë që promovon. “Vetëm 10 euro është çeku që merr fituesi i këtij çmimi. 110 vjet ka ky çmim që i jepet çdo vit veprës më të mirë letrare në Francë. Megjithatë, Goncourt mbetet sot një nga çmimet më prestigjioze në Europë, që i siguron më pas autorit një vend nderi në hierarkinë e vlerave në republikën e letrave të bukura, dhe pa dyshim edhe shumë përkthime në gjuhë të tjera të botës”, tha Kumbaro. Duke bërë një analizë të asaj çfarë ka ndodhur me çmimet letrare në vend pas viteve ‘90, ajo tha se qe e vështirë të ndërtoheshin çmime që të shërbenin si vlerësime të qëndrueshme, të besueshme dhe deri diku si shkolla kritike, ndonëse në listat e tyre gjen jo pak nga emrat më të mirë të letrave të sotme shqipe. “Herë të cilësuara me emra të përgjithshëm e herë me emra të përveçëm, skemat e ndryshme të çmimeve që fryheshin a tkurreshin, përveç vullneteve të mira për të kënaqur sa më shumë autorë, botues a studiues, përveç sikleteve për të bërë qoka, përveç hatërngeljeve të vogla dhe inateve të mëdha, përveç dëshirës që edhe cilësia letrare të mos mbetej pa u treguar, përveç ndërhyrjeve politike që veç punë kanë prishur, tregonin se sa e vështirë është të japësh çmime në funksion të një kritike profesioniste”, tha ministrja Kumbaro, duke paralajmëruar se vitin tjetër Ministria e Kulturës do të japë vetëm një çmim letrar për veprën më të mirë të vitit. “Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e ministrisë”, tha Kumbaro, duke shtuar se “vlerësime stimuluese të fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe kritikës letrare dhe nisma nxitëse do të shtjellohen gjatë vitit në një kalendar letrar që do të shënjojë momente të ndryshme siç është dita botërore e librit, Dita Botërore e Përkthimit, Panairi i Librit etj”.