Bota e kinemasë dhe televizionit është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Remo Girones, aktorit të njohur italian që fitoi famë ndërkombëtare falë rolit të tij si Tano Cariddi në serialin legjendar “La Piovra”. Girone ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare në Monte Karlo, ku kishte jetuar prej vitesh.

Karriera e tij nisi në fillim të viteve ’80, kur me zërin e tij të thellë dhe prezencën e fuqishme skenike, arriti të shndërrohej në një nga figurat më të njohura të ekranit italian. Për publikun shqiptar, ai mbetet përgjithmonë Tano Cariddi, personazhi karizmatik dhe i errët që shënoi një epokë televizive.

Remo Girone lindi më 1 dhjetor 1948 në Asmara dhe fillimisht studioi ekonomi e biznes, përpara se të ndiqte pasionin për aktrimin duke u regjistruar në Akademinë e Arteve Dramatike. Përveç “La Piovra”-s, ai u shfaq në dhjetëra filma e shfaqje teatrale, duke punuar me emra të njohur të kinemasë italiane dhe botërore.

Në jetën personale, ai kishte një marrëdhënie të gjatë dashurie me aktoren Victoria Zinny, partneren e tij që nga vitet ’80. Girone kaloi edhe momente të vështira gjatë xhirimeve të “La Piovra”-s ai luftoi me kancerin, por e mundi me forcë dhe vendosmëri.

Remo Girone do të kujtohet për elegancën, zërin e tij unik dhe aftësinë për t’i dhënë jetë personazheve komplekse. Ai mbetet një prej figurave më të respektuara të kinemasë italiane dhe një emër që ka lënë gjurmë të thella edhe në kujtesën e publikut shqiptar.