Forumi i Trashëgimisë Kulturore shpreh indinjatën për këtë akt të qëllimshëm


Shpresa Mezini


Ndërsa prokuroria po heton mbi masakrën kulturore të ndodhur dy net më parë në qytetin e Korçës, reagon Forumi i Trashëgimisë Kulturore në vend. Duke e quajtur si një skandal të pafalshëm rrënimin e shtëpisë ku u shpall Krahina Autonome e Korçës, aty ku Themistokli Gërmjeni ngriti flamurin shqiptar, Artan Lame, ekspert i trashëgimisë kulturore, e dënoi ashpër këtë masakër, që sipas tij është e qëllimshme.


“Bashkë me shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë dhe me atë të Kongresit të Lushnjës, kjo ishte godina më me shumë rëndësi historike në Shqipëri. Nëse sot Korça është në Shqipëri dhe jo në Greqi, kjo është vetëm falë atij burri që i thoshin Themistokli dhe falë aktit të ngritjes së flamurit në ballkonin e asaj shtëpie, që sapo e shkatërruam. Mbijetoi 100 vjet dhe bash në vitin e Pavarësisë e shkatërruam”, tha Lame dje, në një konferencë për shtyp. Ai theksoi faktin që në emër të Forumit të Trashëgimisë Kulturore e ka denoncuar gjendjen e mjeruar të godinës, e cila nuk kishte pllaka, ishte e shkatërruar, pa çati, ndërsa prezente ishin vetëm muret, me qëllim që të merreshin masa për ekzistencën e saj. Por më kot sot ajo godinë nuk “jeton” më.


Eksperti i trashëgimisë kulturore, i prekur emocionalisht nga ky akt makabër, siç e quan vetë ai, falënderon iniciativën e kreut të Bashkisë së Korçës për rindërtimin e kësaj godine, por nuk ngurron të shprehë indinjatën e tij mbi indiferencën e Institutit të Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës, të cilat kanë zgjedhur të heshtin edhe përballë një fenomeni të tillë. Në këtë kuadër, Lame i ofron këtij institucioni projektin për rindërtimin e kësaj godine falas. Nisur nga rrënimi i shtëpisë, ku u ngrit për herë të parë flamuri shqiptar në qytetin e Korçës, Lame liston rreziqet e tjera që po u kanosen monumenteve kulturore në vend, ato të cilat, sipas tij, në këtë vit jubilar duhet të restauroheshin, ndonëse po shkatërrohen. Kështu, ai denoncon disa raste nga situata katastrofike që po përjetojnë monumentet e trashëgimisë kulturore në vend: “Rasti i betonimit të Urës së Kërciles në Shkodër, zbulimet e bëra në Shkodër gjatë punimeve të unazës së re, mund të konsiderohen si gjetjet më të rëndësishme të inxhinierisë urbane mesjetare në vend. Rasti i megandërtimeve në betonarme në hyrje të kalasë se Krujës. Rasti i betonimit të gjetjeve unikale në Durrës. Zbulimet e para disa kohëve në Durrës, janë zbulimet më të rëndësishme të periudhës së hershme qytetare të Durrësit. Rasti i rrënimit të Shtëpisë së shpalljes së Republikës së Korçës, rrezikimi i parkut të Pallatit të Brigadave Tiranë, park i rrezikuar nga zgjerimi absurd i Rrugës së Elbasanit”, shpjegon eksperti i Trashëgimisë Kulturore.


 


Reagimi


Baçe: Godina s’kishte vlera arkitektonike


Shtëpia e Republikës në Korçë vijon të jetë e listuar si monument kulture i kategorisë së parë, ndonëse prej mbrëmjes së të mërkurës, kjo banesë është shndërruar në gërmadhë.


Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, sqaron se mbrojtja e këtyre monumenteve nuk është përgjegjësi e këtij institucioni dhe as kompetencë e tyre, ndërsa nuk ngurron të thotë se godina tashmë e rrënuar kishte mungesë vlerash arkitektonike. “Këto monumente janë nën administrimin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, të cilat varen nga ministria. Vlera arkitektonike nuk ka, vlera simbolike dhe historike ka, sepse është vendi ku u ngrit flamuri”, tregon drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës.


 


Thirrja


Kuqezi: Shembja e godinës, akt terrorist antishqiptar


Aleanca Kuqezi ka të dhëna se shembja e shtëpisë së Themistokli Germenjit është një akt terrorist nga qarqet antishqiptare dhe ekstremizmi grek. Të paktën kështu sqarohet në njoftimin për shtyp të saj. “Në të njëjtën mënyrë të dhunshme si është prishur shtëpia e atë Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit dhe shumë rilindësve të tjerë, po përsëritet shkatërrimi i një prej ikonave të shqiptarizmit. Ky terrorizëm serial duhet të hetohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili ka detyrimin të mbledhë informacion për aktet terroriste”, thuhet në njoftimin e Aleancës Kuqezi. Ajo kërkon me këmbëngulje të hapet hetim mbi krimin e radhës që i bëhet kulturës dhe historisë së shqiptareve, atë të shembjes së shtëpisë së patriotit dhe rilindësit tonë të shquar, Themistokli Gërmenji.


“Aleanca Kuqezi e konsideron dhunimin dhe asgjësimin e këtij monumenti të kulturës sonë kombëtare, si akt terrorist ndaj simboleve kombëtare, si akt që ka për qëllim asgjësimin e historisë dhe figurave patriotike shqiptare.