Një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti, u përcoll sot për në banesën e fundit. Ai u varros në fshatin e tij të lindjes, Vuno të Himarës, duke iu përmbajtur amanetit të dhënë gjatë jetës.

Ceremonia mortore mblodhi qindra njerëz familjarë, miq, kolegë, artistë, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore të cilët nderuan jetën dhe veprën e mjeshtrit të madh të ekranit shqiptar. Me dhjetëra filma që mbajnë firmën e tij, Anagnosti është cilësuar si një prej pionierëve të kinematografisë në Shqipëri, një artist që me punën dhe vizionin e tij ndikoi thellë në zhvillimin e artit filmik kombëtar.

Vepra e tij nuk është thjesht pjesë e historisë së kinemasë shqiptare, por edhe e kujtesës kolektive të shumë brezave. Ai do të mbetet një emër i pashlyeshëm në kulturën shqiptare një krijues që me pasionin dhe përkushtimin e tij ngriti artin në një nga majat më të larta të shprehjes kombëtare.

Dhimitër Anagnosti, regjisori që i dha shpirt ekranit shqiptar, sot pushoi në paqe aty ku e deshi zemra në Vuno.