Ikona e kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Homazhet për regjisorin e madh do të zhvillohen në Hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 13:00.
“Homazhet për babain tim do të mbahen të martën, më 2 shtator, në TKOB, nga ora 10:00 deri në 13:00”, njoftoi vajza e tij, Juna Anagnosti.


Jeta dhe karriera e një mjeshtri të ekranit

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në fshatin Vuno, Himarë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Vlorë. Në vitet 1954–1960 ndoqi studimet në Institutin Kinematografik “VGIK” në Moskë, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën, realizoi filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, i bazuar në një tregim të Ernest Heminguejt, i cili fitoi Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave të Kinemasë në Holandë (1961).

Pas kthimit në Shqipëri nisi punën si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me filma si “Debatik” (1961) dhe “Toka jonë” (1964). Në vitin 1966 debutoi si regjisor me filmin “Komisari i dritës”, ndërsa më pas me “Duel i heshtur”. Në karrierën e tij mbi 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe shkroi 15 skenarë, duke fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare.


Kontributi dhe nderimet

Anagnosti u vlerësua me titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar. Ai njihej si njeri i mendimit të lirë dhe i guximshëm në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, shpesh i vendosur përballë sfidave të kohës.

Pas viteve ’90, Anagnosti u përfshi edhe në politikë: ishte deputet i Partisë Demokratike (1991–1996) dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992–1994). Ai ishte gjithashtu themelues i Fondacionit “Fan Noli”, i cili mbështeti artin dhe kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2001 shkroi dramën “Nata e trokitjeve në xham” për Teatrin Kombëtar, ndërsa në vitin 2005 prezantoi filmin e tij të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, i vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.


Jeta personale

Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, Roza Anagnosti, e nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.

Sot, Shqipëria i jep lamtumirën një prej figurave më të rëndësishme të artit të saj, një njeriu që e pasuroi kinemanë shqiptare me filma të pavdekshëm dhe la një trashëgimi të çmuar kulturore.