[callout]Aurela Gaçe
Mos qaj, mos qaj
Mos qaj për vdekjen o njeri…. Genti i Djemve të Detit. Kështu të thërrisnim… I paharruar qofsh për familjen e miqtë e gjithë fansat e tu. Luftove gjatë me sëmundjen, por tani shpirti yt u prehtë në paqe e të qoftë dheu i lehtë. [/callout]
Shuhet ylli i grupit “Djemtë e detit”. Solisti humb betejën me sëmundjen në moshën 40-vjeçare
“Jo mos qaj ti o njeri i vetmuar, se jeta dorën ty nuk ta dha…”. Këto vargje të këngës së njohur “Mos qaj” të grupit legjendë pas viteve ’90 “Djemtë e detit” kanë mbushur dje statuset në rrjetet sociale Facebook e Twitter, të qindra fansave dhe njerëzve të artit, duke shprehur kështu dhembjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të solistit të këtij grupi. Pas disa vitesh beteje me sëmundjen, Gentian Demaliaj e ka humbur dje përgjithmonë luftën me të. Vetëm 40 vjeç, një nga zërat më të veçantë të muzikës shqiptare këto vite, shpirti i rrokut, një këngëtar që prodhoi hite në vetëm disa vite karrierë Gentian Demaliaj do t’i mungojë gjatë muzikës shqiptare. Këngë si “Mos qaj”, “Jo tani”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Baladë për Jakup Ferrin”, “Lamtumirë”, “Kohë pa ty”,”Përrallë dashurie”, “Izolimi vdes” etj, janë kthyer në hite muzikore jo vetëm për brezin e të rinjve të pas viteve ’90. Nuk ishte vetëm muzika ajo çfarë e bënte këtë grup tërheqës, por edhe vargjet. Shpesh në to gjeje dhembje, por sipas Demaliajt “ky është realiteti”. “Hidhni sytë brenda këtij realiteti ku ne jetojmë dhe a nuk ju duket kështu?! I përkasim këtij vendi, ndaj dhe kemi menduar të prekim temat sociale të ditëve të sotme”, shprehej ai në një intervistë një vit më parë. Me një pamje rrokeri, Demaliaj nuk ndryshoi asnjëherë stil që me shfaqjen e tij për herë të parë në skenë. “Jam një njeri me një shpirt të lirë, dhe dua të lë këtë përshtypje”, shprehej ai. Babai i një vajze, Edeas, Genti ishte i lidhur shumë me të, e cila duket se ka trashëguar pasionin e këngës. Disa vite më parë ajo u vlerësua me çmimin “Zërat më të mirë” në Festivalin e Shkodrës, ndërsa në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”.” Mendoj se do të bëhet këngëtare shumë e mirë, pasi e ka njohur shpejt talentin e saj”, shprehej Demaliaj për të bijën. Kohët e fundit ajo i ka ndenjur pranë të atit, me shpresën se do të mund t’ia dilte të fitonte mbi sëmundjen. Muzika ishte gjithçka për Demaliajn, i cili nuk bëri kompromis asnjëherë me të, në kushtet e tregut të sotëm muzikor. Ai e mbajti larg muzikën e tij nga komercialiteti. “I vetmi përfitim është nga muzika. Por edhe nëse nuk fitoj shumë nga ajo më plotëson shpirtërisht”, shprehej ai. Kohët e fundit këngëtari bëri një jetë disi të tërhequr nga skena për shkak të sëmundjes. Një nga shfaqjet e tij të fundit ishte në Festivalin e RTSH-së si anëtar jurie. Në vitin 2013, me një vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare i dha atij një shumë prej 35 milionë lekësh për t’u kuruar jashtë vendit.
Me një zë të veçantë, Demaliaj do të veçohej menjëherë si këngëtar që me daljen e parë të grupit “Djemtë e detit”.
Ishte i pari grup muzikor që vinte nga rrethet dhe po depërtonte me sukses në zemër të kryeqytetit. I krijuar në Lezhë, muzika e tyre e hershme kishte ndikime të qarta nga hard-rroku dhe metali, që ishte shumë aktual në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën. Prezent në skenën e muzikës prej shumë vitesh, hiti i tyre më i madh mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, një baladë e cila pa dyshim që mund të hyjë në antologjinë e rrokut shqiptar, nëse bëhet një e tillë. Djemtë e Detit kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale dhe sigurisht çmimet nuk kanë munguar, kanë dalë në krye në festivale rroku, si dhe janë vlerësuar nga vetë publiku. Fazën e parë të karrierës së tyre e përmbyllën me albumin “Izolimi vdes”, ndërsa albumi i tyre i dytë i prezantuar disa vite më parë quhej “Epos”. Homazhet për nder të këngëtarit do të zhvillohen sot në orën 12.30 në sallën e RTSH-së ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 14.00.
Gent Rrushi/ Pianisti dhe kompozitori e quan zërin dhe stilin e Gentian Demaliajt unik
Këngët e tij e kanë kaluar testin e kohës
Gjithnjë mes miqsh muzikantë. Kështu e kujton pianisti dhe kompozitori Gent Rrushi, këngëtarin Gentian Demaliaj. “Ajo që më bie në sy është se këngët e kënduara prej tij edhe pse të vështira teknikisht për t’u kënduar, ishin këngë për një publik të gjerë. Tematikisht të këndueshme dhe të qarta. Me fjalë “të dashura”, thotë Rrushi. Për të ndarja nga jeta e këngëtarit, është një humbje për rokun shqiptar, i cili humbi një nga përfaqësuesit e tij të denjë në këto dy dekada.
Vitet ’90 bashkë me kaosin duket sikur sollën dhe një ndryshim në skenën muzikore shqiptare me krijimin e grupeve të reja muzikore. Një prej tyre ishte dhe “Djemtë e detit”…solisti i të cilit Gent Demaliaj dallohej për timbrin e tij të veçantë?
Vitet ’90 sollën shumë zëra të rinj, shumë stile muzikore dhe energji të ndrydhura nga koha. Shumë liri deri në një lloj ekstremi kaotik, për të cilin shoqëria jonë asokohe kishte etje. Po rinisnim të ecnim në një rrugë të ngrirë nga koha. Të gjithë të rinj që provonim ç’ishte liria në mënyrën e tyre. Letërsia piktura, muzika sidomos (delja e zezë e diktaturës) vërshuan ngado. Në të gjithë këtë atmosferë u dëgjua jo vetëm zëri i tij, po stili i pangatërrueshëm. Timbri i qartë, forca interpretative binte në sy. Kështu e mbaj mend Gent Demaliajn. E para erdhi njohja virtuale e më vonë u njohëm personalisht përmes koncerteve të tij me grupin “Djemtë e detit”.
Si e kujtoni Gentin?
Ajo që kujtoj gjithmonë është vërtetësia në figurën e tij artistike. Mënyra sesi e kishte ndërtuar profilin e tij njerëzor, që e përçonte edhe përmes muzikës. Ai dinte të punonte me bashkëpunëtorë, miq muzikantë. Sa herë e takoja do ishte mes muzikantësh me të cilët bashkëpunonte. Ajo që më bie në sy është se këngët e kënduara prej tij edhe pse të vështira teknikisht për t’u kënduar, ishin këngë për një publik të gjerë. Tematikisht të këndueshme dhe të qarta. Me fjalë “të dashura”!
Çfarë është kjo humbje për muzikën shqiptare?
Humbje të tilla na bëjnë të kthejmë kokën pas dhe të shohim muzikën e atyre viteve, jo thjesht me nostalgji, por me ëndje për ta ridëgjuar sërish ashtu siç është. Dhe nuk do t’i hiqja asnjë notë. Thjesht dua ta shijoj. Melosi shqiptar ndihet kudo në nuancat e zërit të Gentit, edhe pse ai këndonte me një stil muzikor të sapopranuar pas ’90-s. Sa herë dilte në skenë do sillte një këngë që mbetej në fondin e muzikës sonë. Dinte të performonte, jo thjesht të këndonte. Dhe këtë na e tregoi, pasi e plotësoi veten përmes aktrimit. Këngët që këndoi e shkroi e kanë kaluar testin e kohës. Vitet e fundit ajo që vëreja te Genti, ishin daljet e mirëmenduara. Kjo ka të bëjë me atë që ai kishte parim të pashprehur. Të mos bërit kompromis me realitetin.
Ç’të vjen tani në kujtesë nga takimet me të?
Para disa viteve rastisi të luanim bashkë diku. Ajo që më la mbresë atë mbrëmje, ishte mënyra se si Gent Demaliaj i personalizonte këngët që s’ishin të tijat. E kishte mundësinë. Zoti i fali zërin e mrekullueshëm dhe inteligjencën për ta përdorur atë. Nuk po i përmend titujt e këngëve të tij. S’është e nevojshme të gjitha i dimë. Por ajo të cilës ai i vuri vulën dhe e bëri pjesë të arkivit të rock-ut shqiptar është “Balada e Jakup Ferrit”. Të jesh artist është fat, në këtë jetë sepse ndan shpirtin tënd me njerëzit që frymojnë. Dhe pranë Zotit, sepse mesazhi yt tashmë udhëton në kohë e hapësirë. Nuk humbet kurrë. Gent Demaliaj e përmbushi misionin e vet, me testamentin tingullor që na la. Dhe pse ne donim shumë që ta kishim sa më gjatë pranë. Të bënim muzikë sërish e sërish… RIP Gent Demaliaj!