revista_saras_nr13_coverHistoria e letërsisë shqipe, nën diktaturë. Shkrimtarët dhe poetët që humbën jetën në burgjet komuniste dhe dorëshkrimet që lanë pas…A mund të flasim sot për një disidencë të heshtur para viteve ’90…


Alda Bardhyli


Astrit Delvina është një personazh për të cilin flitet shumë pak në letrat shqipe. I burgosur në vitin 1951, as një dekadë nga instalimi i diktaturës në vend, djaloshi nga Jugu i cili kishte studiuar mjekësi, nuk hoqi dorë nga ëndrra për të shkruar dhe pse pjesën më të madhe të jetës e kaloi në burgjet komuniste. Në atë periudhë, sapo kishte shkruar romanin “Bijtë e Tantalit”, të cilin do ta shkruante sërish në vitet 1957-1958. Ndriçim Kulla ishte i pari që botoi pas viteve ’90, krijimtarinë e Delvinës, të lënë në dorëshkrim. “Ëndrra me ngjyra”, “Globi në rrjetë”, “Kalimi i Rubikonit”, “Humnera e Plutonit”, “Hielita”, “Përpjekje shpirtrash”, janë disa nga librat e sjellë për lexuesin nga “Plejad”, të cilat autori nuk pati mundësi t’i shihte të botuara pas u nda nga jeta. Për ata që janë marrë me transkriptimin e dorëshkrimeve, ka qenë befasuese mënyra sesi ai i ka shkruar me dorë, me një këmbëngulje titanike që nuk mundi t’ia hiqte as pasojat që pati për shkak të shkrimit (jeta e kaluar në burg, divorci). Në historinë e letrave shqipe para viteve ’90, Astrit Delvina është një protagonist i rëndësishëm i saj dhe pse i padukshëm. Mjafton të lexosh romanin “Ëndrra me ngjyra” (një libër që kalonte dorë më dorë në studentët e letërsisë pas viteve 2000) për të kuptuar një letërsi tjetër që është zhvilluar paralelisht me letërsinë që kemi lexuar të asaj periudhe. Një shkrimtar bashkëkohor, me një stil dhe formë të çliruar nga skematizmi sillte me këtë libër një përballje ndryshe me letërsinë e kohës. Por shumë pak e njohin Astrit Delvinën. Librat e tij, me gjithë përpjekjen e Kullës për ta çuar te lexuesi, gjenden shumë pak në librari. Kjo pasi nuk mjafton vetëm një botues për t’i dhënë dimensionin e duhur një shkrimtari që më shumë se gjysmëshekulli i është mohuar. Këtu duhet të hyjnë politikat kulturore, të cilat duhet t’i kishin dhënë një zë letërsisë së burgut në tekstet shkollore. Delvina është vetëm një nga dhjetëra shkrimtarë dhe poetë që u persekutuan në burgjet komuniste, krijimtaria e të cilëve është shumë pak e njohur. Vetëm se fati i tij ishte më i trishtë. Ndryshe nga të tjerët, të cilët mundën të botonin pas daljes nga burgu pas viteve 1990, ai s’mundi ta shihte asnjëherë emrin e tij në kopertinën e një libri. Në historinë e letrave shqipe gjatë diktaturës është e gjatë lista e shkrimtarëve dhe përkthyesve që jetuan në kampet komuniste. Mustafa Greblleshi, Dhimitër Falla (i pushkatuar), Vinçenc Prenushi (vdiq në burg), Myzafer Pipa (vdiq në hetuesi), Arshi Pipa, Ethem Haxhiademi (vdiqën në burg), At Anton Harapi (i pushkatuar), Simon Deda, Zef Zorba, Gjon Sllaku, Zyhdi Morava, Pano Taçi, etj., janë vetëm disa nga lista e gjatë e shkrimtarëve që humbën jetën nga torturat, apo kaluan një pjesë të gjatë të jetës në këto kampe. Në historinë e njerëzimit, Shqipëria nuk është rasti i vetëm ku diktatura u hakmor ndaj artistëve. Në Rumani, ish-Bashkimin Sovjetik, apo gjatë nazizmit, pati një përballje të tillë të artistëve me shtetin. Shkrimtarët bashkëkohorë sot vazhdojnë t’i shohin këto periudha historike si subjekte për librat e radhës, duke dashur t’u japin jetë apo historive që nuk mundën të shkruheshin brenda birucave. Përtej letërsisë së shkruar para viteve ’90, një pjesë e të cilave u sekuestrua, një pjesë u dogj nga vetë shkrimtarët, nga frika se mund të binte në dorë të strukturave të shtetit, pas viteve ’90 filloi të lulëzonte një tjetër lloj letërsie, ku futeshin kujtimet mbi atë periudhë, poezi të frymëzuara nga torturat, apo prozë mbi histori të kohës së komunizmit. Janë të shumtë librat e botuar nga shkrimtarët që më shumë se dy dekada më parë u ndien të lirë të botonin. Ndër më të njohurat botime të kësaj periudhe është “Rrno për me tregue” i At Zef Pllumit, një libër i shndërruar si një homazh për torturat jo vetëm mbi klerin katolik, por dhe mbi kastën intelektuale të kohës. Ata që kanë pasur rastin të pinin kafe në ish-Lidhjen e Shkrimtarëve në vitet e para pas rënies së komunizmit, nuk mund të harrojnë fytyrat e Zyhdi Moravës (një tjetër shkrimtar i mirë, krijimtaria e të cilit shumë pak është hulumtuar), Pano Taçit, apo protagonistëve të tjerë që pas viteve të tëra refuzimi për të qenë pjesë e kësaj hapësire e shihnin Lidhjen si një lloj zyrtarizimi të krijimtarisë së tyre. Një iluzion ky që pak rëndësi kishte për ata njerëz që ishin dënuar gjithë jetën për fjalët. Vera Bekteshi, një fizikane e internuar, bija e një njeriu të lartë në kupolën komuniste, do të shkruante në moshën 60-vjeçare librin e saj të parë. Maks Velo, një tjetër personazh i njohur deri në ato vite si arkitekt e piktor, pas daljes nga burgu do të botonte tregime e poezi, që mbartnin peshën e një kohe që duket se nuk mjaftonte për t’u treguar vetëm përmes ngjyrave. Dy romanet e tij “Spaçi” dhe “Hetimi” apo novela “Klubi Karavasta” sjellin profilin e një shkrimtari, që vizaton të shkuarën. Pjetër Arbnori është një tjetër protagonist i asaj që shpesh quhet letërsi burgu. Menjëherë pas daljes nga burgu, ai botoi në vitin 1992 novelën “Kur dynden vikingët”, për të botuar një vit më vonë romanin “Mugët e mesjetës”, apo “Bukuroshja me hijen”, një vit më pas. Është e gjatë krijimtaria e Arbnorit deri në vitet 2000. “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, është një roman i botuar në këtë vit për t’iu përkushtuar më pas memuaristikës, me kujtime nga burgu. Visar Zhiti e ka ndërtuar jetën në burgjet komuniste përmes vargjeve. “Ti mbyll sytë i dërrmuar/Nga puna e tmerrshme këtu nën tokë/ Patjetër je duke ëndërruar/se ëndrrave pranga nuk u vë dot…” janë disa vargje të tij të shkruara në Spaç më 1982. Libri i tij “Kujtesa e ajrit” botuar më 1993 ishte jo vetëm një dëshmi e asaj çfarë ai dhe shumë shkrimtarë të tjerë kishin jetuar në birucat e komunizmit, por dhe një risi në poezinë shqipe që deri në atë kohë kishte qenë sipas një skeme të caktuar. Kasem Trebeshina është një tjetër autor, i dënuar për shkak të krijimtarisë. Përtej letërsisë së burgut, një tjetër lloj “letërsie” e prodhuar nga ajo periudhë është publicistika, apo librat me kujtime, korrespodenca, që vazhdojnë të botohen edhe sot. Dhe pse jo një letërsi e mirëfilltë, ajo është e mbushur me momente që jo vetëm të prekin teksa i lexon, por ndihmojnë dhe historinë. Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Bashkim Shehu etj., kanë botuar këto vite kujtimet e burgut”. Një nga mjetet e mia shprehëse ka qenë ditari, por ato ngjarje i kam sjellë dhe në formën e një romani dokumentar jo fiction, siç është ‘Ridënimi’. Kam shkruar gjithashtu edhe tregimet e burgut, të mbështetura mbi personazhe reale. Ashtu sikurse kam bërë eseistikë. Por mendoj se njeriu zgjedh ato mjete shprehëse me të cilat ndihet më afër ose njeh më mirë”, do të shprehej Lubonja në një intervistë. Ndërsa Visar Zhiti do të shprehej se “Unë ribëj mozaikun e gjallë të asaj vuajtjeje mbinjerëzore, të qëndresës, të zemërimit, të shpërthimit dhe vdekjeve, të triumfit moral dhe ringjalljes, përcaktoj gurin e errët të vetes në atë mozaik, ndërkaq jam kudo aty, sovran dhe krijues. Përvoja ime, pra, në fund të fundit, ka si ambicie që unë të shkruaj krahas të vërtetës historike edhe veprën letrare, të jenë një e përbashkët. Që të lexohen si roman. Të marrin ato porosi dhe atë emocion, që gjithçka të ndihet e tashme në çastin e leximit. Unë besoj dhe e kam shpjeguar dhe herë tjetër se te ne po zhvillohet ajo metodë letrare që mund ta quajmë “Realizëm i dënuar“, pra letërsia e një realiteti të dënuar”. Bashkim Shehu do të shpjegonte te romani i botuar pak kohë më parë “Loja shembja e qiellit” ku gërshetohen kujtime nga ajo periudhë. Është e gjatë historia e shkrimtarëve dhe poetëve që shkruan në atë periudhë, e atyre që u dënuan, atyre që nuk arritën të dilnin të gjallë nga burgu, apo atyre që arritën të shkruanin dhe kujtime nga ajo periudhë te një pjesë e tyre vazhdon të peshojë harresa, një pjesë kanë arritur të shkojnë te lexuesi. Ka pasur disa studime mbi letërsinë e burgut këto kohë. Një studim serioz mbi atë periudhë e ka bërë Bujar Leskaj. Po kështu ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, do të botonte pak vite më parë një libër të quajtur “letërsia e burgut”. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve kjo letërsi vazhdon të jetë shumë pak e njohur, e në morinë e librave që kanë dalë në sipërfaqe vazhdojnë të flenë ende nën to diamante. Duhet një politikë e cila do të mbështeste hulumtimin dhe botimin e kësaj letërsie. Pasi një pjesë e kësaj letërsie vazhdon të jetë ende në dorëshkrim, diku në sirtarët e vjetër të pasardhësve të këtyre autorëve që pavarësisht kujdesit me të cilin e ruajnë nuk mund t’i japin dot atë çfarë meriton. Transkriptimi dhe botimi i tyre do të hulumtojë më tej dhe debatet e ngritura shpesh mbi disidencën në historinë e letërsisë shqipe. Por përtej ndërtimit të këtij debati, le të kontribuojmë për t’i lexuar këto vepra të një trashëgimie të trishtë tonën.