Vitet e fundit Disney ka dashur të sjellë klasikët që e bënë atë që është duke përdorur teknologjinë në sub-zhanrin që ka një emër të vetin – live action films, një gërshetim i interpretimit të aktorëve të gjallë me rendera kompjuterik që luajnë krah tyre. Forma ka dekada që është e pranishme, ajo që ndryshon është qasja që 20-30 apo 40 vite më vonë prodhuesi më i madh i filmave për fëmijë në botë ka, duke dashur të reflektojë vlerat e shoqërisë ku po jetojmë pa i ikur historisë origjinale të treguar në ekranin e madh (apo të vogël).
Edhe pse shumë prej klasikëve të rikthyer në këtë formë nga Disney kanë dështuar të përsërisin qoftë edhe një fraksion të suksesit të parardhësve të tyre, që sot duken si të thjeshtë e pa-pretendime, “Lilo&Stitch” [dalë për herë të parë në 2002, teknikisht jo një klasik i Disney, por sidoqoftë një nga filmat më të rëndësishëm të kompanisë] mund të hyjë në përjashtimet që konfimojnë rregullin e vendosur nga dështime si “Borëbardha” apo “Pinoku”.
Sigurisht, tifozët e filmit origjinal nuk do të bëhen në asnjë formë fansa të filmit të ri, por fëmijët e sotëm, të mësuar me më shumë zhurmë, vrull dhe shpërqëndrim do të argëtohen pa masë.

Nga pikëpamja e historisë, pak ose asgjë ka ndryshuar nga origjinali. Gjëra të cilat ‘kohët’ e sotme nuk do t’i toleronin sepse jemi bërë më cinik se dikur dhe jo çdo gjë na bën për të qeshur, të paktën jo publikisht, ndryshe rrjetet sociale të kryqëzojnë. Stitch-i i ri, i kompjuterizuar është shumë po shumë i lezetshëm, duke mos humbur asgjë nga thelbi që kishte atëhere kur u krijua, gati 25 vite më parë. Po ashtu edhe personazhet e tjera aliene. Aktorët në më të shumtën e rasteve janë disi afër mendjes, disi të zakonshëm, duke mos i shtuar diçka me tepër kësaj përçapjeje të re.
Të kuptohemi, asnjë prej jush që do të shkoni në kinema prej fëmijëve, nipërve apo mbesave, apo vetëm, sepse edhe pse i keni kaluar të tridhjetat nuk ua ndjen nëse do t’ju gjykojë bota se shikoni akoma filma për fëmijë; nuk do të dalë i zhgënjyer nga kinemaja, sikundër (mbase) nuk do të dalë i kënaqur.

Me regji të Dean Fleischer Camp, filmi [ri]tregon historinë fatkeqe, të çuditshme e fantastike të gjashtë vjeçares Lilo (Maia Kealoha), një vajzë që po rritet nga motra më e madhe Nani (Sydney Agudong), pasi prindërit nuk jetojnë më. Në shtëpinë e tyre në Hawaii, një alien i çuditshëm, njëkohësisht i frikshëm dhe tërheqës do të vijë si një uragan që duket sikur do të japë dorën e fundit në shkatërrimin përfundimtar të një familjeje; por jo çdo gjë që fillon keq mbaron ashtu – të paktën në rastin e Stitch (Chris Sanders, një nga regjisorët në filmin origjinal).
Për t’i ikur dy të dërguarve intergalatikë: Jumba (Zach Galifianakis) dhe Pleakley (Billy Magnussen), Stitch përdor Lilon dhe nevojën e kësaj të fundit për një shok. Përgjatë këtij konflikti mes tyre do të përjetojmë një katarsis mes Nanit dhe Lilos, dy motra të cilat, të gjendura përpara fatkeqsisë janë duke humbur të vetmen gjë që u ka ngelur, njëra-tjetrën. Një nocion i rëndësishëm në gjuhën vendase ‘ohana’ – ‘askush nuk lihet pas (në familje ose shoqëri)’ – do të kthehet në një leitmotif që mund të aplikohet lehtësisht në jetën e secilit prej nesh në familje apo shoqëri.

E nëse në rikthimet e ngjashme të Disney-t si “Sirena e Vogël” apo “The Lion King” niveli i lartë i animacionit por edhe i xhirimeve reale ishte një qerasje për sytë vizualisht, “Lilo & Stitch” ngjan më shumë si telefilm nga ato që Disney Channel transmeton paraditeve.
Nga ana tjetër kimia që aktorja që vesh kostumin e Lilo-s, dhe krijesa imagjinare Lilo kanë me njëra-tjetrën është vërtet autentike, shumë e lezetshme, dy partnerë të vërtetë në krim, dhe dy interpretime që do të pëlqehen më shumë nga më të vegjëlit sidomos ata pak më mistrec. Është gati e pabesueshme se si është arritur kjo në ekran, por është vërtet e bukur ta shohësh.
Siç ndodh rrallë, edhe për një film të madh si ky, salla ishte plot e përplot në javën e dytë të shfaqjes, diçka që pasqyrohet në çdo territor ku filmi është duke u shfaqur, duke e bërë “Lilo & Stich” një histori suksesi në morinë e historive të shumta të dështimeve ose thuajse dështimeve – kryesisht për shkak të ndryshimeve të historive origjinale për t’i bërë këta filma më përfshirës e më ‘neutralë’. I vetmi ndryshim këtu ishte preznatimi i alienëve që ndjekin Stitch fillimisht si njerëz (madje më shumë si njerëz sesa si alienë) dhe kjo mbase si formë për ta parë Galifianakis më gjatë në ekran.

Edhe pse personalisht do doja që filmi të kishte më shumë frymëmarrje, duke kuptuar targetin, e imagjinoj pse nuk ka të tilla. Skenat mes dy motrave janë vërtet të rëndësishme për fëmijët pak më të rritur, ndërsa skena finale, është edhe më e mirë se filmi origjinal, duke marrë peshën që i takon dhe duke e veshur me seriozitet dhe emocion historinë.
Është e sigurt që do të jetë një dy orësh argëtues për familjen përvoja e të parit të “Lilo & Stitch” me të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka, akoma më e sigurt është se me ç’kemi parë nga Disney në 5 vitet e fundit ky anon përfundimisht nga të mirat!