Legjenda e Rozafës erdhi për publikun shqiptar në një formë të re të interpretimit. Katër të rinj të bashkuar në “Aion Teatër”, ndonëse kanë studiuar teatrin klasik, kanë vendosur “të protestojnë” ndaj formave që ata i quajnë shterpe


Oliverta Lila


Marsel Lesko, i lindur në Shijak, jeton prej vitesh në Itali. Ka mbaruar Akademinë e Artit Dramatik në Romë, për t’u specializuar më pas në Paris. Ka një formim klasik, por që në fillesë të punës së tij ka hequr dorë nga inskenimi sipas rregullave. Nuk i duhet domosdoshmërisht një skenë teatri, as aktorë që i binden profilit që regjisori ka ndërtuar për personazhin e tyre dhe as skenarë të mirëfilltë. Së bashku me tre artistë të rinj, dy italianë (Magda Saba, Federico di Maio) dhe shqiptarin nga Shkodra, Robert Bisha, pianist në profesion, kanë ngritur një kompani teatrore të quajtur “Aion Teatër”. Pak ditë më parë, kanë prezantuar në Shkodër “Legjendën e Rozafës”. Poezi e interpretuar, ritëm, instrumente muzikore të traditës, lëvizje. Ata nuk e konsiderojnë veten as nga ata që bëjnë teatër kontemporan. Lesko na tregon më shumë për formën në të cilën kanë zgjedhur të shprehen.


“Legjenda e Rozafës” është shfaqja që ju keni prezantuar për publikun e Shkodrës dhe Ulqinit. Pse ju ngacmoi kjo legjendë për ta kthyer në një shfaqje teatrore?


Propozimi erdhi thjesht nga Shoqata Turizmi Kulturor dhe nga presidenti i saj, Armada Molla, pas bashkëpunimit të mëparshëm me shfaqjen “I Huaji” në Orikum. Zakonisht fara që lind një punë të re të “Aion Teatër” nuk vjen nga një kërkim i yni, por nga puna e përditshme. Në rastin e legjendës së Rozafës është hera e parë që propozimi vjen nga jashtë. Për ne, çdo propozim që jep tematika që nuk kanë kohë apo që injorojnë “historinë e kalendarit”, mundet të jenë filizat e një pune të re. Legjenda e Rozafës ofron shumë vlera njerëzore si besën, sakrificën, arketipin e nënës, dhe meriton të jetë e shërbyer si një krijesë që dhuron jetë.


Është një shfaqje e menduar vetëm për publikun shqiptar?


Rozafa është hera e parë që shfaqet në Shkodër, por është një punë si të gjitha punët tona, globale. Të gjitha shoqëritë antike e kanë themeluar jetën e tyre mbi sakrificën. Ajo që ne vëmë në skenë është përtej kufijve të gjuhës dhe historisë. Arketipi ekziston përpara kufijve dhe nacionalizmave. Natyrisht publiku shqiptar hyn më shumë në detaje përmes fjalëve, por gjinia që ne lëvrojmë, përdor kanale të tjera komunikimi që i drejtohen ndjenjës dhe thelbit të çdo individi.


Koha me shi ju detyroi ta zhvendosnit shfaqjet nga ambientet e kalasë në teatrin “Migjeni”. E cenoi kjo konceptin tuaj artistik?


Këtu nuk flitet më për një koncept artistik, por për një akt jete. Puna që ne propozojmë nuk preferon një ambient më tepër se tjetri, por ndryshon sipas vendeve që shfaqet. Kalaja e Rozafës ka me vete forcën e legjendës dhe të natyrës. Është pjesë e punës tonë dëgjimi i plotë i ambienteve dhe janë ato vende ku ne marrim energjinë për punën. Tingëllimi i një vendi është timbri i parë i punës sonë.


“Αion Teatër” është ngritur jo thjesht mbi konceptin e një teatri klasik. Pse lindi domosdoshmëria për të folur përmes muzikës, plastikës…


Unë vij nga një formim i teatrit klasik. Kam mbaruar në Akademinë e Artit Dramatik në Romë, është specializuar në Paris dhe ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Europë. Kudo kam gjetur një formë shterpe dhe të pajetë të teatrit. Teatri nuk duhet të jetë vetëm një vend zbavitjeje, por një vend ku me të vërtetë të ndodhë diçka. Këtë kam kërkuar gjithmonë të arrij. Për ta bërë të mundur m’u desh të largohem nga Akademitë dhe nga format e klasikes. Si grup jemi gjithashtu larg nga i ashtuquajturi teatri bashkëkohor. Është nevoja e një ndryshimi të brendshëm duke pastruar gjithmonë e më shumë ndjesinë e atij që vepron dhe atij që merr pjesë. Kjo më ka shtyrë mua dhe kolegët e mi të kërkojmë një gjini ku preferohet timbri, lëvizja, zëri dhe maskat si mjete shprehëse. Nuk mund të themi që është një gjini e “re”, por më tepër një tendosje drejt asaj lashtësie që nuk ka më limitet e kohës. E vetmja gjë e re e punës sonë është dëgjimi total i momentit të tashmë.


Sa i pranueshëm është nga publiku ky teatër eksperimental?


Natyrisht, ka një pjesë të vogël publiku ku zakoni mbretëron, që duan menjëherë të kuptojnë çfarë po ndodh dhe i tremben kësaj forme që ne propozojmë. Por pjesa më e madhe reagon në mënyrë të gjallë dhe pozitive. Dëshmia është publiku i Shkodrës dhe ai i Ulqinit. Kjo ndodh sepse secilit prej pjesëmarrësve nuk i imponohet “diktatura” e një regjisori, e një mesazhi ose e një kuptimi të njëanshëm. Ai që merr pjesë është i thirrur të jetojë e të dëgjojë atë që ka brenda vetes, nëpërmjet punës. Ajo që ngadalëson lindjen organike, për sa i përket aspektit praktik dhe ekonomik të “Aion Teatër” është e njëjta frymëvdekje që mbizotëron kulturën, artin, (ose më mirë jetën) pra dhe publikun.


Ju jeni katër artistë të rinj, me dëshirën për të bërë art. Duke nisur nga situata në Shqipëri, ku asnjë kompani teatrore private thuajse nuk funksionon më, si “mbijetoni” në këtë klimë?


Kësaj pyetje i përgjigjem me fjalët e një kryeplaku indian të Amerikës që i shkruan një politikani: “Nga sot vdes jeta dhe lind mbijetesa”. Ka tashmë shumë shekuj që luftohet kjo betejë dhe ne vazhdojmë në këtë drejtim.


Nëse flasim në terma klasikë, ju bëni regji, skenar, aktrim. Nuk i “marrin” njëra-tjetrës këto angazhime?


Përçarja e roleve dhe e zanateve është vepër e modernitetit… Një nga bazat e punës sonë është pastrimi i vazhdueshëm nga egoja. Secili nga ne ka mënyrën e tij të të shprehurit dhe kualitete të veçanta dhe personale, por asnjeri nuk mund t’i thotë vetes autor, regjisor apo nuk e di çfarë tjetër. Gjithçka që realizojmë është rezultat i një pune individuale dhe më pas e lidhur njëra me tjetrën dhe çdo aspekt merr forcë dhe vlerë nga thurja dhe shkrirja e të gjithave në një pikë të përbashkët: fjala nga timbri, timbri nga lëvizja, maskat nga zëri dhe anasjelltas. Nuk jemi autorë të asgjëje, vetëm shërbëtorët e punës sonë.