Konkursi
Janë 11 projektet që janë paraqitur në Teatrin Kombëtar në konkurrim për “Fondin publik për të rinjtë”. Afati i dorëzimit ka përfunduar dhe siç njofton TK-ja, juria e përbërë nga regjisorja Andia Xhunga, regjisori Lorin Terezi dhe aktorja Elia Zaharia, do të shpallë projektet fituese deri më 21 shtator. Fondi i vënë në dispozicion për këtë vit është 37 milionë lekë të vjetra (më pak se një vit më parë ku shifra ishte 3 963 000 lekë) dhe është menduar që të realizohen 6 shfaqje (5500 lekë secila), një shumë që mund të ndryshohet nga juria në bazë të projekteve. Kriteret janë thuajse të njëjta me vitet e shkuara: regjisorët dhe aktorët nuk duhet të jenë më shumë se 35 vjeç, nuk bëjnë pjesë fituesit e edicioneve të shkuara dhe ata që kanë aplikuar dy herë. Fituesit e vitit 2012 do të angazhohen gjatë vitit në role dytësore gjatë sezonit të Teatrit Kombëtar, ndërsa në ndryshim nga një vit më parë, pjesët fituese do të ngjiten në teatrot e rretheve, për t’u finalizuar në Festivalin Teatror të të Rinjve” që do të organizohet në TK, Teatrin e Komedisë dhe Teatrin e Metropolit. Aplikuesit për këtë vit janë: Amela Demaj me “Princesha e bukur e Leh-nan” nga Martin Medonagh, Alketa Haxhiu me pjesën “Të mërkurën” nga Derek Benfield, Enson Mula me “Perëndimi i vërtetë” nga Sam Sherpard, Desara Xhangolli me “Shërbëtorët”, Jean Genet; Anila Balla me “Të parët dhe të fundit”, John Galsworthy; Dorjana Caushi me “Dashuri dhe çmenduri” nga Xhon Osborn; Orjada Zeza me “Britma grash” nga Babis Cikloropulos; Esmeralda Stafa me “Kontrata”, Sllavomir Mrozhek; Getorarbe Mulliqi me “I dashur i panjohur”, shkruar po nga vetë Mulliqi; Luljeta Hoxha me “Tersi i Zululandit”, Arben Iljazi dhe Saimir Gongo me “Rrjeta”, shkruar nga vetë regjisori.