Festivali i Monodramës në Pejë të Kosovës
Aktori i njohur, Mehdi Malkaj, është vlerësuar si aktori më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAKT” 2016, që u mbajt pak ditë më parë në Pejë të Kosovës. Këtë vit, festivali ishte në edicionin e tij të tetë. Ai u vlerësua me çmimin aktori më i mirë i festivalit me monodramën “Marr guximin” me autor Vangjel Kozma. Ky aktivitet kulturor u organizua nga drejtori i këtij festivali, z. Mentor Zymberaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe me Kuvendin Komunal në Pejë. Në këtë aktivitet morën pjesë 5 shtete të ndryshme si Kosova, Bullgaria, Sllovakia, Rumania dhe Shqipëria. Juria e këtij festivali përbëhej nga Nina Mazur nga Ukraina, Ursula Wendenberg nga Zvicra dhe Reshat Sahitaj nga Kosova. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës zgjati pesë ditë dhe gjatë këtij festivali u vizituan disa vende me rëndësi historike dhe kulturore. Kjo monodramë u ngjit në muajin maj në skenën e Teatrit Kombëtar. “Marr guximin…” është një sintezë e eseve satirike të librit “Shënime Pornolitike”, të cilin autori Vangjel Kozma e ka botuar në vitin 1999, po që për arsye të panjohura, nuk është lejuar të qarkullojë dhe vjen njëherësh me ribotimin e librit. Filli që lidh etydet është një personazh anonim, i cili ngrihet për të ndezur një llambë që fiket pak para fillimit të shfaqjes dhe befas e sheh veten, për herë të parë, në një skenë – podium, nga ku ka mundësinë të thotë për publikun ato që e kanë munduar në jetën e tij të gjatë në këtë vend paradoksesh dhe ku vazhdimisht ka qenë, siç e pohon vetë, “Një ushtar i thjeshtë i Perandorisë së Absurdit”. Lënia e personazhit në konturet e anonimatit dhe satira gati e përvuajtur, krijojnë harkun e parabolës dramatike që shoqëron shfaqjen nga fillimi në fund.