Ministri Aldo Bumçi ka paraqitur ndarjen e buxhetit për shtatë fushat që mbulon ministria. Buxheti është ulur me 2.5% me një vit më parë, ndërkohë që deputetët kanë kërkuar që në këtë ministri të kryhet një reformë urgjente për nxitjen e zhvillimit të fushave përkatëse
Deputetët e PS-së: Po ushqehen klientët politikë. Marku: Të ketë reformë
Oliverta Lila
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, thirri dje në një seancë dëgjimore ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi, mbi projektbuxhetin e vitit 2013. Ministria që ai drejton, e që parashikon menaxhimin e fondit për trashëgiminë kulturore, artin dhe kulturën, sportin, rininë, turizmin dhe kultet, ka një buxhet që arrin në rreth 2 miliardë lekë. Duke e krahasuar me vitin 2012, rreth 51 milionë më pak. Siç e theksoi edhe Bumçi, shënon një ulje 2.5% krahasuar me një vit më parë, por kjo sipas tij prek vetëm investimet e jo pagat apo shpenzimet korrente. Duke folur gjithnjë në përqindje, ministri Bumçi theksoi se programi i Artit dhe Kulturës përbën 37.5% të totalit( nga 690.984.000 në 2012 në 756.208.000 në 2013 duke shënuar rritje), Trashëgimia Kulturore 20%(nga 554.224.000 në vitin 2012 në 398.878.000 në 2013 duke shënuar ulje), programi i zhvillimit të sportit 23% (nga 424.527.000 në 455.415.000 duke shënuar rritje), programi i planifikim menaxhimit 8% (nga 149.368 në 156.891, duke shënuar rritje), programi i zhvillimit të turizmit 5% (nga 108.858 në 96.830, duke shënuar ulje), Rinia në 0.5% (nga 10.274 në 9.128, shënon ulje) dhe programi për mbështetje të bashkësive fetare 6% (nga 116.310 në 129.496, shënon rritje). Duke u ndalur më specifikisht për secilën nga fushat, Bumçi nënvizoi tre projekte të trashëgimisë në të cilat do të investohet: ndërtimi i muzeut të gjenocidit në Shkodër (130 milionë lekë të vjetra), rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik në Durrës (250 milionë lekë të vjetra) dhe bashkëpunimi me BE-në për të investuar në qendra historike. Në fushën e Artit dhe Kulturës, ministri shpjegoi se pjesën më të madhe të fondeve e marrin institucionet ekzistuese të kulturës (Teatri i Operës, Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Qendra Kombëtare Kinematografike, Arkivi i Filmit, Biblioteka Kombëtare, Cirku Kombëtar), të cilat hartojnë kalendarin artistik sipas bordeve të tyre. Me krijimin e Qendrës Kombëtare të Artit, ministri Bumçi shpjegoi se MTKRS-ja do të distancohet në këtë mënyrë nga projektet duke i lënë dot këtij institucioni që do të funksionojë mbi katër borde. Kujtojmë se gjatë vitit që shkoi, edhe pse roli i këtij institucioni u lakua shumë, nuk u bë asnjëherë e qartë se cilat projekte financoi. Pjesa tjetër do të shkojë për përvjetorë personalitetesh(80-vjetori i lindjes së baletmaestros Agron Aliaj, 90-vjetori i lindjes së baletmaestros Panajot Kabaçi) dhe për përvjetorë institucionesh (60-vjetori i krijimit të TOB-it), për fondin publik të të rinjve, për vënien e kulturës në funksion të turizmit, nxitjen e krijimtarisë kombëtare, promovimi i artit shqiptar në arenën ndërkombëtare, mbështetja e projekteve rajonale. Investimet në fushën e artit kanë të bëjnë me rikonstruksionin e sistemit elektrik dhe kondicionimit të Bibliotekës Kombëtare, blerje pajisjes në objektet social-kulturore(50 milionë lekë), pajisjen me mjete të Cirkut Kombëtar dhe Qendrës Kombëtare të Artit. Për sa u përket prioriteteve që do të ndiqen në fusha të tjera ka përshkrime të përgjithshme, por jo aktivitete të specifikuara. Pas kësaj paraqitjeje, deputetët e opozitës kanë lëshuar një sërë kritikash për sa i përket mënyrës se si Ministria e Kulturës menaxhon çdo vit fondin që i vihet në dispozicion. Nënkryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj, duke theksuar një ndarje klienteliste të fondeve, ka folur për një mungesë vizioni për sa i përket kësaj ministrie. “Nëse lexon buxhetin e kupton që këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë vizion lidhur me zhvillimin e këtyre sektorëve në Shqipëri. Sipas meje duhet të ketë një reformë dhe mbi ketë të ngrihet një buxhet. Këtu ndodh e kundërta, kemi ca para dhe po i shpërndajmë copa-copa për të mbyllur disa vrima qoftë në fushën e kulturës, qoftë në fushën e sportit dhe rinisë. Për turizmin nuk e besoj që ia vlen të diskutohet, sepse ato thërrime nuk mund të ndikojnë për turizmin në Shqipëri. Ministria që është politikëbërëse duhet të mendojë për vizion e të bëjë presion mbi qeverinë që buxheti i kulturës të mos shkojë poshtë vit pas viti siç edhe po ndodh”, ka thënë Leskaj. Po ashtu, deputeti i PS-së, Aldrin Dalipi, e quajti këtë ndarje fondesh si ushqim për klientët e përhershëm. “Me keqardhje shoh që për 2013-n ju jeni vetëm firmëtari dhe drejtuesi i një borderoje me një buxhet 1 milion euro, nga të cilat ju sot sapo konfirmuat që në këtë viti zgjedhor, 82% do të shpërndahen për shoqata, klientë politikë të kësaj ministrie të rëndësishme. Në këtë vit krize ju mendoni të ushqeni klientët tuaj”, ka theksuar Dalipi. Zërat kritikë kanë ardhur edhe nga zërat e mazhorancës. Deputeti Mark Marku, ka kërkuar që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të krijojë një strategji të qartë për nxitjen e zhvillimit kulturor, turistik, të trashëgimisë. “Duhet të ndryshojë koncepti për mënyrën se si bëhen investimet në fushën e kulturës. Në 20 vitet e fundit, fondet e MTKRS-së janë përdorur si mbështetje sociale dhe jo si nxitje. Prej 20 vitesh me këto fonde ushqehet një lloj parazitizmi kulturor dhe përdoren për investime të vlerave mediokre”, ka thënë Marku. Ministri Bumçi u pyet edhe për gjendjen në të cilën është lënë aktualisht Piramida, por nuk dha një përgjigje për këtë rast, ndërsa iu referua edhe njëherë projekteve në fushën e trashëgimisë, për të theksuar se ato ishin dëshmitë e vizionit të qartë të ministrisë. Nga ana tjetër, një pjesë e aktiviteteve të 100-vjetorit të pavarësisë ende nuk janë shlyer, e nëse detyrimi ndaj tyre do të mbartet për vitin 2013, atëherë kjo do ta thellojë krizën e fondit.