Ministria e Kulturës do të bashkëpunojë me Bashkinë e Korçës për ringritjen e godinës ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës. Projekti do të ndërtohet në bazë të materialeve arkivore, ndërkohë që shembja u quajt e qëllimshme nga MTKRS-ja. Sipas ligjit “Për trashëgiminë”, personat përgjegjës dënohen me burg 


Oliverta Lila


Shtëpia e Flamurit në Korçë do të rindërtohet. Një javë pas shembjes së saj më 16 gusht, Ministria e Kulturës ka aprovuar kërkesën e Bashkisë së Korçës për ta ringritur siç ishte në origjinal. Zv.ministri i Kulturës, Abaz Hado, gjatë një konference të djeshme për shtyp, theksoi se godina, shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1977, është shembur në mënyrë të qëllimshme dhe jo si pasojë e amortizimit fizik. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në zbatim të Ligjit nr. 9048, dt. 7.4.2003 ‘Për trashëgiminë kulturore’ (i ndryshuar) dhe VKM nr. 238 dt. 23.3.2011 ‘Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj’ do të hartojë projektin e banesës dhe do të bashkëpunojë me Bashkinë e Korçës për rindërtimin e saj”, ka theksuar Hado në fjalën e tij. Ditën e shembjes, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, deklaroi se kërkonin vetëm miratimin e projektit të rindërtimit, ndërsa do të financonin plotësisht ngritjen e banesës, siç ka qenë më parë. Projekti do të hartohet në bazë të arkivit fotografik që ruhet, por ende nuk është e qartë nëse pjesa e inerteve të mbetura në trotuar nga shembja do të përdoren sërish në ndërtimin e ri apo jo. Sipas Hados, Ministria e Kulturës nuk ka preferuar të dalë më parë me një deklaratë për shtyp, pa pasur të gjitha informacionet e duhura mbi çështjen. “Ne i kemi të gjitha të dhënat e sakta dhe nuk do të guxojë askush të pengojë rikthimin e monumentit në gjendjen që ishte”, ka thënë Hado. Ndërkohë, ndonëse ka theksuar se shembja e godinës nuk ka ardhur si pasojë e moskujdesjes dhe mosinvestimit në të, por si një veprim i qëllimshëm, Hado ka theksuar se veprimet hetimore do të kryhen nga organet përkatëse, të cilat do të përcaktojnë edhe shkaqet e shembjes. “Në datën 16 gusht, është konstatuar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Korçë, se banesa ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës në vitin 1916 ishte shembur. DRKK-ja e Korçës, me shkresën ‘kërkohet hetim’, nr. 121 të po asaj date, i ka kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë fillimin e procedimit penal për këtë çështje”, thekson Hado. Skenarët se pse e shkatërruan këtë monument janë të shumtë, gjithnjë të përfolura nën zë. Në mes mbeten gjithmonë interesa ekonomike. Atë ditë që gërmadha kishte zënë një pjesë të bulevardit, qytetarë të Korçës pëshpëritnin për ngritjen e një godine të re, mundësisht një qendre tregtare e të tjerë edhe për qarqe që kërkojnë të fshijnë historinë dhe traditën e Korçës. Duke parë nga afër, ato pak pjesë të mbetura në këmbë të mureve, vështirë të besoje në një shembje nga amortizimi. Muret e trasha dukeshin ende rezistente, ndërkohë që një vit më parë, teksa fotografoja pjesët e shkallëve të rrënuara, njerëz të lidhur me trashëgiminë e këtij qyteti patën paralajmëruar një zhdukje të mundshme të këtij monumenti, ndërtuar më 1984-n e ku Themistokli Gërmenji ngriti në dhjetor të vitit 1916 flamurin që shpalli Krahinën Autonome të Korçës. Sipas ligjit “Për trashëgiminë kulturore”, në rastet e shembjes së një monumenti kulture, është e detyruar ringritja në të njëjtën formë dhe vëllim, prandaj në parim pronarët e shtëpisë janë të detyruar të veprojnë vetëm sipas këtij ligji. Policia ka marrë në pyetje një sërë personash që mund të kenë dijeni apo që kanë qenë dëshmitarë të shembjes. Në rast të shembjes së qëllimshme, për autorin parashikohet procedim penal dhe dënim me burg.


 


Rindërtimi


Gjerak Karaiskaj: Godina s’do të ketë vlerë arkitekturore, por historike


Gjerak Karaiskaj, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, mendon se rindërtimi i Shtëpisë së Flamurit në Korçë është një debat që duhet të bëhet mes specialistësh. I referohet në këtë mes vlerës që do të kishte ky monument i ringritur. Duke theksuar se rindërtimet e monumenteve, sipas variantit origjinal, janë të rralla, Karaiskaj sjell si rast Varshavën. “Pas bombardimit të gjermanëve, Varshava u rindërtua tërësisht. Pas kaq vitesh UNESCO e shpalli pasuri botërore. Duhet të kemi parasysh që kopja e monumentit nuk është vetë monumenti dhe nga ana teorike nuk justifikohet rindërtimi i një ndërtese kur është prishur komplet, sepse nuk ka më vlerë si monument, por në raste të veçanta mund të bëhet rindërtimi. Fakti që Varshava u ringrit dhe u shpall më vonë pasuri e UNESCO-s, u bë si një sfidë ndaj një shkatërrimtari të qëllimshëm, siç ishte nazizmi apo të çdo shfaqjeje të tij në çdo kohë. Për sa i përket godinës së Korçës, ky monument ka qenë i kategorisë së parë si vlerë arkitektonike, përfshirë edhe vlerën historike. Pak ndërtesa të fundshekullit XIX kanë mbetur nga ajo kohë. A ia vlen që kjo ndërtesë të rindërtohet apo jo? Ky është diskutimi. Për sa u përket vlerave arkitektonike, do të jetë një kopje dhe jo e njëjta gjë. Megjithëse mund të mblidhen gërmadhat, ka vlera teknike që nuk mund t’i përsëriten. Nga ana tjetër, ka vlerë historike, sepse në ballkonin e asaj ndërtese është ngritur flamuri. Nëse çështjen e marrin në shqyrtim politikanët, duhet të vendosin ta mbajnë apo ta hedhin flamurin”, thekson Karaiskaj.


 


Reagimi


Protesta, stop prishjes së monumenteve


Më parë se Ministria e Kulturës të dilte me një reagim për shtyp, ku u njoftua ringritja e Shtëpisë së Flamurit, qytetarë të Korçës kanë protestuar dje para shtëpisë së shembur të patriotit Themistokli Gërmenji. Në pemë dhe mure dyqanesh gjendeshin pankarta si “Zgjohuni korçarë”, “E duam historinë e Korçës”, “Stop dhunës së vlerave monetare mbi vlerat historike e kombëtare” etj. Sipas protestuesve, shembja e shtëpisë vjen fill pas grabitjes së pikturave të çmuara në Galerinë e Arteve në Korçë. Ata bënë thirrje për ndaljen e krimeve kulturore dhe kërkuan që autoritetet të punojnë më shumë në mbrojtjen e monumenteve dhe veprave të artit e kulturës. Ata kërkuan përshpejtimin e procedurave për ringritjen e kësaj godine, një reagim që pasoi atë të disa ditëve më parë. Qytetarët janë shpërndarë më pas të qetë, duke kujtuar se do të ketë vazhdimisht organizime si sensibilizim për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe historike. G. Ashimi