Në thuajse 3 orë, 62 vjeçari Tom Cruise  (63 vjeç në Korrik) vrapon më pak se dy minuta, shumë më pak krahasuar me “M:I Ghost Protocol” (2011), kur agjenti sekret Ethan Hunt vraponte mes një stuhie rëre apo “M:I Fallout” (2018). Siç mund ta keni lexuar, sipas një studimi, vrapi i tij është kthyer në një matës të suksesit të një sage e cila quhet Mision i Pamundur por që mbase duhej quajtur Mision i Mundur, me vendosmëri dhe përpjekje, qetësi dhe dashuri kur ke resurset e duhura. Më shumë vrap, më i suksesshëm filmi. Kapitulli që me gjasë është i fundit, nga sasia e pakët e vrapit apo jo, nuk është, fatkeqsisht, më i miri, por ngelet një film që të shijon, një nga të paktat arsye për të shkuar në kinema në vitet e fundit.

Tom Cruise nuk ndalet; sipas deklarateve të [tij] fundit do të vazhdojë të bëjë filma deri 100 vjeç, ndërsa ne ankohemi nga gjunjtë e mesi pas një loje me fëmijët. Edhe në këtë epilog të misioneve të çmendura dhe frymëmarrëse skenat që do t’ju lënë pa mend janë të shumta dhe tërheqëse. Edhe pse protagonisti mund të jetë pak më i bëshëm dhe me rrathë tek sytë në krahasim me filmin e parë në 1996, fuqia e tij ngelet e pashterrshme për të provuar gjëra të cilat nuk janë parë, momente aksioni të gjata dhe të komplikuara në të cilat ai rrefuzon, përpos viteve dhe rreziqeve të gënjejë publikun, por të tregohet i ndershëm me të; duke e kthyer Mission Impossible në një tregim gati autobiografik për aftësitë e tij [atletike] të shumta.

“I keqi” në këtë kapitull përmbyllës – (mbase si jo-rastësisht) është inteligjenca artificiale, në një skenar shkruar nga regjisori Christopher McQuarrie dhe Erik Jendresen si vazhdim i atij të dy viteve më parë “M:I Dead Reckoning” është i rrëmujshëm, ngandonjëherë patetik e i sforcuar, sidomos në pjesën e parë të tij. Personazhet, edhe ata që i njohim prej vitesh, por mbi të gjitha ata që u prezantuan përpara dy vitesh në këtë pjesë të dytë duken si dy-dimensionale. Të gjithë personazhet, mbi të gjitha ato femërorë janë të zhveshur e të sheshtë, duke mos pasur thuajse asgjë, edhe nga ato që kemi parë prej tyre në të shkuarën. Duket sikur skenaristët nuk kanë patur kohë mjaftueshëm për t’i dhënë krijesave të tyre lezetin që meritonin.

‘The Entity’ – një lloj fuqie kibernetike, tashmë rrezikon ekonomitë globale, duke i sjellë superfuqitë botërore përballë një lufte të ndërsjelltë atomike – Lufta e tretë kanoset. Hunt dhe skuadra e tij do të përballojë kështu misionin e fundit për të shpëtuar botën [edhe njëherë]. Dobësia e heroit për të mos sakrifikuar asnjë nga anëtarët e skuadrës për të shpëtuar njerëzimin është njëkohësisht edhe dobësia më e madhe e historisë, po ta heqësh nga konteksti, dhe ta shikosh këtë film si të palidhur me të tjerët. Por është pikërisht trauma që ai ka pësuar në filmin e parë – pasi i vrasin skuadrën përpara syve – që e bën atë të gjejë një mënyrë për të shpëtuar të dashurit e tij paralelisht me botën. [Nuk dua tua prish filmin atyre që nuk e kanë parë ende]

Xhiruar në Britani, Maltë, Norvegji dhe Afrikën e Jugut, ka prej tyre që mendojnë se ‘The Entity” është një variant metaforik i Amerikës Trumpiste – shkruan Justin Chang tek The New Yorker.

“Na do të ndarë” – thotë Hunt në një moment. Sakaq, në një tjetër moment tregohet mënyra foshnjarake e të drejtuarit të vendit më me influencë në botë. Megjithatë duhet thënë që “Mission Impossible” ka qënë ngahera politikisht korrekt, duke u treguar i matur kur vjen puna tek thikat direkte në mesazhe politike.

[Nëse mendoni se] një film, jo domosdomshmërisht, duhet të jetë një vepër arti, [po] mund të jetë edhe një transport mendor dhe shpirtëror në një botë paralele, tejet eksituese, ndërsa jemi duke mbllaçitur tasin e kokoshkave në poltronat e kuqe të kinemasë. E me gjithë faktin që kjo seri e tetë të Misionit të Pamundur nuk arrin të përmbushë disa cilësi që do ta bënin një film të jashtëzakonshëm, është absolutisht një film të cilit sa do ti rikthehesh sa herë ke nevojë të argëtohesh pa u plogështuar.

Ora e parë filmit është komentuar thuajse njëzëri që është e keqe, në gjysmën e dytë, filmi bëhet i thellë. Zhytur në det, diçka e mrekullueshme dhe e nevojshme ndodh me të, heshtja, suspansa, duke e balancuar të gjithë zhurmën e montazhit nga gjysma e tij e parë. Për minuta të tëra, Cruise bën çdo gjë i zhytur, (përveçse këndon) dhe është një tjetër arritje e paharrueshme e tij – diçka që do të bënte xheloz edhe James Cameron.

Mission Impossible është një makineri hollywood-iane, apo duhet të them Cruise-iane, e cila pushton çdo hapësirë komunikimi të çdo lloji nga momenti i premierës së parë. Përgjatë këtyre tre javëve rrjetet sociale janë të mbushura me çdo gjë dhe më shumë nga saga. “The Finale Reckoning” është [thuajse] gjithmonë i vendosur i treti ose i katërti në klasifikimin e pëlqyeshmërisë së shikuesve apo kritikëve. Këta të fundit madje, shpesh kanë qënë të ashpër me të – duke e quajtur një videoklip me diaologje të shkruajtura nga një 6 vjeçar.

Sidoqoftë nuk kishte si të mos kishte një ton të përgjithshëm lamtumire dhe referenca të vazhdueshme nga filmat e shkuar, po aq edhe rikthime të bujshme (McQuearrie dhe thika e famshme e përdorur nga mjeshtri i regjisë Brian de Palma në filmin e 1996).

“Mission: Impossible, The Final Reckoning” në shumë aspekte do duhet të ishte si “No Time To Die“, fundi i një epoke, me lavdi; fatkeqsisht nuk është. Sikur të kishte një strukturë më pak të rrëmujshme, dialogje më pak patetike dhe një fund më të guximshëm do të ishte absolutisht i shkëlqyer.

Ashtu siç është, është prapë ok, sepse Tom Cruise, është Tom Cruise.