At Ilia Kotnani: “Shfaqja godet besimin ortodoks”


Mitropolia e Shenjte e Korces 2“Shën Mëria e Beratit”, drama e shkruar nga Namik Dokle, vijon të ketë polemika në qytetin e Korçës. Mitropolia e këtij qyteti e ka quajtur dje denigruese dhe fyese mesazhin e kësaj vepre. At Ilia Kotnani ka dalë me një deklaratë zyrtare për shtyp, në emër të Mitropolisë së Shenjtë, ku drama cilësohet si denigruese dhe fyese, pasi denigrimi i klerikëve të nderuar është denigrim për të gjithë komunitetin. “Tashmë ka kohë që besimi ortodoks po goditet gjithandej me mënyra të ndryshme. Veprime të tilla nxisin reagimin e çdo besimtari si dhe cenojnë ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si vlerë që karakterizon shoqërinë tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. Sipas tij, veprime të tilla cenojnë komunitetet fetare dhe janë të qëllimshme dhe nuk i shërbejnë aspak bashkëjetesës fetare. “Këtë protestë e ndiejmë si një detyrim moral ndaj paraardhësve tanë, që me aq mund dhe sakrifica mbajtën të pacenuar besimin dhe moralin ortodoks”, thuhet në deklaratë. Reagimi zyrtar i institucionit të komunitetit ortodoks të Korçës, erdhi pasi një grup i quajtur intelektualët e rinj ortodoksë protestuan më parë dhe në mënyrë demonstrative shfaqën pakënaqësitë e tyre për mesazhet që transmeton drama “Shën Mëria e Beratit”, shkruar nga Namik Dokle dhe e vënë në skenë në teatrin e qytetit nga regjisori dhe artisti i njohur Dhimitër Orgocka. Pas këtyre reagimeve, drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, është shprehur se shfaqja do të ndërpritet pa afat.


G. Ashimi